fbpx

Prindërit në RMV: Çmimet e kurseve të larta për t’i mbuluar, por fëmijët reflektojnë dhe kanë sukses prej tyre

Kurset për fëmijët që ofrohen kanë sukses, por çmimi i tyre është i lartë. Kështu thonë disa prindër në një bisedë për Portalb.mk, në lidhje me atë se sa e kanë të vështirë që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në kurse, sidomos në këtë kohë pandemie, kur e gjithë bota po përballet me krizë shëndetësore dhe ekonomike.
Çmimi i kurseve varësisht prej lëmive dallon, sipas prindërve ato variojnë prej 800, 100, 1200 denarë në muaj. Kjo përbën vështirësi për prindërit që kanë më shumë se një fëmijë, duke e pasur parasysh standardin e jetës në Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk.

Mereme Ismani është nënë e 3 fëmijëve dhe mundohet t’ua ofroj çdonjërit prej tyre kurset e nevojshme, ajo thekson se kurset ku i dërgon fëmijët e saj kushtojnë 800 denarë në muaj dhe për të është e vështirë sepse paguan për çdonjërin veçmas për çdo muaj. Por, është e kënaqur nga reflektimi dhe suksesi që arrin fëmijët  e saj.

Mereme Ismani

“Përgjegjësia për të qenë prind është shumë e madhe dhe fëmija në sytë e prindërve ka vend të veçantë. Nga kjo dua të dal se unë si një nënë e  tre fëmijëve i dërgoj fëmijët në kurse nga dëshira e madhe për të arritur sa më shumë sukses si në mësime gjatë shkollimit të tyre tani ashtu dhe në të ardhmen. Ta them të drejtën për atë se sa paguaj nuk ishte shumë për mua për derisa e dërgoja vetëm vajzën por, tani që i dërgoj dhe dy djemtë është pak më e  vështirë realisht, ngase për çdonjërin veçmas paguaj nga 800 denarë në muaj. Mirëpo, duke u bazuar në atë se dua që maksimalisht fëmijët e mi të kenë shumë sukses mundohem të ja dalë disi. Unë vajzën time ka tre vite e ca muaj që e dërgoj ne kursin e gjuhës angleze, jam shumë e kënaqur, ndërsa tani i dërgoj dhe djemtë d.m.th tash sa kanë filluar, reflektimi bie në  sy menjëherë, pritshmëritë e mia janë të përmbushura ndaj  kurseve në përgjithësi”, thotë Ismani.

Qefsere Jusufi është nënë e katër fëmijëve dhe mundohet që me kushtet e saja financiare fëmijët e saj të arrijnë sukses por, shumat e pagesave që duhet të bëj ajo për çdo muaj për çdonjërin prej tyre janë 1000 denarë dhe 1200 denarë dhe për të kjo është e vështirë.

Qefsere Jusufi

“Duke marrë parasysh dëshirën dhe vullnetin e fëmijëve të mi për të mësuar gjuhën angleze , që e shohin si gjuhë që do munden të komunikojnë në çdo vend gjatë jetës së tyre unë si prind mundohem me kushtet e mia financiare për ti ndjekur kurset për një zhvillim sa më të mirë. Duke u nisur nga standardi I jetesës në vendin tonë është vështirë që për një muaj të bësh dy ose tre pagesa. Gjatë kësaj kohe vajza ime ndjek kursin e gjuhës angleze dhe të matematikës, ku përveç pagesës mujore të kurseve kemi edhe shpenzime te tjera. Edhe unë edhe fëmijët jemi të kënaqur duke u bazuar në suksesin e tyre që kanë arritur. Sa i përket çmimeve kursi i matematikës kushton 1000 denarë, ndërsa i gjuhës angleze 1200 denarë dhe pavarësisht se fëmijët kanë reflektim dhe janë të kënaqur për mua si prind janë çmime shumë të larta sepse këto kurse i ndjekin të dy fëmijët e mi. Duke u munduar që fëmijët e mi ti largoj nga rrjetet sociale dhe për zhvillim më të mirë jam e obliguar si prind që ti dërgoj nëpër kurse që janë më të nevojshme gjatë periudhës së shkollimit të tyre si filloriste. Uroj që shteti jonë të sigurojë kurse të llojeve të ndryshme në bazë të standardit jetësorë që të kenë mundësi që të gjithë fëmijët të ndjekin kurset që  kanë nevojë”, thotë Jusufi.

Nga ana tjetër, Ylldita Bilalli thekson se kurset ku i dërgon fëmijët kushtojnë 1200 denarë në muaj, për të është një çmim i volitshëm dhe është shumë e kënaqur nga suksesi i fëmijëve.

Ylldita Bilalli

“Prindi për fëmijën e tij e don më të mirën kur është në pyetje zhvillimi profesional i fëmijës, varësisht se ku është nevoja e fëmijës e çon në kurse, ku për fatin tonë në kohën e sotme ka lloj-lloj kurse, dhe kjo me të vërtet është në dobi të fëmijës. Unë personalisht jam shumë e kënaqur nga suksesi i fëmijëve. Sa i përket çmimit të kurseve një kurs kushton 1200 denarë në muaj, dhe është një çmim i volitshëm për prindërit. Kjo varet nga financat që posedojnë prindërit, nga kjo mund ta konstatojnë se a është e arritshme apo e paarritshme një kurs për fëmijën e tyre, se padyshim dëshira gjithmonë është në radhë të parë. Për mua personalisht këto çmime janë të arritshme dhe jam shumë e kënaqur”, thotë Bilalli.

Qendrat për kurse flasin për çmimet dhe ndryshimet që ka shkaktuar tek ato Covid-19

Ndryshe, tani që ndodhemi me një situatë të tillë siç është pandemia Covid-19, ka shkaktuar ndryshime për qendrat e kurseve në RMV, për të gjitha këto ndryshime dhe çmimet e kurseve flasin nga qendra “Vision Academy” dhe “Neting School” për Portalb.

“Po, tani që situata me virusin korona ka shkaktuar ndryshime te ne si qendër, kërkesa e studentëve dhe nxënësve është më e ulët, ne gjithashtu mundohemi të bëjmë grupe me më pak studentë dhe nxënës duke respektuar rregullat për të mbajtur distancën, gjithashtu kemi ofruar kurse online të cilat kanë qenë deri diku efektive, por më shumë kërkohen ato me prezencë fizike si nga prindërit ashtu dhe nga vetë studentët. Ndërsa sa i përket çmimeve nuk kemi pasur asnjëherë ankesa nga prindërit apo studentët, kanë qenë gjithmonë çmime të kapshme bile tani që është pandemia kemi pasur diku 20% ulje të çmimeve dhe këto ulje ende vazhdojnë”, deklaruan nga qendra e kurseve “Vision Academy”.

“Prej fillimit të pandemisë pati ulje të numrit të nxënësve apo fëmijëve që ishin të interesuar për kurse por, ai numër ka ecur standard nuk ka ndryshuar më. E sa i përket çmimeve ne kemi bërë 30% ulje për shkak të situatës dhe nuk kemi ndonjë problem me prindërit, janë të pëlqyeshme çmimet”, theksuan nga qendra “Neting School”.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close