Sektori i hotelierisë dhe turizmit do të marrë ndihmë prej 7,5 mln euro për mbulimin e humbjes nga Covid-19

Sektori i turizmit dhe hotelierisë i cili ka pësuar dëm të konsiderueshëm nga kriza e koronës do të marrë 7,5 mln euro mbështetje financiare nga buxheti i shtetit deri në fund të vitit, kumtoi sot ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, transmeton Portalb.mk.

Për këtë në fillim të javës së ardhshme, Ministria e Ekonomisë do të shpallë pesë thirrje publike që dalin nga këto pesë masa për mbështetje të sektorit të turizmit dhe hotelierisë, që janë paraparë në Pakon e katërt të masave të miratuara nga Qeveria.

Të gjitha agjencitë e udhëtimit, këndet e lojërave, udhëzuesit turistikë, restorantet që organizojnë dasma dhe persona të tjerë juridikë nga sektori i hotelierisë që mbulohen nga masat do të mund të aplikojnë në mënyrë elektronike në platformën “Pushime në vend” deri në fund të muajit. Ministria e Ekonomisë do të përpunojë aplikimet menjëherë pas mbërritjes së tyre, në mënyrë që mjetet të paguhen me kohë dhe shpejtë.

Kjo u tha sot nga ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi gjatë takimit me përfaqësuesit e sektorit të turizmit dhe hotelierisë, ku prezantoi Programin për mbështetjen financiare të sektorit të turizmit dhe hotelierisë, i cili u miratua nga Qeveria, e që siguron masa për të mbështetur këtë sektor të përfshirë në Pakon e katërt të masave për të ringjallur ekonominë në kushte të COVID-19.

Ministri informoi se Pakoja e katërt e masave me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare përmes granteve të drejtpërdrejta mbulon restorantet, këndet e lojërave, agjencitë e licencuara të udhëtimit dhe udhëzuesit turistik. Gjithashtu është planifikuar kthimi i taksës turistike për vitin 2019 për objektet turistike.

“Qëllimi i këtyre masave është përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare të ndihmohen të gjithë punëtorët e turizmit dhe furnizuesit e ushqimit të cilët si rezultat i pandemisë kishin humbje më të mëdha “, ceku Ministri Bekteshi në takim. Vlera e përgjithshme e mbështetjes financiare për të pesë masat, siç informoi Ministri është 459,650,000 denarë ose 7,5 milion euro, dhe këto mjete do t’i paguhen drejtpërdrejt sektorit të turizmit dhe hotelierisë deri në fund të vitit, pra masa do të zbatohet në periudhën nëntor- dhjetor”, theksoi ministri.

Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror për Statistikë, nga muaji janar deri në shtator 2020, numri i përgjithshëm i turistëve nga vendi dhe jashtë është ulur për 60,4% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button