RMV, Vazhduan protestat para Kuvendit, ndërsa në Kuvend debati për falimentimin e bankës “Eurostandard”

Në Komisionin për financa dhe buxhet në kuadër të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut u zhvillua debati për falimentimin e bankës “Eurostandard”, transmeton Portalb.mk. Opozita vlerëson se procesi i falimentimit të kësaj banke ka të bëjë me interesat e kompanive të lidhura me familjen dhe kryeministrin Zoran Zaev.

Para kuvendit ndërkohë vazhduan protestat nga qytetarët që ndjehen të dëmtuar nga falimentimi i kësaj banke. “Nuk duam parat e huaja, po kërkojmë tonat”, “BPRM deri kur?”, “23 kompani të Strumicës nuk kanë kthyer kreditin”, “Ky është shteti i së drejtës apo shteti mafioz”, ishin disa nga reagimet e shkruara nga qytetarët.

Në seancën e komisionit mori pjesë edhe pronari i bankës së falimentuar, Trifun Kostovski dhe guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhoska. Kostovski ka vlerësuar se gjithë procedura e falimentit është një akt kriminal, derisa guvernatorja ka vlerësuar se janë ndjekur procedurat.

Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE në Komisionin e sotëm ka kërkuar nga prokurori publik Lubomir Jovevski nëse kanë hetuar 29-të kompanitë e Strumicës që kishin marrë kredi nga banka Eurostandard, dhe tashmë nuk i kthejnë. Kostadinov nga LSDM-ja thekson se ato kompani janë të lidhura me liderin e opozitës, Hristijan Mickoski.

Ndryshe, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut muajin e kaluar raportoi se ka dorëzuar padi penale ndaj personave përgjegjës në bankën “Eurostandard”, e cila tashmë ka falimentuar.

Ndryshe, qytetarët që ishin anëtarë të bankës “Eurostandard”, kanë protestuar edhe në muajin tetor para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut duke kërkuar nga pushteti kompensimin e plotë të kursimeve nga pushteti.

Banka popullore e Maqedonisë së Veriut më 26 gusht të këtij viti mori vendim për t’ia marrë licencën Bankës Eurostandard, sipas Ligjit për Bankat dhe hapi procedurë të falimentimit. Shpjegimi ishte se Banka Eurostandard nuk i plotësonte kushtet minimale të funksionimit, por që të gjitha depozitat, në 99.4% të depozituesve, do të paguhen brenda afateve ligjore, sipas kushteve të Fondit për sigurim të depozitave.

Sipas deklaratës së atëhershme të guvernatores Anita Bezhoska Angellovska, pjesa e aseteve bankare të Eurostandard Bank në totalin e aktiveve bankare të vendit ishte nga 1.3 në 1.7 % të depozitave dhe kredive totale.

Më 15 shtator, Fondi i sigurimit të depozitave filloi me pagimin e kompensimit të shumës së siguruar depozituesve të Bankës Eurostandard deri në shumën maksimale të përcaktuar ligjërisht prej 1.850.889 denarë.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në muajin shtator në seancën e dytë e miratoi pëlqimin që ShA “Posta e Maqedonisë së Veriut” të fillojë bisedimet për bashkëpunim me një bankë tjetër, pas falimentimit të bankës “Eurostandard”. Qeveria në seancën qeveritare në muajin tetor e miratoi tekstin e ri të Ligjit për ndryshimin e Ligjit për Shërbimet Postare, duke njoftuar se po përgatitet terreni për shitjen e Postës së Maqedonisë, pasi ajo filloi të zhytej në humbje dhe u bë e qartë se nuk kishte asnjë shpëtim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button