Ballkani sytë kah COVAX-i për vaksinën kundër koronavirusit

Vaksinat kundër virusit Kovid-19, që janë në fazat e fundit të zbulimit dhe fillimit të licencimit, kanë nxitur shtetet që përmes mekanizmave e fondeve të ndryshme të sigurojnë sasi të nevojshme për interesat e qytetarëve.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, udhëheqësi i Organizatës botërore të shëndetësisë vlerësoi se një vaksinë asnjëherë nuk është zbuluar kaq shpejtë, sikur vaksina kundër Kovid-19.

Vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë të furnizohen me vaksinën kundër COVID-19 kryesisht përmes programit ndërkombëtar të njohur si COVAX, i cili udhëhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI) dhe Gavi (Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin).

Përmes këtij programi, Kosova planifikon të sigurojë 1.2 milion vaksina. Maqedonia Veriore veç ka bërë porosinë prej 800 mijë vaksina, Serbia ka siguruar 1.8 milion doza, dhe Bosnjë e Hercegovina ka porositur mbi 1.2 milion vaksina. Për Shqipërinë ende nuk ka të dhëna, por edhe ky shtet synon të sigurojë vaksinën përmes programit COVAX, raporton REL.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në muajin tetor në seancën e 11-të vendosi për mënyrën e blerjes së vaksinës kundër Kovid-19, përmes mekanizmit Covax.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kishte sqaruar më herët se Kosova do të përfitojë 360,000 vaksina falas nga Aleanca Botërore e Vaksinimit, e njohur si COVAX, derisa Kosova pjesën tjetër të vaksinave do ta blejë me mjete të veta financiare, kur ato të jenë në treg dhe të lejuara për përdorim te njerëzit. Vlerësohet se në Kosovë do të bëhet vaksinimi i 1 milion e 200 mijë banorëve.

Kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech kanë konfirmuar se vaksina e tyre kundër koronavirusit “ofron mbrojtje 90%”., ndërkohë vlerësimet e fundit kanë theksuar se efekti i vaksinës ka arritur deri 95%. Dy kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratimin emergjent të vaksinës së tyre në fund të këtij muaji.

Pfizer ka thënë se beson se do të sigurojë 50 milionë doza të vaksinës deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliard të tjera deri në fund të vitit 2021. Në zhvillim e sipër janë edhe vaksina të tjera kundër koronavirusit.

Gjatë javës, Kompania amerikane Moderna thotë se të dhënat paraprake tregojnë se vaksina e saj kundër COVID-19 është rreth 95% efektive. Rezultatet janë të ngjashme me ato të kompanive Pfizer dhe BioNTech.

Ndryshe, ndikimi i vaksinës së re për Kovid-19 do të ndihet ndjeshëm gjatë verës, ndërsa jeta duhet të kthehet në normale deri në dimrin e ardhshëm, tha një nga shkencëtarët që e krijuan vaksinën, prof. Ugur Sahin. Sahin, bashkëthemelues i BioNTek, tha se ky dimër do të ishte akoma i vështirë sepse vaksina nuk do të kishte ndikim të madh mbi numrin e infektimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button