Rusia do t’i sigurojë Putinit dhe familjes së tij imunitet të përjetshëm nga hetimet kriminale

Dhoma e ulët e parlamentit rus – Duma ka mbështetur një projekt- ligj që u jep presidentëve rusë imunitet nga hetimet kriminale pasi të jenë larguar nga funksioni i tyre. E njëjta gjë do të  vlejë edhe për familjet e tyre, njofton Portalb.mk.

Ky është një nga amendamentet kushtetuese që u mbështet në referendumin e korrikut, në të cilin gjithashtu u miratuan edhe dy mandate për Vladimir Putinin pasi i përfundote në vitin 2024. Pra, ndryshimet e lejojnë atë të kandidojë për dy mandate të tjera. Putini tani është 68 vjeç dhe pasardhësi i tij nuk duket gjëkundi në Rusi.

Projekt-ligji do të ketë dy lexime të tjera në Duma, pas së cilës ai do të shkojë në Këshillin Federal, pra Dhomën e Lartë të parlamentit, kurse në fund do ta nënshkruaj Presidenti Putin. Përkrahësit e Putinit kanë shumicën në të dy dhomat.

Sipas ligjit të propozuar, Putini dhe familja e tij do të kenë imunitet gjatë gjithë jetës nga çdo hetim policor ose marrje në pyetje dhe pasuria e tyre nuk do të konfiskohet.

Rivali i tij Aleksei Navalny reagoi duke shkruar në Twitter: “Pse Putini ka tani nevojë për një ligj imuniteti? A munden diktatorët të tërhiqen me vullnetin e tyre të lirë?”

Përveç Putinit, ish-presidenti i vetëm rus i gjallë është Dmitry Medvedev. Ligji nuk do të vlejë për Mikhail Gorbachev, sepse ai nuk ishte president rus.

Ligji i ri ndërlikon edhe procesin e heqjes së imunitetit ndaj një ish-Presidenti nëse do të kërkohet nga hetuesit për akuzat e tradhtisë së lartë ose krime të tjera të rënda. Kështu, për t’u hequr imuniteti do të duhet të jepet miratimi nga Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese, ku gjyqtarët e këtyre dy institucioneve emërohen nga Presidenti.

Nëse këto dy gjykata aprovojnë heqjen e imunitetit, dy dhomat e Parlamentit rus duhet të mbështesin mocionin me 2/3 e votave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button