Mbi veton

Procesi i integrimit në Unionin Evropian është një proces i gjatë dhe kompleks. Vetë fillimi i bisedave për aderim duket ende kaq i paaritshëm, kësaj rradhe për shkak të vetos që Bullgaria duket se do të vendosë që në fillim të këtij procesi. Dhe të mendosh që qeveria e Zoran Zaevit dhe ai personalisht, që në vitin 2017, sapo erdhi në fuqi, e filloi me një marrëveshje për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Është e qartë që në fakt ky ka qenë problemi esencial, përkundër problemit me Greqinë i cili zgjati afro 30 vjet. E në fakt funksionarët e lartë shtetërorë bullgarë gjatë gjithë kësaj kohe silleshin shumë përkrahës. Ata fare nuk e problematizuan anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. E tani sërish iu kthyen historisë dhe i problematizojnë rishtazi karakteristikat identitare të një shteti që në fakt ka mbi 70 vjet që ekziston.

Dhe këtu është problemi që në fakt duket i patejkalueshëm dhe tepër delikat. Problemi me Greqinë e kishte gjithmonë me rëndësi ekskluzive komponentën territoriale. Grekët kërkonin që teritori i këtij shteti të dallohet nga rajoni i tyre verior që mban të njejtin emër. Ata poashtu kërkonin që Maqedonia Veriore të heqë dorë nga procesi i antikizimit i cili ishte aq absurd dhe jonormal sa që vërtet ishte i papranueshëm për të gjithë. Bullgaria ka kërkesa më të mëdha se vetëm përcaktimet territoriale. Ata hynë në çështje shumë më të thella identitare të cilat janë më komplekse për të gjetur zgjidhje të dyanshme. Dhe për këtë insistojnë pavarësisht presionit që u bëhet nga ana e Gjermanisë dhe kancelares Merkel.

Deri kur do të jemi peng i historisë dhe i problemeve të së kaluarës që akoma na mbajnë të ngujuar në vend? Realiteti historik është që ky shtet ekziston për shtatë dekada dhe tani është edhe anëtare e NATO-s. Deri kur do të mbetemi të ngujuar në korridoret e pritjes për një gjë të thjeshtë si që është vetëm hapja e bisedimeve për aderim në Unionin Evropian? Çfarë nëse megjithatë arrijmë ta tejkalojmë problemin me Bullgarinë, a jemi të sigurtë? A kemi çfarëdo lloj sigurie se për shembull Hungaria ose ndonjë shtet tjetër poashtu nuk do të problematizoje hapjen e këtyre bisedimeve? Deri kur do të zgjasë ky proces kur fillimi është kaq i vështirë dhe ku pengesa dalin në çdo hap?

Përfundimisht, çfarë domethënie kanë këto zhvillime për vet Unionin Evropian? Nëse gjatë katër viteve të fundit Maqedonia e Veriut ka qenë shembulli pozitiv në Ballkanin Perëndimor, shteti i cili vendosi tu japë fund konflikteve shumëvjeçare duke ndryshuar emrin e shtetit dhe kushtetutën e tij, përballet me vështirësi të tilla që e vënë në dyshim secilin hap të hedhur drejt euro-integrimit, atëherë cili do të jetë arsyetimi i mëtejshëm i UE-së për procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor? Si do të ecë para ky proces nëse një shembull pozitiv pamundësohet për të ecur para edhe përskaj ndryshimeve revolucionare të viteve të fundit? A nuk janë këto pengesa të mirëseardhura pikërisht për forcat reaksionare brenda dhe jashtë shtetit të cilat mezi presin t’i hidhet benzinë zjarrit të narrativeve të tyre shovene dhe urrejtëse?

Dhe në fakt kush përfiton nga e gjithë kjo punë? Çfarë përfiton Bullgaria me pengimin e Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat për aderim në UE përveç një retorike të përshtatshme parazgjedhore në prag të zgjedhjeve të Marsit 2021? Asgjë afatgjate nuk përfiton përveç antipative të përgjithshme për këtë sjellje. Çfarë përfiton Unioni Evropian nga e gjithë kjo punë? Asgjë përveç ndalimit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, që në fakt ata thonë se ky zgjerim është strategji e përhershme e këtij unioni. Çfarë fitojmë ne si shqiptarë qyetetarë të Maqedonisë së Veriut nga stërzgjatja e këtij procesi? Asgjë të mirë në fakt, mbetemi të ngujuar në këtë proces pa fund që dita ditës bëhet më frustrues. Nga i gjithë ky proces përfitojnë vetëm forcat që janë kundër perëndimit, kundër Unionit Evropian, dhe kundër demokratizimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Atyre u lind dita në çdo mundësi për të penguar ecjen përpara të vlerave demokratike perëndimore.

Dhe është e qartë që zhvillimet në Bullgari janë të ndikuara edhe nga këto forca nga të cilat të gjithë humbim dhe askush nuk përfiton përveç atyre që këtë rajon duan ta shohin si një kaos të përhershëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button