Qeveria e miratoi projekt-ligjin për financim të “tramvajit në rrota” në Shkup, tani në procedurë parlamentare

Në seancën e djeshme, Qeveria e miratoi tekstin e Projek-tligjit që Republika e Maqedonisë së Veriut të marrë hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në bazë të Marrëveshjes për hua për financimin e projektit “Futje në përdorim të transportit të shpejtë me autobus në Qytetin e Shkupit”. Kemi kërkuar nga BERZH-i një kredi prej 70 milionë eurosh për ndërtimin e dy linjave të “tramvajit në rrota”, ka informuar shërbimi për shtyp i qeverisë, transmeton Portalb.mk.

“Projekti “Futje në përdorim të transportit të shpejtë me autobus në Qytetin e Shkupit”, përfshin krijimin e dy linjave për transport të shpejtë me autobus me korridore të rezervuara vetëm për autobusët, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve të transportit të udhëtarëve në drejtimin “lindje – qendër – perëndim” dhe “Jug-qendër-veri”, duke zvogëluar kohëzgjatjen e transportit të udhëtarëve, qasje më të mirë dhe përdorim të shërbimeve të transportit dhe për të zvogëluar ndotjen e ajrit”, thuhet në komunikatë.

Përndryshe, pasi u miratua në seancë qeveritare, projektligji për huazimin nga BERZH-i për realizimin e këtij projekti do të duhet që ligji të shkojë në procedurë parlamentare, gjegjësisht të votohet në Kuvendin e RMV-së, e pas kësaj duhet të nënshkruhet marrëveshja me bankën dhe të shpallet tender për përzgjedhjen e një kontraktuesi për punët ndërtimore, por edhe për blerjen e autobusëve të ardhshëm. BERZH qysh në pranverë e ka vlerësuar ndikimin nga realizimi i këtij projekti. Ndërsa kryetari i Shkupit Petre Shilegov tashmë ka njoftuar se e gjithë procedura për nënshkrimin e marrëveshjes me BERZH do të përfundojë deri në fund të vitit.

Ndërkohë, Qyteti i Shkupit muajin e kaluar e përzgjodhi konsorciumin që duhet të zhvillojë projektin ideor të trafikut, projektin ideor arkitektonik, projektin ideor të ndërtimit, si dhe projektet ideore për rrugët, instalimin e makinerive dhe pajisjeve, hidraulikën, instalimin termik, analizën e rrezikut të projektit dhe analiza e kapaciteteve të depove ekzistuese të NQP-së në Gjorçe Petrov dhe projektimin e depos së ardhshme në Lisiçe. Përgatitja e projektit ideor duhet të përfundojë deri në shkurt të vitit 2021.

Linja e ardhme, e parë, e “tramvajit me rrota” do të lidhë vendbanimet e Gjorçe Petrov dhe Novo Lisiçe. Autobusët do të lëvizin nëpër trase të ndarë fizikisht, përgjatë korsisë së fundit nga ana e majtë në aksin e bulevardit “Aradhat partizane” deri te bulevardi “Jane Sandanski” dhe “Marshi  i shkurtit” në Novo Lisiçe. Stacionet e autobusëve do të jenë në vendin e gjelbërimit ekzistues qendror dhe për shkak të këtij ndërtimi, autobusët nga stacioni fillestar deri te ai përfundimtar do të udhëtonin për vetëm 35 minuta.

Pjesa e parë e huas nga BERZH-i, në vlerë prej 40 milionë euro do të ndahet për financimin e linjës së parë, ndërsa në fazën e dytë 30 milionë euro shtesë do të investohen në ndërtimin e linjës së dytë nga Kisella Voda në Butel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button