“Ekspozitë” me fatura të rrymës në Tetovë, protestuesit: Këta janë krimet dhe vjedhjet e EVN-së (VIDEO)

Ekspozitë me fotografi të faturave të energjisë elektrike u organizua sot në Tetovë nga iniciativa “Boll Më”. Pasi provuan shumë lloje të protestave, sipas organizatorit Osmani, ngjarja e sotme është mënyrë artistike për t’i thënë EVN-së, “Boll më”. Ndërkaq nga kjo iniciativë janë drejt përfundimit të propozim ligjit në të cilin parashihen të gjitha kërkesat e tyre,  ndërkaq për Portalb.mk, deputetët e partive shqiptare thanë se do ta përkrahin këtë propozim ligj, shkruan Portalb.mk.

Krenar Osmani shpjegoi se në faturat të cilat aktualisht qëndrojnë në qendër të Tetovës, janë edhe të mërgimtarëve të cilët sipas tij, nuk jetojnë fare në shtëpitë e tyre në Tetovë ndërkaq faturat e energjisë elektrike ju vijnë deri në 6 mijë denarë apo më shumë.

Krenar Osmani nga iniciativa "Boll Më".
Krenar Osmani nga iniciativa “Boll Më”.

“Mënyrë më artistike për të pasqyruar krimet dhe vjedhjet e EVN-së, plaçkitjet që i bën nëpër shtëpitë shqiptare EVN-ja, këtu keni fatura të banorëve të shtëpive të cilët nuk jetojnë aty, ndërkaq çmimi i faturës është deri në 6 mijë denarë, ka shtëpi që ngrohen me dru, pelet ose gaz, ndërsa faturat ju vjen deri në 14 mijë denarë. Ka fatura gjatë periudhës së verës ku vlera atyre arrin deri në 18 mijë denarë. Kështu lloj faturash në Maqedoninë Lindore nuk ka, apo te pjesa e maqedonasve që jetojnë këtu, kjo do të thotë se hisen e tyre e paguajmë ne shqiptarët” tha Krenar Osmani.

Kjo është protesta e 16 me radhë, a ka ndonjë përparim nga protesta e parë?
Osmani të vetmin përparim në kuptimin e realizimit të kërkesave të tyre e sheh te deklaratat e Zaev dhe kryetarit të KRRE-së, për uljen e çmimit të TVSH-së për energjinë elektrike, deklarata të cilat, sipas Osmanit, ngelën vetëm fjalë pa mos ndërmarrë ndonjë masë konkrete.

“Kemi dëgjuar nga mediumet që është përmend një nga kërkesat tona e cila ishte ulja e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18 në 5%, ka pasur deklarata nga kryeministri si dhe kryetari i KRE-së se do të ketë mirëkuptim për këtë, deri tani nuk është realizuar as kjo edhe pse kanë kaluar 1 muaj e gjysmë nga deklaratat e tyre” tha Osmani.

Foto nga ekspozita e "Boll Më", Tetovë.
Foto nga ekspozita e “Boll Më”, Tetovë.

Drejt finalizimit është propozim ligji përmes së cilit synohet që të realizohen të gjitha kërkesat e iniciativës “Boll më”, Osmani theksoi se të gjithë deputet shqiptar kanë shprehur përkrahjen e tyre për këtë propozim ligj.

“Ata na kanë premtuar përkrahje bllanko, ne jemi në finalizim të një propozim ligji mirëpo parlamenti aktualisht është bllokuar për shkak të infektimit me Kovid-19 të disa deputetëve, andaj ne jemi në finalizimin e këtij propozim ligji, do të futet në rend të ditës në kuvend” tha Osmani.

Heshtja e Lidhjes Social Demokrate (LSDM), sipas Osmanit, është e qëllimshme sepse kjo parti ka gjetur zgjidhje për shumë kërkesa tjera ndërkaq nuk kanë shprehur përkrahje sa ju përket kërkesave të këshillit iniciativë kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike.

“Nuk shohim vullnet nga partitë maqedonase për kërkesat tona, është aktiviteti 16 me radhë i joni, nxënësit me një protestë arritën kompromis, zjarrfikësit njëjtë, vreshtarët, ndërkaq këtu nuk arrijnë të gjejnë mirëkuptim, kohë dhe vullnet që të ulemi të negociojmë për këto kërkesa jetike, nuk mundet që 50-60 e buxhetit familjar të shkoje të EVN-ja, kjo është krim dhe vjedhje” theksoi Osmani.

LEXO: RMV, a do të ketë “armëpushim” mes protestuesve për çmimin e energjisë elektrike dhe kompetentëve?

Çfarë përmban propozim ligji i përpiluar nga iniciativa “Boll më”?

Tre prej gjithsej shtatë kërkesave që i kanë, ka hapësirë të zgjidhen përmes ligjit ndërkaq të tjerat ju takojnë institucioneve tjera, edhe atë Qeverisë së RMV-së dhe EVN-ja.

“Nga gjithë kërkesat që i kemi, tre i takojnë parlamentit, ata të treja do të futen në parlament, që është përcaktimi i çmimit, krijimi i një institucioni të pavarur i cili do të monitoroje punën e EVN-së, do të monitoroje orëmatësit e EVN-së dhe mënyrën se si matin si dhe falja e borxheve dhe kamatë vonesave për rastet speciale” tha Osmani.

Foto nga ekspozita e "Boll Më", Tetovë.
Foto nga ekspozita e “Boll Më”, Tetovë.

Cilat janë kërkesat e këshillit organizativ?

  • Anulimi i rritjes së fundit të çmimit së energjisë elektrike.
  • Zbritja e çmimit të kilovatit për 46%.
  • Eliminimi i monopolit të EVN-së
  • Ulja e TVSH-së nga 18% në 5%.
  • Krijimi i një trupi të tretë arbitrar i cili do të monitoroje punën e EVN-së, si dhe do të shqyrtoje kërkesat-ankesat e konsumatorëve.
  • Falja e borxheve të akumuluara të rasteve sociale
  • Shlyerja e kamatë-vonesave për të gjitha shtresat e konsumatorëve.

Ndryshe, Osmani paralajmëroi se me protesta të tilla do të vazhdohet deri në realizimin e kërkesave të tyre, rikujtojmë se ditëve të fundit këta revoltën e tyre e kanë shprehur përmes bllokimit të disa rrugëve më të frekuentuara në vend.

Lexo edhe këtu:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button