fbpx

Online apo offline Kuvend?!

COVID-19 si duket u dha një goditje të madhe sistemeve juridike në botë?! Ky virus e përshpejtoi epokën e digjitalizimit duke e transformuar në mënyrë radikale botën nga ajo reale në virtuale. Në vigjile të muajve të parë të fillimit të pandemisë, gati se të gjitha shtetet shpallën gjendje të jashtëzakonshme, duke e përdorur këtë si mjet apo si mënyrë të ballafaqimit dhe luftimit sa më efikas të këtij virusi. Rrjedhimisht edhe Republika e Maqedonisë së Veriut për herë të parë në historinë e saj të pavarur, shpalli gjendje të jashtëzakonshme e cila zgjati me muaj, megjithatë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, RMV u “detyrua” që të kthehet në gjendje normale.

Çështja aktuale që zhvillohet këto ditë ka të bëjë me kyçjen “online” të deputetëve në Kuvend, përkatësisht zhvillimin e punimeve të Kuvendit përmes platformave digjitale, e cila konsiston në punë virtuale apo “online” të Kuvendit. Tashmë raste të tilla  janë të njohura për opinionin mbi zhvillimin e punimeve të Parlamenteve “online” si pasojë e masave restriktive të sjellura nga ana e këtyre shteteve, siç është njëra ndër masat më të njohura, mbajtja e distancës. Pra, duke pasur parasysh numrin e përgjithshëm të deputetëve në parlamentet botërore, të cilët variojnë nga 80 deri mbi 500 deputetë, një masë e tillë është vështirë e zbatueshme, sidomos në këtë periudhë të valës së dytë të koronavirusit, ku numrat e të infektuarëve vazhdojnë në mënyrë rapide të rriten dita-ditës, me çka nuk i ka kursyer as përfaqësuesit e popullit, pra deputetët të cilët posedojnë “imunitet” në Parlament (pra, deputeti nuk mund të thirret në përgjegjësi penale ose të paraburgoset për mendimin e shprehur ose për votën e dhënë në Kuvend, por ja që mund të “kapet” nga virusi!?) Aktualisht në Kuvendin e RMV-së zyrtarisht dhe jozyrtarisht kemi gjashtë deputetë të infektuar me koronavirus dhe të cilët janë në izolim, dhe duke pasur parasysh se në këtë përbërje parlamentare kemi një shumicë “të brishtë” të pushtetit, e cila po pamundëson sigurimin e shumicës dhe rrjedhës normale të punimeve në Kuvend. Si pasojë e kësaj, kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi doli me propozimin që seancat e Kuvendit të mbahen online. Ideja e tij konsiston në gjetjen e zgjidhjeve në bazë të Rregullores që do t’ia lejonte (autorizonte) që Kuvendi të punojë në distancë. Megjithatë, propozimin e tillë ashpër e kundërshton opozita e cila konsideron se shumica parlamentare nuk guxon që punën e Kuvendit ta shndërrojë, siç thonë ato, në zyrë online noterie apo të miratojë ligje sipas dëshirës së pushtetit apo duke shkuar edhe më tej, duke vlerësuar se me këtë veprim shkelet Kushtetuta!? Rrjedhimisht, rregullimi i kësaj situateje nxjerri në dritë zbrazëtirat juridike të cilët nuk e parashohin një mënyrë të tillë të veprimit të Kuvendit, pra përmes platformave digjitale apo punës “online”, por në njëfarë mënyre as nuk është precizuar se si duhet t’i zhvillon punimet Kuvendi. Në këtë drejtim, dispozita e nenit 66 e Kushtetutës së RMV-së, thotë se Kuvendi është në sesion të përhershëm dhe punon në seanca dhe ato i konvokon Kryetari i Kuvendit. Ndërkaq, dispozita e nenit 29-të e Rregullores së Kuvendit të RMV-së, praninë në seancë dhe pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit i përcakton si të drejta dhe detyrime që i përkasin deputetit që të jetë i pranishëm në seancat e Kuvendit dhe të marrë pjesë në punime dhe vendimmarrje dhe neni 30-të që e parasheh situatën kur deputeti i cili është i penguar të jetë i pranishëm në seancën e Kuvendit, është i detyruar që për këtë ta njoftojë Kryetarin e Kuvendit deri në fillimin e seancës (kjo dispozitë në këto rrethana mund të aplikohet për deputetët të cilët janë ose mund të jenë në izolim). Në këto rrethana, kur kemi zbrazëtira juridike me akte të ndryshme juridike, të cilët as nuk ta “ndalojnë” dhe as nuk ta “lejojnë”, mendoj se këtu duhet të mbizotërojë logjika si dhe arsyeja (racio). Logjikisht dhe në mënyrë racionale, mund të konkludohet se kjo situatë është lehtë e zgjidhshme, me atë që zbrazëtirat juridike nuk duhet të jenë barrierë apo pengesë për punën “online” të Kuvendit, mjafton të ketë konsensus politik mes partive politike parlamentare që ta tejkalojnë këtë situatë së paku gjatë kësaj periudhe deri në rënien e numrit të të infektuarve, sepse gjatë kësaj periudheje më se e nevojshme është që Kuvendi të jetë funksional, pra në mënyrë që të ballafaqohet në mënyrë sa më efektive dhe efikase me koronavirusin dhe eventualisht të zhvillohet debati parlamentar në lidhje me vendimet që i sjell dhe do t’i sjell në të ardhmen Qeveria nga kompetenca e saj mbi masat restriktive, që nënkupton rrjedhimisht se çdo masë restriktive nënkupton edhe  kufizimin e të drejtave të njeriut. Me Kuvend “offline” në një situatë hipotetike me më shumë deputetë të infektuar, një gjë e tillë nuk do të jetë e mundshme, sidomos në ato raste kur nuk do të ketë “kuorum” për zhvillimin e punës, me çka bllokohet Kuvendi! Fundja, mbajtja e seancave “online” e sidomos përmes platformave digjitale ka marrë hov të madh në Evropë, duke e konsideruar këtu edhe shtetin fqinj, Shqipërinë e cila përgatiti infrastrukturë të nevojshme për të organizuar mbledhjet e komisioneve parlamentare e më pas edhe të seancave online, përmes platformës “webex”, përkatësisht shtetet evropiane nga analizat e bërë operojnë përmes platformës “Zoom”, përkatësisht, me pakot e Microsoftit. Shembulli eklatant në këtë drejtim është funksionimi i Parlamentit Evropian, të cilët konsiderojnë se pavarësisht rrethanave, demokracia nuk mund të suspendohet dhe se detyrimi i tyre është dalja në ndihmë të gjithëve gjatë kësaj krizeje pandemike.

Pra, të rezymojmë, kjo situatë nuk duhet të keqpërdoret dhe të shndërrohet në situatë histerike, e aq më tepër kur aktet më të rëndësishme shtetërore nuk e kanë paraparë një situatë të tillë, pra jo të tipit që të suspendohet demokracia dhe kushtetuta në raport me pandeminë, por as të vendoset e njëjta nën “llupë” për gjetjen e zbrazëtirave juridike. Ideja për ndryshimin e Rregullores në këto rrethana është e mirëseardhur dhe ide e qëlluar sepse çdo e keqe është impuls për të bërë diçka të mirë, megjithatë kur nuk arrihet konsensusi vështirë është që e njëjta edhe të realizohet dhe ne nuk mund të jemi “peng” e partive të ndryshme politike që edhe këtë situatë mundohen ta shfrytëzojnë për poena politike. Ajo që vendet evropiane e kanë paraparë si të papranueshme, ka qenë vetëm çështja e votimit përmes e-mailit si dhe SMS-it, përjashtimisht që e kanë aplikuar disa vende evropiane, me ç’rast një formë e tillë e votimit është vlerësuar e papëlqyeshme, andaj partitë politike duhet të gjejnë formulën e të jetuarit pra “modus vivendi”, 50% të punës ta realizojnë me prani fizike (për çështjet më të rëndësishme, duke përfshirë këtu edhe “votimin”), kurse 50% të punës tjetër me distancë, që nënkupton punën online (për çështje të rëndomta nga lëmia parlamentare). Shembujt e tillë me të madhe aplikohen në Evropë por edhe në botë!

Autori është magjistrant i shkencave juridike kushtetuese-administrative pranë Fakultetit Juridik të UEJL-së

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close