Sa është i mundur qarkullimi i lirë i udhëtarëve dhe mallrave në Ballkanin Perëndimor pa kalime të përbashkëta kufitare?

Për të udhëtuar prej Shkupi deri në Prishtinë janë dashur rreth një orë e gjysmë, edhe atë jo vetëm sot në autostradën e re “Arben Xhaferi”, por edhe në vitet ’80-ta të shekullit të kaluar me tren. Ekspres treni i atëhershëm “Akropolis” në vitin 1987 e ka kaluar këtë destinacion midis Fushë Kosovës dhe Shkupit për 1 orë e 29 minuta, ndërsa me të gjithë trenat e tjerë midis kryeqyteteve të Maqedonisë Veriore dhe Kosovës atëherë udhëtimi ka zgjatur më pak se 2 orë. Ndryshe nga koha prej më shumë se tre dekada më parë, treni midis Shkupit dhe Prishtinës sot e kalon destinacionin identik për 2 orë e 50 minuta, ndërsa edhe ai nuk qarkullon rregullisht, shkruan Meta.mk.

Kjo situatë katastrofale me lëvizjen e ngadalshme të trenave në realitet është larg premtimeve të qeverisë për të kapërcyer kufirin shpejt, vetëm me letërnjoftimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe idenë e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal që u kurorëzua në nivel rajonal me nënshkrimin e deklaratës në këtë temë në Samitin e liderëve në kuadër të Procesit të Berlinit në Sofje.

Komisioni Evropian në Raportin e fundit mbi progresin e vendit tonë drejt BE-së për vitin 2020 i kritikon qeveritë në rajon, duke e përfshirë edhe qeverinë tonë. Marrëveshjet dhe protokollet për kalim kufitar nuk janë finalizuar, ndërsa marrëveshja për bashkëpunimin hekurudhor ndërkufitar me Greqinë ende nuk është nënshkruar, ndërsa ajo me Kosovën duhet të zbatohet plotësisht, theksohet në raportin e KE-së. Krijimi i pikave kufitare të përbashkëta hekurudhore, të cilat do të shkurtojnë kohën për transport të udhëtarëve dhe mallrave, është gjithashtu larg realizimit, megjithëse janë nënshkruar marrëveshje me Kosovën dhe Serbinë, për të cilat duhen vite për t’u zbatuar në realitet.

Nga Ministria e transportit dhe lidhjeve për “Meta.mk” thonë se Marrëveshja për bashkëpunimin ndërkufitar në sektorin hekurudhor me Republikën e Greqisë si draft tekst është tashmë në proces të harmonizimit me Ministrinë e infrastrukturës dhe transportit të Greqisë. Megjithatë, prej atje ende nuk ka përgjigje se kur do të nënshkruhet kjo marrëveshje.

Lidhur me marrëveshjen për bashkëpunimin ndërkufitar në sektorin hekurudhor me Kosovën, ajo është nënshkruar në vitin 2012, por ekziston nevoja për të nënshkruar protokolle midis Policisë kufitare, Drejtorisë së Doganave, Shërbimeve të inspektimit, Shërbimeve veterinare dhe ndërmarrjeve të infrastrukturës dhe transportit midis dy vendeve. Për këtë arsye, ajo marrëveshje nuk është finalizuar për tetë vjet dhe nuk ka asgjë nga ndërtimi i një vendkalimi kufitar hekurudhor të përbashkët, në Elez Han, ku do të kryheshin kontrollet kufitare dhe doganore të udhëtarëve dhe mallrave që transportohen me tren.

Vendi ka përparuar më së shumti në zbatimin e idesë për kalim kufitar hekurudhor të përbashkët me Serbinë, ku dokumentacioni i projektit tashmë është përgatitur për objektin e ri prej 2500 metra katrorë që do të gjendet afër stacionit hekurudhor Tabanovc dhe për rrugën hyrëse në objektin e ardhshëm. Por edhe në këtë rast, marrëveshja midis dy vendeve u nënshkrua në vitin 2015, me afat të përfundohet deri në vitin 2021 që nga ana tjetër u shty deri në fund të vitit 2023. Tashmë një vit pritet përgjigje nga Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim nëse ajo do të sigurojë 2,5 milionë eurot e nevojshme për këtë projekt. Deri më tani, janë siguruar fondet në vlerë prej 2.7 milion euro përmes Kornizës investuese nga Ballkani Perëndimor për objektin e ardhshëm në Tabanovc.

Informacioni i fundit nga Ministria e transportit dhe lidhjeve është se përfundimi i konstruktit financiar për këtë projekt është në kompetencë të Ministrisë së financave. Dhe për sa kohë që institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëri tjetrit, trenat midis Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Serbisë dhe Greqisë do të udhëtojnë sipas orareve që jo vetëm që nuk korrespondojnë me rutinën Evropiane të lëvizjes së lirë të udhëtarëve dhe mallrave, por vetëm e kujtojnë kohën e udhëtimit të Ballkani nga shekulli XIX.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button