Xhaferi: Do të pres që grupet parlamentare të deklarohen, para se ta vendos në rend dite propozimin për punë online

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi nuk dëshiron të paragjykojë se kur do të mundej Kuvendi të votojë për propozimin e tij për plotësim të Rregullores për punë të Kuvendit, me çka mundësohet deputetët e infektuar me Covid-19 dhe me vendim për izolim për shkak të kontaktit me person të infektuar të mund të kyçen online në punën e Kuvendit dhe trupave punues, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse, siç thotë ai, ka kontakte joformale me deputetët në lidhje me propozimin, do të pret që grupet parlamente edhe formalisht të deklarohen për propozimin dhe më pas do ta vendosë në seancë.

Xhaferi sqaroi se, propozimi ka të bëjë vetëm për deputetët të cilët për shkak të Covid-19, nuk do të mund të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe në komisionit dhe do të jenë në mjekim shtëpiak apo izolim. Deputetët duhet ta dëshmojnë atë me vendim nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor.

VMRO-DPMNE në periudhën e kaluar ishte kundër mbajtjes së seancave online, por grupi parlamentar nuk është deklaruar për këtë mënyrë të funksionimit në distancë gjatë kohës së pandemisë me Covid-19.

Koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, sot tha se akoma nuk e ka parë propozimin dhe për këtë nuk mund të komentojnë.

Xhaferi mbrëmë përmes një komunikate informoi se parashtroi Propozim rregullore për plotësimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, me procedurë të shkurtuar.

“Duke e pasur parasysh gjendjen e sapoformuar të shkaktuar nga Korona virusi KOVID-19, duke u nisur nga funksioni i garantuar me Kushtetutë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut si organ përfaqësues i qytetarëve dhe bartës i pushtetit ligjvënës të Republikës, i cili organizimin dhe funksionimin e vet e rregullon në pajtim me Kushtetutën dhe Rregullore, nevojitet që dispozitat e Rregullores së Kuvendit të harmonizohen me gjendjen e sapoformuar shëndetësore. Ndryshimet e propozuara janë pikërisht në drejtim të arritjes së këtij qëllimi, respektivisht, punës së papenguar të Kuvendit, me mundësimin e punës në largësi, gjegjësisht punës elektronike të deputetëve me prezencë elektronike në seancat e Kuvendit dhe trupave punues, a në të njëjtën kohë mundësimin e realizimit të funksionit përfaqësues”, thuhet në komunikatë.

Deri më tani, dhjetëra deputetë në periudha të ndryshme nuk kanë marrë pjesë në punën e Kuvendit për shkak se janë infektuar me Covid-19 apo kanë pasur kontakt me të infektuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button