Jeta normale do të kthehet në dimrin e ardhshëm, tha shkencëtari i cili krijoi vaksinën për Kovid-19

Ndikimi i vaksinës së re për Kovid-19 do të ndihet ndjeshëm gjatë verës, ndërsa jeta duhet të kthehet në normale deri në dimrin e ardhshëm, tha një nga shkencëtarët që e krijuan vaksinën, prof. Ugur Sahin.
Sahin, bashkëthemelues i BioNTek, tha se ky dimër do të ishte akoma i vështirë sepse vaksina nuk do të kishte ndikim të madh mbi numrin e infektimeve, shkruan BBC.

Javën e kaluar, BioNTek, që po e zhvillon vaksinën me “Pfizer”, deklaruan se analiza paraprake ka treguar që vaksina e tyre mund të parandalojë më shumë se 90% të njerëzve të marrin Kovid-19. Vaksina është testuar në rreth 43.000 njerëz.

Në një intervistë për BBC, profesori Sahin tha se ishte i bindur që vaksina do të zvogëlojë përhapjen e virusit midis njerëzve dhe do të ndërprejë zhvillimin e simptomave tek ata që e kanë marrë vaksinën. Është e mundur, tha ai, që vaksina të përgjysmojë transmetimin e virusit, gjë që do të kishte një ndikim të madh.

“Unë jam shumë i bindur se transmetimi ndërmjet njerëzve do të reduktohet nga një vaksinë kaq e efektshme – ndoshta jo 90%, por ndoshta 50% – por nuk duhet të harrojmë se edhe kjo mund të rezultojë me ulje dramatike të përhapjes së pandemisë”, tha Sahin.

Nëse gjithçka shkon mirë, tha ai, vaksina do të fillojë distribuohet “në fund të këtij viti, në fillim të vitit të ardhshëm”.

“Qëllimi është që të shpërndahen më shumë se 300 milionë doza në të gjithë botën deri në prillin e ardhshëm, tha ai, por kjo mund të sigurojë vetëm një ndikim fillestar.” tha ai.

Ai tha se më shumë ndikim do të ndodhte më vonë, duke shtuar se “vera do të na ndihmojë sepse shkalla e infeksionit do të ulet gjatë verës, dhe ajo që është absolutisht thelbësore është që të bëhet një normë e lartë vaksinimi deri ose para vjeshtës/dimrit vitin e ardhshëm”.

Prof. Sahin tha se është e rëndësishme që të gjitha programet për imunizim të përfundojnë para vjeshtës së ardhshme.

BioNTech dhe partneri amerikan Pfizer njoftuan dy ditë më parë se vaksina e tyre eksperimentale ka siguruar 90 përqind mbrojtje kundër kovid-19, sipas të dhënave të hershme nga faza e tretë e testimit. Ajo është një nga 11 vaksinat në botë që janë në fazat e fundit të testimit dhe bota nuk ka parë kurrë një zhvillim kaq të shpejtë të një vaksine, e cila zakonisht zgjat shtatë deri në tetë vjet.

Sahin dhe bashkëshortja e tij që ndihmoi në zhvillimin e vaksinës Ozlem Tureçi e quajtën projektin e tyre “shpejtësia e dritës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button