Arsihana: Luftoni fort për atë që doni dhe gjithmonë kini besim në intuitën tuaj!

 Kësaj here e intervistuar nga Portalb ishte Arsihana Luçi, një këngëtare, piktore mbi të gjitha dhe një arkitekte. Mesazhi Arsihanës ishte të luftosh fort për atë që e do dhe gjithmonë të kesh besim në intuitën tënde. Sa i përket muzikës ajo me zërin e saj të bukur ka arritur të marrë pjesë në festivale të ndryshme madje duke fituar dhe çmime, njëherit edhe si fituese e festivalit në Prishtinë. Nga ana tjetër pasioni i saj për artin dhe arkitekturën nuk anashkalohet. Për momentin ajo ndjek studimet e arkitekturës ndërsa aftësinë e saj të pikturimit e shfaq në një mënyrë shumë interesante. Për këto dhe shumë të tjera tregon Arsihana në intervistën e saj për Portalb.

Arsihana përmes kësaj videoje ju fton të ndiqni intervistën e saj.

 

Arsihana Luçi

Kush është Arsihana për krejt ata që se njohin?
Atëherë, Arsihana është një vajzë, një motër, apo një studente, e cila thjesht preferon që të investojë pjesën më të madhe të energjisë së saj, në gjërat që e kënaqin atë, ajo vëndon gjithçka në ekuilibër dhe preferon që ti bëjë gjërat të rregullta dhe të këndshme estetikisht. Pra, unë jam studente e vitit të parë në drejtimin e arkitekturës, pranë universitetit të “Shën Kirilit dhe Metodit” – Shkup, aktualisht merrem dhe me këndim, ndërsa kohën time të mbetur e shfrytëzoj në gjithçka që më lidh mua me artin. Duke filluar nga pikturat, e deri te pastiçeria (dekorimi i ëmbëlsirave, apo pikturimi mbi to etj etj). Gjitha këto që ceka nga pak e rrumbullaksojnë Arsihanën si një qenie.

 

 

Fituese e festivalit “Albanian Star”

Ju keni qenë pjesë e një festivali të quajtur “Albanian Star” ku edhe u zgjodhët fituese, çfarë experience  ka qenë kjo për ju dhe çfarë ndjenje?
Po, është e vërtetë që jam zgjedhur fituese në një edicion që fillimisht është mbajtur në Prishtinë, pastaj disa faza kanë qenë në Durrës, ndërsa finalja u mbajt në Gjilan. Atëherë, eksperiencën time gjatë këtij edicioni, nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë, për arsye se fjalët gjithmonë̈ janë të pakta kur vjen në shprehje dashuria që ti ke për një pasion dhe vjen një moment ku ta vlerëson publiku, ta vlerëson juria, njerëz shumë më profesionistë se ti, e kështu me rradhë.. Përveç këtyre më vjen mirë që kam njohur njerëz të ri, kam fituar eksperiencë të re edhe pse në fund të fundit kam marrë vetëm emrin ‘Fituese’ dhe asnjë çmim tjetër, këtë e kam cekur edhe në një postin më parë.. sidoqoftë këto gjëra nuk është se më kanë bërë ndonjë pengesë diçka në rrugëtimin tim më tej, un e kam thënë që përkundrazi më kanë shtyrë edhe më shumë që të vazhdoj e mos të ndalem dhe jam ende në këtë qëndrim!

 

 

Arsihana Luçi

Përveç festivalit “Albanian Star” a keni marrë pjesë edhe në festivale të tjera?
Po, kamë qenë pjesëmarrëse në festivalin ‘Boom-Fest’ që është̈ mbajtur në vitin 2018 në Shkup, ku kam performuar këngën time të parë ‘Unë, ti apo nata?’ e kompozuar nga Artan Kastrati dhe teksti nga Avni Qaili. Pastaj në një festival internacional në Bullgari ‘Нова музика’ 2019, ku jam vlerësuar me çmimin ‘Performanca e shkëlqyer’. Pastaj edhe në festivalin e këngës popullore shqipe ‘Lyra’ 2019 që u mbajt në Shkup.

 

 

 

Arkitekturë e Arsihana Luçit

Ju jeni një këngëtare me një zë mjaft të bukur ndërsa studioni arkitekturë, diçka krejtësisht ndryshe prej muzikës, pse?
Kjo pyetje mjaft e shpeshtë dhe shumë interesante, mirëpo do të ndalem pak më shumë me sqarime në këtë pjesë! Në fakt unë personalisht nuk mendoj që janë krejtësisht ndryshe nga njëra tjetra sepse të paktën kanë një gjë të përbashkët që është arti.. në thelb arti është dialogu i artistit me audiencën. Gjë që don të thotë baza e arkitekturës mund të gjurmohet në vizionin e projektuesit dhe llojin e nevojës, mirëpo nga ana tjetër edhe baza e muzikës mbështetet në vizionin e muzikantit, kompozitorit dhe llojit të audiencës. Pastaj fjala arkitekturë është po aq e përgjithshme sa fjala muzikë. Ne e quajmë atë muzikë, por ka nënkategori brenda muzikës. Llojet e muzikës mund të jenë klasike, qytetare apo edhe diçka specifike si hardcore etj.. Ashtu si muzika, këtu ka një milion nënkultura të vogla brenda arkitekturës. Këto mund të jenë: qëndrueshmëria, dizajnimi i spitalit, ambiente të brendshme, shtëpi të vogla, hidroizolim dhe lista mund të vazhdojë përgjithmonë… Po pra, janë pikërisht ngjajshmëritë mes këtyre dyjave, arsyeja që unë kam zgjedhur arkitekturën si profesion, ndërsa jo dallimet!  Ndërsa muzikën do ta mbaj si pasion, absolutisht!

 

Tortat e pikturuara nga Arsihana

Përveç studimeve të arkitekturës dhe muzikës ju merreni edhe me diçka tjetër, na trego pak për atë?
Po, përveç studimeve dhe këndimit, unë kohën time të lirë e shfrytëzoj duke punuar pranë biznesit personal të motrës sime ‘Isra’s Sweetland‘. Nuk është që jam edhe aq e mirë në kuzhinë, mirëpo të paktën ëmbëlsira di të bëj hahaha. Më shumë më pëlqen pjesa dekorative e ëmbëlsirave, ku së fundmi kam filluar të pikturoj portrete, apo vizatime të ndryshme mbi to.

 

 

 

Arsihana Luçi

Një mesazh motivues nga ju për rininë?
‘Kurrë mos kini nevojë për dikë që s’ka nevojë për ju, punoni, studioni, luftoni fort për atë që doni dhe gjithmonë kini besim në intuitën tuaj!’

 

 

 

E për ju ndjekësit e Portalb, këngëtarja Arsihana ka kënduar shumë bukur disa vargje. Ndiqeni videon më poshtë dhe relaksohuni me zërin e saj të bukur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button