FMN-ja ka vlerësuar se sistemi bankar i RMV-së është mirë i kapitalizuar dhe profitabil

Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, BPRMV, duhet të ndërmarrë aktivitete mbikëqyrëse në kohë për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar dhe për këtë arsye është thelbësore të ruhet pavarësia e saj. Kjo do t’i mundësojë bankës qendrore të vazhdojë të përmbushë detyrat e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar, të cilat janë parakushte thelbësore për rritje të qëndrueshme, njofton Portalb.mk.

Këtë e deklaroi shefja e misionit të FMN-së për vendin tonë, Bergljot Barkbu, në një deklaratë pas konferencave  të rregullta vjetore të mbajtura nga 9 deri më 18 nëntor dhe në të cilat u rishikuan zhvillimet e fundit në sektorin ekonomik dhe financiar, si dhe perspektivat ekonomike, informon BPRMV.

“Politika monetare e relaksuar është e përshtatshme dhe BPRMV është e gatshme të veprojë në përputhje me rrethanat për të mbrojtur de-fikto kursin fiks të denarit”, tha Barkbu.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se sipas vlerësimeve të misionit të FMN-së, sistemi i përgjithshëm bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës.

“E një rëndësie të madhe është të mbahen rregulla të rrepta për klasifikimin e ekspozimit të kredisë dhe për alokimin e provizioneve të kredisë, në mënyrë që të sigurohet që bankat të kenë rezerva të mjaftueshme për të mbuluar humbjet e mundshme. Bankat duhet të inkurajohen të përmbahen nga pagesa diskrecionale e dividendëve dhe riblerja e aksioneve të tyre,” tha shefja e FMN-së.

Misioni i FMN-së thotë se aktiviteti ekonomik pritet të rimëkëmbet gjatë vitit të ardhshëm, por që vala e dytë e pandemisë paraqet rrezik për intensitetin e rimëkëmbjes.

“Sipas vlerësimeve të misionit të FMN-së, të njoftuar në deklaratën e Barkbu-së, është e nevojshme që edhe më tej të mbahet një politikë monetare e relaksuar për sa kohë që procesi i rimëkëmbjes po vazhdon. Në të njëjtën kohë, u vu në dukje se alokimi i provizioneve të përshtatshme për humbjet e mundshme të bankave mbetet thelbësore”, thuhet në deklaratën BPRMV-së.

 Ndërkohë, në 10 ditët e kaluara, misioni pati takime online me Ministrin e Financave Fatmir Besimi dhe ekipin e Ministrisë së Financave, në kuadër të së  cilave u shqyrtua situata makroekonomike dhe parashikimet brenda misionit të rregullt vjetor, njoftojnë nga kjo ministri.

Nga Fondit Monetar Ndërkombëtar gjithashtu deklarojnë se shpenzimet e larta kapitale të parashikuara në buxhetin për vitin 2021 mund të jenë nxitëse të rritjes,dhe se buxheti për vitin 2021 siguron mbrojtës në rast se duhet të merren masa të reja ose të zgjerohen ato ekzistuese siç janë subvencionet e pagave dhe shtesat për ata që do të humbnin punën e tyre. FMN gjithashtu thekson se masa për Skemën e Garancisë Shtetërore do të ndihmojë në sigurimin e likuiditetit e kompanive.

FMN në deklaratën e tij përmbyllëse konkludon që qëllimi kryesor i Qeverisë është të arrijë një rritje më të madhe për të përmirësuar standardet e jetesës dhe konvergjencën e të ardhurave me vendet e tjera evropiane, dhe se kjo kërkon investime në kapitalin njerëzor dhe fizik. Deklarata tha se edhe përkrah impaktit të krizës Kovid mbi ekonomin, ajo nuk kishte një ndikim të rëndësishëm në shkallën e papunësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button