RMV, reforma e legjislacionit për shpifje nisi të zbatohet

Reforma e ligjit për shpifje dhe fyerje, e cila është një nga përparësitë e reformës në fushën e mediave, ka nisur të zbatohet, njofton Observatori Mediatik, transmeton Portalb.mk.

Pas njoftimit nga Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, në fillim të muajit se legjislacioni në lidhje me mbrojtjen më të madhe të gazetarëve do të rishikohet, Grupi i punues për rishikimin e Ligjit për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje, kryesuar nga akademik Vlado Kambovski , dje kishte takimin e tij të parë të punës.

Anëtarët e grupit punues janë gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Mirjana Lazarevska, një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, gjashtë gjyqtarë të Gjykatës civile, një ekspert lokal dhe përfaqësues të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve të Mediave.

Në takimin e parë, fillimisht u vlerësua situata dhe u bënë propozime konkrete se çfarë ndryshimesh nevojiten në Ligjin për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje, të cilat, nga njëra anë, do të përmbushë detyrimet e ndërmarra të autoriteteve për reforma, por, nga ana tjetër, do të të jenë të dobishme për punën e gazetarëve.

Por, çfarë zbuloi eksperti gjerman Reinhard Priebe në raportin e tij në vitin 2015, kur një grup ekspertësh skanoi të gjithë sistemin e vendit, duke përcaktuar që ai ishte një shtet i kapur?

Së pari, Priebe bëri thirrje për reforma ligjore për të zvogëluar numrin e lëndëve për shpifje dhe fyerje që ndiqen në gjykata. Ai beson se ky qëllim duhet të arrihet duke rishikuar legjislacionin për shpifje, i cili do të fshijë pjesët e ligjit që flasin për nder, dinjitet ose fyerje, të cilat ngrihen në bazë të përkufizimit ligjor të “fyerjes” dhe janë jashtë fushëveprimit të fyerjes sipas kuptimit të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.

Së dyti, Priebe rekomandon rishikimin e rregullave në mënyrë që të përjashtohen çështjet e vogla nga proceset gjyqësore dhe të rritet përdorimi i ndërmjetësimit për të zgjidhur këto mosmarrëveshje në vend të hapen lëndë në gjyqe.

Së treti, në vend të padive gjyqësore, të promovohet përdorimi i vetë-rregullimit si një alternativë ndaj proceseve gjyqësore. Kjo do të thotë se duhet të ndërgjegjësohet publiku, i cili kur përballet me raportim të diskutueshëm të mediave, nuk duhet të nxitojnë për të ngritur menjëherë një padi kundër gazetarëve, por të përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjen duke bërë ankesa në organet vetërregulluese të medias.

Së fundmi, Priebe kërkon vetëdije më të lartë prej politikanëve, të cilët duhet të përmbahen nga ngritja e padive për shpifje kundër gazetarëve dhe të tregojnë prag më të lartë të tolerancës për kritikat publike.

Praktikisht, Priebe bën thirrje për një qasje të kombinuar për uljen e numrit të proceseve gjyqësore për shpifje kundër gazetarëve, ndërhyrjet ligjore dhe ndryshimin e vetëdijes së zyrtarëve publikë, të cilët duhet të jenë më tolerantë ndaj kritikave publike në media, dhe, së fundmi, forcimin e mekanizmave vetërregullues në media.

Dje në grupin e punës është prezantuar edhe raporti për situatën me paditë për shpifje dhe fyerje në gjykatat e Maqedonisë, të përgatitur nga një ekspert maqedonas, i cili bazohet në biseda me gjyqtarë, si dhe në analizën e aktgjykimeve të miratuara nga të gjitha nivelet e gjyqësorit.

Ajo që vlen të përmendet nga analiza është se gjykatat, mesatarisht, kanë shqiptuar vetëm 10 përqind të dëmshpërblimit për dëmin jo-material krahasuar me shumën fillestare të kërkuar nga palët që padisnin për cenim të nderit dhe reputacionit.

Një fakt tjetër i rëndësishëm nga analiza është se nga një total prej 30 vendimesh të miratuara nga gjykatat maqedonase për shpifje dhe fyerje, 15 i referohen çështjeve kundër gazetarëve.

Konsiderohet si një praktikë e mirë që ka vendime gjyqësore ku gjyqtari konstaton vetëm shkeljen e të drejtës së palës së dëmtuar, por nuk shqipton kompensim jomaterial. Pozitive është që në disa vendime gjyqtarët i referohen praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Lidhur me reformën e ardhshme të Ligjit për përgjegjësi civile për shpifje dhe fyerje, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka përgatitur një analizë të brendshme për zbatimin e ligjit në tetë vitet e fundit nga miratimi i tij në vitin 2012.

Analiza konkludon se ligji ka arritur qëllimet për të cilat është miratuar, veçanërisht në lidhje me uljen e numrit të padive për shpifje kundër gazetarëve. Kështu, nëse në vitin 2012 kishte 330 procese gjyqësore kundër gazetarëve në gjykatat e Maqedonisë, në vitin 2017 numri i tyre ra ndjeshëm në 39 procese gjyqësore.

Një zhvillim tjetër pozitiv në zbatimin e Ligjit për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje është se ka më pak padi kundër gazetarëve të ngritura nga aktorë të lartë qeveritar dhe politikë. Kjo është për shkak të angazhimit publik të disa partive politike për të mos ngritur padi për shpifje ndaj gazetarëve si një kontribut për lirinë e medias në vend.

Por ajo që shqetëson SHGM për zbatimin e ligjit është fakti që procedurat ndaj gazetarëve para gjykatave zgjasin shumë, gjë që lë hapësirë ​​për të bërë presion shtesë mbi punën e gazetarëve ose përfundimisht i detyron ata të aplikojnë vetëcensurë në punën e tyre të përditshme për shkak të proceseve aktive në gjykata. Kështu, në dy vjet, vetëm pesë aktgjykime përfundimtare u dhanë nga gjykatat e apelit në vend.

Analiza e SHGM-së gjithashtu vëren se kur një zyrtar i lartë shtetëror është i përfshirë në një çështje si palë, gjykatat kanë tendencë t’i kryejnë procedurat dukshëm më shpejt. Për më tepër, gjykatat gjithnjë e më shumë janë të prirura të zbatojnë praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kur zyrtarë të rangut të lartë publik nuk janë të përfshirë në çështje gjyqësore si palë.

SHGM është e kënaqur që gjykatat e apelit kanë zgjidhur përfundimisht dilemën në lidhje me trajtimin e padive për shpifje kundër portaleve nga gjykatat, të cilat mbështesin sugjerimin e Gjykatës së Lartë për harmonizimin e praktikës gjyqësore. Kjo e bën të pakuptimtë kërkesën për rregullim shtesë ligjor të mediave online.

Një shqetësim shtesë për Shoqatën janë tarifat e larta në procedurat civile, të cilat përbëjnë një barrë financiare shtesë për gazetarët.

Analiza e brendshme e SHGM-së identifikoi dy rreziqe që mund të cenojnë procesin e përmirësimit të praktikës gjyqësore në lidhje me trajtimin e gjykatave të padive për shpifje dhe fyerje ndaj gazetarëve.

Shqetësimi i parë është kërcënimi publik nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe politikës ndaj gazetarëve se do të paditen për raportimin e tyre kritik në mediave. Një shembull i tillë është rasti i drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Programeve Arsimore Evropiane, Lidija Dimova, e cila kërcënoi kolegët nga portali “A1On”, të cilët raportuan për skandalin për mënyrën e ndarjes së granteve nga Agjencia.

Një arsye e dytë për shqetësim është vendimi i Gjykatës civile në Shkup i shtatorit të vitit të kaluar që të gjithë gjyqtarët të procesojnë paditë për shpifje kundër gazetarëve, dhe jo vetëm tre gjyqtarët e trajnuar, të cilët deri më tani janë marrë me këto çështje.

Frika është që gjyqtarët e tjerë nuk janë të trajnuar dhe nuk do të jenë në gjendje të zbatojnë në mënyrë efektive praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe të vendosin ekuilibër të duhur midis të drejtës së nderit dhe reputacionit dhe interesit publik për t’u informuar. Kjo mund të vë në pikëpyetje praktikën pozitive të ndërtuar në Gjykatën civile në zbatimin e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së.

SHGM në grupin punues, i cili ka për detyrë të përgatisë ndryshime në Ligjin për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje, do të lobojë për uljen e kompensimit të dëmit jomaterial për shpifje të bërë nga një gazetar. Shuma maksimale tani është kufizuar në dy mijë euro, e cila krahasuar me nivelin e pagave të gazetarëve  është absolutisht joproporcional dhe mund të shkaktojë vetëcensurë.

Shoqata gjithashtu kundërshton idenë e fshirjes së fyerjes nga Ligji për shpifje dhe zhvendosjen e saj në Ligjin për marrëdhënie obligative sepse afati i parashtrimit të padive atje është deri në tre vjet, gjë që mund të jetë një presion shtesë mbi gazetarët.

Së fundmi, ata konsiderojnë se ideja e ndërmjetësimit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për shpifje është e pakuptimtë sepse ligji ekzistues ka zgjidhje të mirë, kërkesë për falje ose tërheqje publike të një deklarate ose teksti, të drejtën e mohimit dhe korrigjimit.

Naser Selmani

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button