Fillimi i negociatave nesër në rend dite në mbledhjen e Këshillit të BE-së, Maqedonia e Veriut në prag të një bllokade të re

Maqedonia e Veriut nesër pret vendimin e shteteve anëtare të BE-së, nëse do të fillojë negociatat për anëtarësim deri në fund të këtij viti. Por, edhe përkrah vendimit pozitiv për fillim të negociatave nga ana e Këshillit të BE-së që u soll në mars të këtij viti, miratimi i kornizës negociuese mbetet akoma i pasigurt, për shkak të kontestit me Bullgarinë. Nesër do të bëhet e qartë nëse Maqedonia e Veriut do të hyj në një bllokadë të re të eurointegrimeve, pas vetos së paralajmëruar nga ana e Bullgarisë, për shkak të kontesteve historike, shkruan Portalb.mk.

Në ndërkohë, krerët shtetëror të Maqedonisë së Veriut, kohëve të fundit kanë filluar të përgatisin opinioni për bllokadë të mundshme dhe mos miratim të kornizës negociuese.

Presidenti, Stevo Pendarovski, para një jave, deklaroi se, momentalisht nuk mund të shpreh optimizëm para opinionin në lidhje me këtë çështje.

Stevo Pendarovski
Stevo Pendarovski

“Nuk mundem që në këtë moment t’i jap sasi optimizmi gjithë opinionit maqedonas në lidhje me këtë çështje. Zaev e thotë këtë për herë të dytë dhe para dhjetë ditëve paralajmëroi se është e mundur të ndodhë kjo. Unë ditëve të fundit kam pasur bisedime edhe me presidentin gjerman edhe me presidentin bullgar, nga e gjithë ajo që unë e mbledh si informacion edhe nga misioni ynë në Bruksel edhe nga miqtë tanë që nuk janë pak në Bashkimin Evropian, është se Bullgaria në këtë moment vepron si të jetë e vendosur të vendos bllokadë në rrugën tonë drejt BE-së”, deklaroi Pendarovski.

Edhe kryeministri, Zoran Zaev, deklaroi dje se çdo ditë e më shumë është e pritshme se Bullgaria do ta bllokojë Maqedonine e Veriut dhe nuk do t’i fillojë negociatat me Bashkimin Evropian edhe përkrah vendimit pozitiv. Ai tha se është kryesisht e pritshme që Bullgaria do ta bllokojë Maqedoninë e Veriut, në mbledhjen e nesërme në të Këshillit të BE-së. Por ai thotë se nuk e humb asnjëherë shpresën.

Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut

“Unë jam i gatshëm dhe kam përgatitur qytetarët e Maqedonisë së Veriut për bllokadë eventuale dhe për veto eventuale. Dhe ajo është kryesisht e pritshme. Nëse thoni në përqindje sa, më shumë në përqindje është që të marrin përgjigje pozitive. Por, megjithatë asnjëherë nuk e humbi shpresën sepse përgjegjësia është e madhe te politikanët. Edhe pse, Këshilli për Punë të Përgjithshme është më 17 nëntor, kemi thënë se deri në dhjetor ka kohë, deri në fund të dhjetorit është e mundur mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha Zaev.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, thotë se përderisa ka hapësirë, ka edhe mundësi që të bisedohet dhe të reflektohet përafrimi i qëndrimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Por, ai tha se vendimi do të sillet të martën në Këshillin e ministrave të BE-së.

Bujar Osmani

“Politika jonë është se do të punojmë deri në momentin e fundit nga ky tentim për sjelljen e vendimit në Këshillin për Punë të Përgjithshme, por edhe për këshillat e tjera. Ne nuk kemi alternative nga agjenda evropiane. Nuk mund të them se si do të jetë rezultate. Është e dukshme se në Republikën e Bullgarisë flimet më zëshëm për mospranimin e kornizës nga pala e tyre, por ne do të vazhdojmë të punojmë, të bisedojmë jo vetëm me Republikën e Bullgarisë, por me të gjitha shtetet anëtare, sepse nuk kemi alternativë tjetër nga rruga evropiane”, theksoi Osmani.

Nga ana tjetër, pala bullgare ka vazhduar të dërgojë porosi se nuk do të lëshojë pe në lidhje me këtë çështje. Kryediplomatja bullgare, Ekaterina Zaharieva, deklaroi dje për një TV bullgar se, nuk besojnë se momentalisht vendi është i gatshëm t’i përmbush kushtet për fillim të nengociatave dhe kjo sipas saj, do të thotë se ata thonë “jo” për fillimin e negociatave dhe jo për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Sipas saj Shkupi nuk e zbaton Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë dhe vazhdon me urrejtje drejt Sofjes, për çka, siç tha ajo, nuk ka mënyrë se si Bullgaria të thotë “po” në këtë fazë.

“Askush nuk e konteston të drejtën e tyre për vet përcaktim dhe ta quajnë gjuhën e tyre ashtu siç dëshirojnë, por nuk pajtohemi që ajo e drejt e vet përcaktimit të bazohet në urrejtje, vjedhje të historisë dhe mohim të Bullgarisë dhe gjuhës bullgare. Siç ka nisur, ata do të fillojnë të mohojnë ekzistimin e kombit bullgar”, deklaroi Zaharieva.

Gjermania, e cila aktualisht është kryesuese me BE-në, ka vazhduar të ofrojë mbështetje për fillimin e negociatave, duke e vendosur këtë edhe si një ndër prioritetet e kryesimit të saj. Megjithatë, në lidhje me konstestin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ministri i Jashtëm gjerman Hajko Mas ka porositur se kontesti duhet të zgjidhet në mënyrë bilaterale midis dy vendeve. Ndërkohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë samitit të Sofjes që u zhvillua javën e kaluar, porositi dy kryeministrat, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov se duhet të pajtohen.

“Procesi i Berlinit çdoherë është i lidhur edhe me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe trashëgiminë e të kaluarës dhe shpresoj se ky proces do të vazhdojë. Për rajonin ajo që duhet ta them, duhet të pajtoheni, mos harroni, sepse ajo është shumë e rëndësishme”, porositi Merkel.

Nga ana tjetër, presidenti francez, Emanuel Macron, në fjalimin e tij gjatë këtij samiti, tha se presin që vendet e Ballkanit Perëndimor të dëshmojnë angazhim në tri fusha. Sipas tij, e para, e një rëndësie thelbësore për vendet e Ballkanit Perëndimor është të forcojnë bashkëpunimin e tyre, të përshpejtojnë reformat strukturore me një theks në reformat themelore të tilla si sundimi i ligjit dhe qeverisja ekonomike si dhe së së treti, e kemi të nevojshme, u shpreh Maceon, mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të na ndihmojnë në luftimin më mirë të terrorizmit.

Këshilli i BE-së në mars të këtij vitij solli vendim pozitiv për hapje të negociatave qasëse për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në korrik,Komisioni Evropian , propozoi një draft kornizë negociuese, e cila duhet të miratohet me konsensus të 27 vendeve anëtare, në mënyrë që dy vendet të mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, e cila nënkupton edhe fillimin formal të negociatave.

Por,  Bullgaria e bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në, duke kërkuar që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgaree dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.Dy palët, kanë zhvilluar së fundmi edhe një takim në Berlin, me ftesë të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Hajko Mas. DW në një artikull të publikuar një ditë pas këtij takimi, shkruante se, palët arritën një marrëveshje për kapërcimin e bllokadës së paralajmëruar në BE, por Sofja më vonë u tërhoq nga marrëveshja.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button