Zaev këmbëngul në optimizmin e tij: Ekziston mundësi për pajtim me Bullgarinë deri në dhjetor

Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës evropiane, tha kryeministri Zoran Zaev në intervistën e mbrëmshme në TV 21, duke shtuar se vendi do të vazhdojë në rrugën e integrimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk. 

Pas bllokadës nga Bullgaria dhe mos miratimin e vendimit të Këshillit për Punë të Përgjithshme të BE-së, në lidhje me kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ai theksoi se duhet të vazhdojmë të bëjmë përpjekje, në frymën e ndërtimit të miqësisë, dialogut, jo konflikte.

“Për mua është shumë e vështirë, sepse besoj se ajo nuk është dëshirë e popullit bullgar dhe e kryeministrit Borisov. Besoj se ato janë politika në prag të zgjedhjeve, por të japim shans edhe në ditët e ardhshme që vijojnë, sepse ka akoma mundësi”, shtoi Zaev.

Ai tha se Republika e Maqedonisë së Veriut, populli dhe gjuha maqedonase janë fakt i pamohueshëm dhe në Bullgari ata e dinë se BE atë e trajton si vlerë përfitim evropian.

Zaev shprehi bindje se ky veprim i Bullgarisë është vetëm politik, për përfitimin politik para zgjedhjeve, por jo edhe dëshirë e popullit bullgar dhe e kryeministrit Bojko Borisov. Ai është i bindur se ekziston mundësi për pajtim me Bullgarinë deri në dhjetor.

“Tani ka penallti, për zënka sa të dëshironi, por ajo nuk na duhet. na duhet miqësi. Neve na duhen koka të esëllta, lider të matur të cilët me të vërtetë do t’i japin shans dialogut, do t’i japin shans zgjidhjeve dhe ko konflikteve”, theksoi Zaev.

Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE-së që u mbajt dje, nuk u miratua korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut pasi Bullgari vendsoi veto, për shkak të kontestit mes dy vendeve.

Bullgaria kërkon respektimin e formulës për gjuhën nga viti 1999 dhe të konfirmuar me marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë, udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017, tekst shumë të qartë, në të cilin do të theksohet se Maqedonia nuk ka pretendime për pakicën maqedonase në Bullgari. Shteti fqinj kërkon që këto kushte të përfshihen në kornizën negociuese.

Sofja zyrtare kohëve të fundit ka paralajmëruar vazhdimisht Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve.

Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe ë kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Anëtarët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Komisionin e përbashkët për çështjet e historisë dhe arsimit më 15 dhe 16 tetor, realizuan takime në Shkup, por nuk arritën të gjejnë zgjidhje për kontestet mes dy vendeve.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.  Njëra ndër temat më të vështira është qasja ndaj figurës dhe veprës së Goce Dellçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button