SHBA, rinumërim i pjesshëm votash në Uiskonsin

Në periudhën kur ekipi i kandidatit Biden, kërkoi nga administrata e  Presidentit Trump të nisë këtë javë procesin e tranzicionit, presidenti Donald Trump po vazhdon të shfrytëzojë të drejtat ligjore për ankesa ndaj rezultatit preliminar, që e shpall kundërkandidatin Joe Biden fitues.

Ekipi i Presidentit amerikan Donald Trump tha të mërkurën se do të kërkojë një rinumërim të pjesshëm votash në shtetin Uiskonsin, ku rivali i tij demokrat Joe Biden fitoi me më shumë se 20,000 vota, raporton VOA.

Në një deklaratë, fushata tha se transferoi 3 milion dollarë në Uiskonsin për të mbuluar kostot e rinumërimit të votave në dy qarqe Miluoki dhe Dejn, zona që tradicionalisht votojnë për demokratët.

Ekipi i Presidentit Trump aludon se një numër votash të ardhura me postë janë ndryshuar dhe se disa ligje votimi janë anashkaluar në këto qarqe.

Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke bllokuar kalimin drejt një administrate të re si dhe duke e komplikuar premtimin e zotit Biden për ta bërë pandeminë një përparësi kryesore pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Presidenti Trump pretendon, por pa dhënë prova, se në zgjedhje pati mashtrime në shkallë të gjerë dhe ka ndërmarrë një seri sfidash gjyqësore, që në shumicën e tyre janë hedhur poshtë nga gjyqtarët.

Për të qëndruar në Shtëpinë e Bardhë, Presidentit Trump do t’i duhej të përmbyste rezultatet në të paktën tre shtete, për të arritur pragun e 270 votave elektorale.

Ekipi i tij ndërkaq po vëzhgon rinumërimin me dorë në shtetin e Xhorxhias me shpresën se kjo do të fshinte epërsinë e zotit Biden me 14 mijë vota më shumë.

Shtetet përballen me afatin e 8 dhjetorit për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, përpara votimit zyrtar të Kolegjit Zgjedhor më 14 dhjetor.

Kongresi do t’i numërojë votat e Kolegjit Zgjedhor më 6 janar, që normalisht është një formalitet.

Por mbështetësit e zotit Trump në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve mund ta kundërshtojnë rezultatin në një përpjekje përfundimtare për të mos ia dhënë zotit Biden të 270 votat elektorale por t’ia kalojnë Dhomës së Përfaqësuesve marrjen e vendimit përfundimtar.

Ndryshe, kandidati demokrat Joe Biden ka mposhtur presidentin Donald  Trump në garën për presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e pozicionuar veten për të udhëhequr popullin amerikan të kapluar nga pandemia historike dhe trazirave ekonomike dhe shoqërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button