ANALIZË: Detaje të buxhetit për vitin 2021 – më shumë para nga tatimet, janë planifikuara edhe zgjedhjet lokale!

Vitin e ardhshëm do të shpenzohet buxheti më i madh në vlerë prej 4 miliardë e 25 milion euro. Të ardhurat parashikohen në nivelin prej 3 miliard e 457 milion euro, me një deficit buxhetor prej 568 milion euro. Konturat e buxhetit të ri janë vendosur si kornizë e një skenari optimist – qetësim i krizës shëndetësore në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, që duhet të sjellë rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e PBB-së prej 4.1%, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Pritjet për vitin 2021 – inflacion i moderuar, rritje e punësimit

Rritja e eksportit dhe importit, investimet në shkallën pozitive, zvogëlim i papunësisë, inflacion i moderuar – hartuesit e politikave ekonomike në buxhetin e ri për 2021 kanë futur projeksione ambicioze për vitin e ardhshëm buxhetor – duke supozuar se kriza shëndetësore do të kalojë.

“Rritja reale e investimeve bruto është parashikuar në 7.7%, me një ndikim të rëndësishëm në investimet që pritet të kenë kthimi i besimit të subjekteve të biznesit, investimet e planifikuara në sektorin publik, rritja e mbështetjes për zhvillimin e sektorit privat, inovacionet dhe forcimin i konkurrencës, si dhe intensifikimi i investimeve të huaja” – thuhet në buxhetin e vitit 2021.

Edhe parametrat e tjerë që e përcaktojnë rritjen ekonomike kanë parashenjë pozitive, kështu që eksporti pritet të rritet për 14%, ndërsa importi për 13.2%.

Gjithashtu parashikohet edhe rënia e papunësisë, e cila tani është në rritje pas disa viteve të rënies.

“Sipas skenarit bazë, në vitin 2021 pritet të rritet numri i të punësuarve për 1.9%, që do të rezultojë me ulje të mëtejshme të shkallës së papunësisë në vitin e ardhshëm” – parashikon qeveria.

Të ardhurat e buxhetit do të rriten – do të shiten banesat shtetërore dhe toka bujqësore shtetërore 

Sa i përket të ardhurave, të cilat krahasuar me këtë vit janë rritur për 8.3%, pritet rritje për të gjitha bazat – të ardhurat nga tatimet, të ardhurat jo-tatimore, kontributet, të ardhurat kapitale.

Interesante është projeksioni për gati dyfishimin e “të ardhurave kapitale” në krahasim me këtë vit Qeveria njoftoi se vitin e ardhshëm si burim për financimin e “vrimës” në arkën e buxhetit do të jetë shitja e ndërmarrjeve shtetërore – humbëse, por edhe shitja e tokës bujqësore shtetërore. Pikërisht këto burime janë shënuar në buxhetin e vitit 2021:

“Në buxhet janë planifikuar 3.2 miliardë denarë si të ardhura kapitale në bazë të shitjes së tokës bujqësore dhe banesave shtetërore, si dhe në bazë të dividendës së planifikuar nga Sh.A. “Makedonski Telekom”.

Te të ardhurat tatimore të hyrat më të mëdha në vlerë prej 1.3 miliardë euro priten në bazë të TVSH-së, ndërsa zëri më i madh i të ardhurave do të jenë kontributet për sigurim social – në vlerë prej 1.1 miliardë euro.

Shpenzimet do të ulen në krahasim me këtë vit…

“Qetësimi i krizës së Kovid-19 duhet t’i zvogëlojë ndjeshëm shpenzimet qeveritare përmes zërit “subvencione dhe transfere” prej ku financohen shumica e masave për të ndihmuar ekonominë. Vitin e ardhshëm, shpenzimet përmes këtij zëri në krahasim me këtë vit pothuajse janë përgjysmuar dhe do të arrijnë në 332 milion euro.

Rritja më e madhe e shpenzimeve krahasuar me këtë vit është në zërin për mallrat dhe shërbimet, që, ndër të tjera, shpjegohet edhe me zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2021. Shuma më e madhe e parave të buxhetit do të vazhdojë të rrjedhë për transferimet sociale. Rritje të shpenzimeve ka edhe te zëri për rrogat dhe kompensimet.

“Shpenzimet për mallra dhe shërbime janë parashikuar në nivelin prej 21,3 miliardë denarë, që do të sigurojë pagesën e rregullt dhe të pandërprerë të detyrimeve të shfrytëzuesve të buxhetit duke i minimizuar të gjitha shpenzimet më pak produktive nga buxheti, duke siguruar fonde për kujdesin shëndetësor të popullsisë, mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe regjistrimin e popullsisë në vitin 2021, si dhe përmbushjen e standardeve të NATO-s”- thuhet në dokumentin e buxhetit.

Për pagesën e pensioneve nga buxheti vitin e ardhshëm do të shpenzohen 1 miliardë euro, të cilat janë pjesë e zërit më të madh për transferime sociale. Krahasuar me këtë vit, planifikohet një rritje e madhe prej 20% në investimet kapitale, e kështu thuhet:

“Investimet kapitale janë planifikuar në nivelin prej rreth 23 miliardë denarë (374.000.000 euro) ose për 20% më shumë se plani për vitin 2020, me ç’rast për financimin e investimeve është planifikuar të sigurohen fonde nga disa burime, edhe atë: mjetet buxhetore, fondet IPA dhe kreditë ”

Buxheti i vitit të ardhshëm është projektuar duke u bazuar në një skenar optimist.

“Zgjatja e mëtejshme e infeksionit të koronavirusit, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, mund të rezultojë në ashpërsimin e masave kufizuese, pasoja mbi zinxhirët globalë të furnizimit dhe kërkesën e jashtme, përkeqësimin e pritjeve të bizneseve dhe të familjeve, uljen e të ardhurave nga investimet dhe remitencat nga vendet e jashtme dhe rrjedhimisht pasoja negative mbi aktivitetin e përgjithshëm ekonomik të brendshëm ”- thuhet në buxhet.

Më shumë para për të shpenzuar vitin e ardhshëm do të ketë Kuvendi, Kryetari i shtetit, Ministria e Sistemit Politik, e Mbrojtjes, e Punëve të Brendshme, e Financave, e Punëve të Jashtme, DHP-ja, e Ministrisë së Mjedisit Jetësor, e Transportit dhe Lidhjeve, e Punës dhe Politikës Sociale, MASH-i, e Ministrisë së Shëndetësisë…

Më pak para janë planifikuar për Agjencinë e Zbulimit, Qeverinë, KSHZ-në, Ministrinë e Ekonomisë, Inspektoratin Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm, Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Agjencinë e Emigracionit…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button