fbpx

Diplomacia ekonomike në kohë të pandemisë dhe nepotizmit!

Për diplomacinë ekonomike kemi lexuar më tepër në literaturën perëndimore, sidomos pas hapjes së ekonomisë kineze në vitet e 70-ta, gjatë Luftës së Ftohtë, e kufizuar e njëjta në ekonomitë e centralizuara, ndërsa më shumë nga qeveritë dhe ministritë e punëve të jashtme, kryesisht nga sektorët ekonomik dhe të diplomacisë publike të Hemisferës Veri-Perëndimore, ku demokracia liberale kishte trimfuar dhe rendi ndërkombëtar ekonomiko-financiar ishte krijuar nga vendimet në Bretton Woods, të vitit 1944.

Këshilltarët ekonomikë të sektorëve të ambasadave perëndimore e kanë pasur për detyrë të promovojnë ekonomitë kombëtare dhe të gjejnë mundësitë për investime. Të njëjtën e bënin edhe specialistët ekonomikë të ambasadave të Bllokut të Varshavës dhe Shteteve të Painkuadruara. Kjo praktikë është bërë aktuale dekadave të fundit, përshkak të hapjes së ekonomive të centralizuara ndaj botës perëndimore.

Diplomacinë ekonomike e gjejmë edhe më herët në politikat e jashtme të shteteve perëndimore në fushatat e tyre diplomatike në pjesët e botës ku ata e mbanin statusin e kolonizatorit dhe më vonë po të njëjtat shërbenin si mjete për ekonomitë e shteteve kapitaliste. Në parim, diplomacia ekonomike është krijuar për të ndikuar në politikat dhe vendimet rregullatore të qeverive të huaja, si dhe ato të organizatave ndërkombëtare. Shtetet e vogla dhe në tranzicion shpeshherë diplomacinë ekonomike e keqkuptojnë duke e vënë në funksion të partisë në pushtet. Në disa raste, diplomacia ekonomike ka një mision tjetër në zgjidhjen e konflikteve tregtare, ideologjike, politike në mes shteteve, por tek ne në Ballkan një praktikë e tillë vështirë se gjen vend.

Marrëveshjet tregtare, ekonomike dhe investimat e drejtpërdrejta, janë një ndër tre shtyllat e diplomacisë ekonomike në termat e sigurisë shtetërore. “Diplomacia e ‘shkopit të madh’”, “Diplomacia e dollarit” dhe “Diplomacia morale”, në marrëdhëniet ndërkombëtare njihen si praktika të shteteve të fuqishme që i përdorin në kuadër të diplomacisë ekonomike shtrënguese ndaj shteteve. Këto politika ekonomike afatgjata të shteteve të fuqishme i gjejmë në SHBA, nga ku edhe burojnë konceptet e diplomacisë ekonomike. Sëkëndjemi, ditë më parë ministri i Jashtëm i MV-së Bujar Osmani, e promovoi një koncept të tillë që sipas qeverisë së MV-së përfshin aktivitete që forcojnë pozicionin e vendit si një partner i besueshëm biznesi dhe destinacioni.

Diplomacia ekonomike sipas qeverisë ka në fokus që Maqedonia Veriore të paraqitet si një destinacion tërheqës për investime të huaja përmes promovimit të përparësive të të bërit biznes me jashtë e që lidhet me disa aktivitete që nxisin eksportin e produkteve maqedonase, aktivitete që promovojnë vendin si një destinacion tërheqës turistik me qëllim të rritjes së numrit të turistëve që vizitojnë vendin, aktivitetet në lidhje me infrastrukturën dhe lidhjen energjetike të vendit në nivelin rajonal dhe global.

Në kuadër të MPJ-së janë disa sektorë ku diplomacia ekonomike duhet të planifikohet dhe zbatohet. Në të janë: Drejtoria për Diplomaci Ekonomike dhe Publike që miraton plane dhe raporte vjetore të punës; planifikon, organizon, koordinon dhe zbaton aktivitetet në lidhje me diplomacinë ekonomike, diplomacinë publike, bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar, si dhe çështjet në lidhje me situatën dhe bashkëpunimin me diasporën maqedonase, thuhet në ueb njoftimin e MPJ-së. Sektori për Diplomaci Ekonomike është njësi e veçantë në MPJ-së, pasi përgatit planet dhe raportet vjetore të punës; kryen dhe koordinon aktivitetet dhe detyrat në lidhje me promovimin dhe mbështetjen e interesit ekonomik të MV-së jashtë vendit; merr pjesë në përgatitjen e strategjive ekonomike që kompanitë vendase të paraqiten në tregjet e treta dhe të tërheqin investime të huaja.

Ministri Osmani në paraqitjen e tij tha se “është koha që t’i përkushtohemi ekonomisë. Diplomacia ekonomike është pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme të vendit, që vlerësojmë se duhet të revitalizohet, të përforcohet dhe të ngrihet si një nga prioritetet kryesore të vendit. Në këtë drejtim, këshilltarë ekonomik do të dërgohen në ato vende ku ka potencial real për rritje të bashkëpunimit ekonomik. Detyra e tyre do të jetë prezantimi i interesave ekonomike në vend dhe rajon, në përfshirjen dhe ndërtimin gradual të një brendi të ri të njohur në sytë e opinionit ndërkombëtar, e para së gjithash të komunitetit të biznesit”.

Për nga përmbajtja, kjo është në rregull, duhet përgëzuar për nismën dhe qasjen, mirëpo, Maqedonia e Veriut ka shumë pak kapacitete ekonomike për të zhvilluar diplomaci agresive ekonomike, përshkak të rritjes së ultë ekonomike, praktikave ligjore, nepotizmit, korrupsionit, labirintheve qeveritare dhe shumë pengesave tjera që një diplomaci ekonomike duhet t’ua garantojë invesitorëve të huaj.

Maqedonia e Veriut dhe shtetet e rajonit kanë çfarë tu ofrojnë të huajve në fushën e investimeve, por siç përmendëm më lartë, janë problemet tjera të trashiguara prej një qeverie në tjetrën qeveri e që pamundëson diplomacinë ekonomike të jetë e efektshme në misionin e saj. Mund të jetë një diplomaci ekonomike e prodhimit të broshurave dhe të harxhohen miliona denarë kinse në promovimin e investimeve, por, nëse brenda shtetit investorët e huaj do të hasin në ngatëresa dhe që kanë hasur në të kaluarën, atëherë diplomacia ekonomike nuk do të ketë sukses, sa që edhe mund të keqpërdoret nga drejtoritë dhe këshillarët e MPJ-së.

MPJ-së në këtë fushë do t’i duhet më shumë punë dhe angazhim për të zhvilluar një diplomaci ekonomike të sukseshme jashtë vendit. Ndërsa për sa u përket investimeve të deritanishme në Maqedoninë e Veriut, tashmë dihet se çka u investua gjatë diplomacisë ekonomike të kohës së ish kryeministrit N. Gruevski. Të njëjtat praktika nuk duhet të përsëriten tani dhe punën e parë që duhet ta bëjë qeveria, është të bëjë pastrimin e kornizës ligjore të investimeve të jashtme dhe të përmirësojë klimën e besueshmërisë për investitorët e huaj. Në kohën e pandemisë globale, vështirë se gjendja do të ndryshojë dhe as më pak kur dihet se në Maqedoninë e Veriut dhe në WB-6, kemi një nivel të lartë të ndikimeve qeveritare, politike dhe klanore në fushën e investimeve. Në fund, për nga aspekti teorik i diplomacisë dhe politikës së jashtme, tema e hapjes së diplomacisë ekonomike ja vlen të debatohet dhe të bëhen përgatitje për të ardhmen. Për lexuesit tanë, do të japim disa detaje të rëndësishme informative se diplomacia ekonomike është një temë kryesore e marrëdhënieve të jashtme praktikisht të të gjitha shteteve. Ministritë e Ekonomisë, organet e promovimit të tregtisë dhe investimeve, dhomat e tregtisë dhe natyrisht ministritë e jashtme, janë të gjithë pjesëmarrës në punën ekonomike dhe promovimin e kapaciteteve investuese të një vendi.

Trendet aktuale përfshijnë rritjen e bashkëpunimit midis agjencive shtetërore dhe jozyrtare, negocimin e tregtisë së lirë dhe marrëveshjeve preferenciale të tregtisë, dhe marrëveshjet që mbulojnë investimet, shmangien e taksimit të dyfishtë, shërbimet financiare dhe të ngjashme. Jashtë shtetit, ambasadat, konsulatat dhe zyrat tregtare merren me diplomacinë ekonomike. Fokusi kryesor është në promovim, për të tërhequr biznesin e huaj, investimet, teknologjinë dhe turistët. Diplomacia ekonomike lidhet ngushtë me segmentet politike, publike dhe segmente të tjera të veprimtarisë diplomatike. Kohë më parë qeveria e SHBA-së hapi zyrën financiare për investime strategjike në Beograd, Korporatën Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit (IDFC) e cila gjithashtu ka rolin strategjik të diplomacisë ekonomike amerikane. Për më shumë rreth diplomacisë ekonomike, metodave, dhe teknikave diplomatike, lexuesit mund ta konsultojnë botimin e Dr. Stanko Nick, “Diplomatije”, Zagreb.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close