E-RELIGJIONI (1)

“Post, pray and like”

  1. Grozny

Feja është një fenomen shoqëror që gjendet në çdo shoqëri njerëzore, që i kapërcen veçanësitë e kushteve shoqërore, që plotëson shumë nevoja të njeriut, të cilat s’mund t’ia plotësojë asnjë institucion tjetër shoqëror. Shoqërues i njeriut që nga homo primigenius (njeriu i parë), fakt ky që i ka shtyrë disa të pohojnë se njeriu është pashërueshëm fetar, se shoqëria asnjëherë s’mund të abstragohet nga feja, se pohimet që feja është „fëmija i padijes“, „opium për masat“, „diell iluzor“ janë të pabaza. Eliade shton se „vetë të jetuarit si njeri është veprimtari fetare“. Fjala fe në gjuhën shqipe njëjtësohet me religjionin që rrjedh nga fjala latine religare që do të thotë (ri)lidhje, mbledhje dhe religere, që ka kuptimin e mbledhjes së vetes me respekt, të mosindiferencës dhe kryerjes së detyrave ndaj Zotit. Feja është strukturë shumëdimensionale, me një histori të vjetër sa ajo e njerëzimit, një ndër problematikat më të rëndësishme të jetës së njeriut. Ajo përfaqëson besimin në Zotin si vetidentitet i kuptimtë, që lind me vetëdijen e njeriut dhe zhvillohet bashkë me të.

Zuckerman-i thotë se feja është përbërësi kryesor i brumit socio-kulturor. Ajo është e domosdoshme për shëndetin e individit dhe të shoqërisë. A.N. Whitehead thotë se „feja paraqet sistem të të vërtetave të përgjithshme, të cilat kur pranohen me dashuri dhe vullnet të madh dhe kur zbatohen sinqerisht, kanë si rezultat ndryshimin e karakterit“. Stabilitetin, rendin dhe moralin shoqëria i siguron përmes fesë. Sipas Geertz-it, feja përveç që i jep kuptim jetës, ajo siguron edhe stabilitetin shoqëror, duke i shërbyer individit, i shërben edhe shoqërisë. Të gjitha fetë kanë dy dimensione: atë objektiv, aspekti i dukshëm i saj ku bëjnë pjesë adhurimet, ritualet, ceremonialet etj., dhe dimensionin subjektiv, që ndërlidhet me spektrin mistik të fesë. Sociologjia merret me dimensionin objektiv të fesë. Feja është element që i bashkon njerëzit rreth të shenjtës, është vetëdije kolektive, është „shtrat“ i moralit, i disiplinës jetike, burim frymëzimi i jetës (veneratio vitae), siç shprehet Albert Schweitzer, faktor ndikues në ndërtimin e kulturës dhe identitetit indiviual dhe kolektiv, në rregullimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore. Feja, sipas Shushnjiq-it e plotëson hapësirën që shkenca e lë të zbrazët, jep një vlerësim vlerësor të fakteve, është polidimensionale. Joachim Wach, sociolog me famë i religjionit, thekson rolin konstruktiv dhe unifikues të fesë; ky institucion ka tri forma të shprehjes: teorike (doktrina), praktike (adhurimet) dhe sociologjike. Glock dhe Stark flasin për pesë dimensione të religjionit: ideologjik, adhurimor, empirik, intelektual dhe i aksionit.

Përveç formës së vet klasike, në epokën e postmodernes dhe të teknologjive informatike feja përcillet dhe shfaqet edhe në një formë të re, në atë elektronike, e mbiquajtur edhe si e-feja, “feja kibernetike”, “feja digjitale”. Në vitet 1990 shprehja “cyber-religion” ka qenë një term që përshkruante lidhjen mes fesë dhe teknologjive të realitetit virtual. Ky lloj fetarie ka sugjeruar forma të reja të komunitetit dhe të riteve fetare, një aleancë të re mes teknologjive kompjuterike dhe fesë në kohën kur njerëzit eksperimentonin me kalimin e fetarisë së tyre në hapësirën kibernetike (Bauwens, 1996)

Ky lloj i ri i fetarisë ka të bëjë edhe me grupet fetare që adhurimin e kanë kaluar në platformën online. Në dekadën e parë të shekullit XXI lidhur me këtë feomen nisi të përdoret termi “digital religion” që është studiuar brenda zhvillimeve të fesë në Web 2.0, për të shënuar dallimin mes “religjionit online” (praktika fetare e lehtësuar nga digjitalja) dhe “online religjionit” (praktikë fetare që shndërrohet dhe ofron forma të reja të fetarisë në platformën digjitale). (Christopher, 2001) Feja digjitale ka të bëjë me gjendjen e fesë në relacion me artifaktet digjitale (Campbell, 2013: 1). Ajo nuk ka të bëjë vetëm me “religjionin” në mediat digjitale, por edhe me ndërthurjen e të gjithë përbërësve shoqërorë dhe kulturorë që kanë ngjyrime fetare me elementet e shoqërisë digjitale. (Helland, 2016) Dy teori janë zhvilluar lidhur me fenë dhe kulturën digjitale. Campbell ka prodhuar sintagmën “feja e rrjetëzuar” (networked religion), kurse Hoover dhe Echchaibi konceptin e “hapësirave të treta të fesë digjitale” (third spaces of digital religion). (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button