Zv.ministri i Kulturës për Portalb: Parashihet që teatri i ri në Tetovë të përfundojë në fund të 2023

Zëvendësministri i Kulturës Sedat Sulejmani, në një intervistë ekskluzive për Portalb.mk në lidhje me rrjedhën e punëve për ndërtimin e teatrit të ri në Tetovë tha se gjasat janë të mëdha që ky objekt të jetë gati në fund të vitit 2023. Ai nuk deshi të flasë për përgjegjësitë eventuale të personave që kanë zvarritur procesin deri tani, shkruan Portalb.mk.

I vetëdijshëm për zvarritjen e procesit të ndërtimit të teatrit të ri në Tetovë, zëvendësministri Sulejmani potencoi se ka kërkuar një raport të detajuar për këtë dhe në bazë të këtij raporti, do të zbardhen problematikat dhe sfidat me të cilat haset ky projekt.

Zëvendësministri Sedat Sulejmani dhe drejtori i Qendrës për Kulturë në Tetovë, Artan Arsllani.
Zëvendësministri Sedat Sulejmani dhe drejtori i Qendrës për Kulturë në Tetovë, Artan Arsllani.

“Unë si zëvendësministër i Kulturës jam angazhuar maksimalisht që në kuadër të Ministrisë të ofrojmë kushte sa më të mira pune për të gjithë institucionet kulturore dhe për artistët në përgjithësi. Do angazhohem maksimalisht që procesi i punës të vazhdojë në rregull dhe pa asnjë pengesë, e teatri i ri të vihet në funksion sa më shpejt të jetë e mundur. Është e vërtetë se problemi me ndërtimin e Teatrit të Tetovës po zgjatë me vite, prandaj, unë kam kërkuar një raport të detajuar. Në bazë të këtij raporti do t’i kemi të qarta pikat problematike gjatë të kaluarës dhe tash” theksoi zëvendësministri i Kulturës, Sedat Suljemani.

Sulejmani disa javë më herët nga vetë aktorët e Tetovës është njoftuar për problemet me të cilat përballen ata, edhe atë, mungesa e sallës për prova, nxehja qendrore dhe shumë tjera. Sipas tij, Qeveria shumë shpejt duhet të jep instruksione për fazën e dytë.

Gjatë takimit që pata në Teatrin e Tetovës dhe në Qendrën për Kulturë, drejtori i këtij institucioni më informoi se faza e parë ka përfunduar. Tani qeveria e ka në proces diskutimi fazën e dytë, që duhet të vendoset bashkë me buxhetin vjetor për vitin 2021, ku do jepen instruksionet për fazën e dytë.

Gjithashtu, takova edhe disa nga aktorët e Teatrit të Tetovës, të cilët më informuan për problemet me të cilat përballen gjatë aktiviteteve për shfaqje, siç është mungesa e sallës për prova dhe problemi me nxehjen qendrore” tha Sulejmani.

Zëvendësministri Sulejmani në takim me aktorët e Tetovës.
Zëvendësministri Sulejmani në takim me aktorët e Tetovës.

Zëvendësministri Sulejmani potencoi se me situatën aktuale me pandeminë Kovid-19, afate të sakta kohore për përfundimin e projektit nuk mund të jep, por sipas parashikimeve të tija, i njëjti duhet të përfundoje në fund të vitit 2023.

Me situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në vend, por edhe në botë dhe efektet e saja në ekonomi nuk mundemi të japim afate të sakta kohore se kur mund të përfundojë ndërtimi, pasi dinamikën e ndërtimit e cakton qeveria sipas buxhetit që do e përcaktojë. Por,  ashtu siç parashihet pritet që në fund të vitit 2023 të jetë gati” shtoi zëvendësministri Sulejmani.

Sipas Sulejmanit, përmbushja e nevojave të aktorëve për veprimtarinë e tyre dhe ofrimi i mundësisë qytetarëve për të pasur një teatër ashtu siç duhet, marrë parasysh edhe faktin se Tetova ka dy universitete, ky projekt është tejet i rëndësishëm.

Kështu duket sot ky teatër:

Teatri i ri në Tetovë.
Teatri i ri në Tetovë.
Teatri i ri në Tetovë.
Teatri i ri në Tetovë.

Premtohet nga viti 2010!

Në pyetjen e Portalb.mk për arsyet e zvarritjes të procedurës për ndërtimin e këtij teatri, zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, nuk deshi të përgjigjet, duke shtuar se pyetja duhet të drejtohet diku tjetër.

“Nuk mund të flasë për të kaluarën se pse janë zvarritur punimet. Mendoj se kjo pyetje duhet t’i parashtrohet dikujt nga e kaluara” tha Sulejmani.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.

Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. 

Kostoja e fazës së parë për ndërtimin e objektit ishte projektuar në 13.5 milion euro ndërsa me fillimin e fazës së dytë dhe shpalljen e tenderit për rregullimin e brendshëm çmimi do të arrijë në 40 milion euro.

Projekti për ndërtimin e kësaj qendre të kulturës multi-funksionale është një prej projekteve kapitale të qeverisë së kaluar, i paraparë për t’u realizuar disa vite më parë. Me ndërtimin e kësaj qendre do të zgjidhet problemi hapësinor për më shumë institucione, si teatri, biblioteka, qendra e kulturës e të tjera, të cilat funksionojnë në një vend prej disa vitesh. Në pritje të realizimit të këtij projekti, aktiviteti kulturor dhe artistik zhvillohet në ambiente provizore dhe në kushte jashtë standardeve, ndërkaq Biblioteka që mban emrin “Koço Racin” mbetet e tepër e vogël, me pak libra dhe me kushte të këqia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button