VRASJA E ROKERËVE

Haki Misini është rokeri martir. Ai u vra në ditën e fundit të robërisë pasi ishte rrëmbyer prej forcave ushtarake serbe. Me vete kishte marrë vetëm cigaret. Eshtrat iu gjetën në vitin 2005, në një fshat të Mitrovicës.

Misini ishte vokalisti i rok grupit MAK, i themeluar në vitin 1973. Muzika e këtij grupi ishte ndërthurje e rokut me elementë të folklorit.

Anëtari tjetër i grupit, Mehmet Tupella, ende figuron në listën e të pagjeturve.

Para tyre  ishte vrarë profesori universitar dhe poeti Latif Berisha, autori i poezisë “Tri gota”, që u këndua nga Misini.

“N’livadh të jetës tri gota i gjeta / Dy janë të mbushura, / asht bosh e treta…

Të parën e mora, / në buzë e afrova, / Ish’ idhtë si pelimi mejherë e largova…

Të dytën e mora, me gjuhë pak e preka, / Prej s’ambli më dogj, mejherë e hjeka…

I zbraza të dyjat në të tretën gotë, / U ba idhtë e ambël, si asht vet’ kjo botë…”

Liria nuk mund të vinte pa poetë e rokerë të vrarë; pa ata që besuan se fryma kurdoherë triumfon mbi shpatën dhe lulja triumfon mbi revolverin.

Robëria nuk i kishte harruar artistët – armiqtë më të mëdhenj që kishte.

Atdheu i rokerëve martirë tani është qielli, ku me orkestrën e engjëjve këndojnë për gjethet e verdha, lulen e vyshkur, dashurinë e humbur, syrin e përlotur të vashës, për vashën e rritur që se zë këmisha apo për të mirën te pojata.

Për vrasjen e tyre në tokë askush nuk është dënuar. Drejtësia nuk vonon, ajo është harruar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button