Tetovë, Ndihma e Shpejtë nuk ka asistuar për shkak të situatës me Kovid-19, institucionet e mohojnë rastin

Një qytetare e Komunës së Tetovës deri te Portalb.mk ka dorëzuar fakte të cilat dëshmojnë një përvojë jo të mirë të sajën, si palë e dëmtuar në këtë rast, me një mjek të Ndihmës së Shpejtë në Tetovë. Qytetarja (L.V) katër ditë më herët ka pasur nevojë për asistencë mjekësore në shtëpinë e saj, ndërkaq mjeku i urgjencës, i ka thënë se nuk ka çfarë të bëjë dhe se për shkak të situatës me Kovid-19, nuk mund të shkojë për t’i dalë në ndihmë. Nuk ka përgjigje konkrete për rastin në fjalë nga Spitali Klinik i Tetovës e as nga Ministria e Shëndetësisë, shkruan Portalb.mk.

Qytetarja me inicialet (L.V) na tha se prindin e ka me sëmundje të rëndë, kancer në mushkëri edhe atë tash dhjetë vite e njëjta po trajtohet.

“Prindin e kam të sëmurë tash 10 vite, aktualisht merr terapi antikancerogjene për kancerin që e ka në mushkëri, konsumon edhe barna tjera. Terapia e lodhën dhe mundon shumë, imunitetin ja ka dobësuar kurse shtypjen e ka lartë, pra, terapia e mundon shumë”, tha ajo.

Çfarë ndodhi të dielën me 15 nëntor, ditën kur denoncuesja pohon se nuk ka ardhur Urgjenca?

Pasi kishin kaluar shtatë ditë nga terapia e fundit e prindit të denoncueses L.V, dhe sipas saj, terapia ka ndikim jo të mirë në fuqinë dhe shëndetin e përgjithshëm të prindit pasi është terapi e rëndë, nëna e saj ishte zgjuar në ora 5:00 në mëngjes me dridhje dhe dhimbje të mëdha trupore.

“Të dielën, me datë 15 nëntor mami ishte zgjuar nga gjumi me shumë dhimbje dhe dridhje në trup, unë aq sa kam njohuri nga mjekësia veprova, nuk e dija nga vjen dridhja” tha L.V.

Menjëherë pas kësaj, qytetarja kishte telefonuar në numrin e Ndihmës së Shpejtë në Tetovë, kështu ishte zhvilluar biseda e saj me një prej mjekëve kujdestar, emrin e të cilit nuk e din denoncuesja.

Denoncuesja na tregon se çfarë ka biseduar me mjekun e Urgjencës:

  • L.V- Përshëndetje, nënën e kam keq me dridhje të trupit, merr terapi antikancerogjene dhe shtypjen nuk e ka mirë.
  • Mjeku- Kur e ka marrë terapinë e fundit prindi?
  • L.V- Një javë më herët.
  • Mjeku- Merre pacientin edhe ejani këndej (Në spital)
  • L.V- Nuk mundem, prindi dridhet shumë dhe nuk mund të lëvize, ka edhe dhimbje
  • Mjeku- Për shkak të situatës me virusin korona nuk mund të vijmë ne, në qoftë se dëshironi, ejani
  • L.V- Nuk mundem, e kam të pamundur, më trego të paktën çfarë mund të bëj me të?
  • Mjeku- Jepi bedoksin
  • L.V- Nuk mundem sepse është shumë e dobët, konsumon edhe vaj kanabisi
  • Mjeku- Nuk e di çfarë të të them, thash se nuk mundem të vij. Nuk kam çfarë të të bëj!
  • L.V- Këtë rast do e bëj të madhe, do e njoftoj edhe drejtorin.
  • Mjeku- Nuk mundem të vij sepse jam vetë këtu, nuk kam kujt të ja lë ambulanten.
  • L.V- Çfarë mund të bëj unë?
  • Mjeku- Thirre drejtorin edhe thuaji t’i sjellë 4 ekipe! (E mbyll telefonin).
Foto nga thirrja e qytetares L.V, ndihmës së shpejtë në Tetovë.
Foto nga thirrja e qytetares L.V, ndihmës së shpejtë në Tetovë.

Spitali Klinik i Tetovës: Nuk ka pasur raste të tilla!

Të kontaktuar nga Portalb.mk, nga Spitali Klinik i Tetovës nuk treguan se kush ka qenë mjeku amë kujdestar i cili ka biseduar me denoncuesen e lartpërmendur, por mohojnë se ka pasur një rast të tillë, duke shtuar se do ta shqyrtojnë këtë ankesë

“Nuk kemi pasur raste të tilla deri në këtë moment por për çdo rast do ta shqyrtoj këtë ankesë, pacientët janë të barabartë pa marrë parasysh situatës, çdo pacient i cili kërkon ndihmën tonë varësisht nga situata më vonë ose më herët, do të merr kujdesin i cili është i nevojshëm” tha për rastin në fjalë, Afrim Aliu, mjek në Ndihmën e Shpejtë, Tetovë.

Të painformuar për këtë rast ishin edhe nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët u përgjigjen në përgjithësi duke potencuar se vizitat në shtëpitë e pacientëve po realizohen në mënyrë të rregullt.

“Nga Qendra për Shëndet në Tetovë na informojnë se vizitat në shtëpi realizohen në mënyrë të rregullt dhe gjithçka që është e shkruar nga specialistët dhe mjekët amë, realizohet në kohë” thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Është e rëndësishme të mos përsëritet rasti i pacientes në Shtip

Rikujtojmë se një javë më herët, e bija e pacientes që ndërroi jetë, në Facebook publikoi screenshot-e nga telefoni i saj, ku shihet se pacientja e shtrirë në spital 2 ditë i është paraqitur me këmbëngulje nga krevati i spitalit infermiereve, u ka dërguar edhe sms porosi se i nevojitet oksigjen, por sipas screenshot-ave, askush nuk i është përgjigjur dhe as nuk ka ardhur, pas çka ka ndërruar jetë. Sipas së bijës, pacientja paraprakisht nuk ka pasur asnjë sëmundje, ndërsa në repartin infektive është mjekuar nga 6 nëntori. Vajza e saj sqaron se nuk ka marrë asnjë informacion për gjendjen e nënës së saj.

Për këtë, Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor momentalisht po realizojnë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Spitalin Klinik në Shtip.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button