Është shpifje se punonjësit e Fondacionit “Metamorfozis” fshijnë përmbajtje nga “Facebook”-u

Më 12.11.2020 në ueb-faqen tuaj www.lider.com.mk është publikuar një artikull me titullin “(FOTO) Këta janë njerëzit që fshijnë përmbajtje nga Facebook-u në Maqedoni!”, ku janë bërë disa pretendime të pavërteta që mund të karakterizohen si shpifje.

Ndër të tjera, në tekstin kontestues është publikuar një kolazh me fotografi të disa prej punonjësve të Fondacionit “Metamorfozis”, ndërsa në titull thuhet se këta janë njerëzit që fshijnë përmbajtje nga rrjeti social “Facebook”. Më poshtë në tekst janë shënuar emrat dhe mbiemrat e pothuajse të gjithë punonjësve.

Konkretisht, në tekst thuhet:

“Në muajt e kaluar, mund të vërehet se shpesh hiqen përmbajtje në “Facebook”. Kjo ndodh pasi rrjeti social e filloi programin për verifikimin e fakteve.

Në Maqedoni, verifikues të regjistruar të fakteve janë nga organizata joqeveritare Metamorfozis, të cilët kanë platformën e tyre.

Në impresumin e kësaj organizate joqeveritare thuhet se se në të punojnë Bardhyl Jashari, Filip Stojanovski, Marija Pançevska, Qëndresa Sulejmani, Goran Rizaov, Elena Stojanovska, Vlladimir Petreski, Zoran Andonovski, Elida Zylbeari, Violeta Gligoroska, Milla Josifovska Danillovska, Anita Millanovska, Elena Stojanova, Bojan Bllazhevski, Goce Arsovski, Dragan Kucirov, Miron Cali, Frosina Gjorgieva, Valon Abdiu, Marija Vasilevska, Emilija Gjorgjievska, Olivera Vojnovska, Teofil Bllazhevski, Sasho Spasoski, Sillvana Zhezhova, Suad Bajrami, Fatbardha Curri dhe Lindita Bakiu.”

Në interes të informimit të drejtë të publikut dhe kundër insinuatave keqdashëse dhe shpifëse, të cilat gjithashtu paraqesin presion mbi lirinë e fjalës, ju informojmë se:

  • Askush nga punonjësit ose bashkëpunëtorët e jashtëm të Fondacionit “Metamorfozis” nuk fshin përmbajtje të të tjerëve nga “Facebook”-u. Një gjë e tillë është e pamundur për cilindo nga punonjësit e Fondacionit dhe për këtë arsye ky artikull paraqet një dezinformatë të plotë.
  • Fondacioni “Metamorfozis”, gjegjësisht Shërbimi për verifikimin e Fakteve – “Vërtetmatës”-i si nënshkrues të Kodit të Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve, në partneritet me “Facebook”-un, nga gushti i këtij viti filloi një program për verifikimin e fakteve. Para fillimit të programit, publiku u informua për këtë pjesë të luftës kundër dezinformatave, të cilën Fondacioni Metamorfozis e zhvillon në vend dhe në rajon.
  • Ky program nuk përfshin mundësinë për të hequr ose fshirë, në çfarëdo qoftë mënyre, të ndonjë përmbajtje nga rrjeti social. Metodologjia e programit (Facebook’s Third-Party Fact-Checking Program) është bërë publike dhe shpjegohet qartë se përfshin etiketimin e përmbajtjes dhe shtimin e linkut deri te artikujt me verifikim të fakteve, ndërsa partnerët nuk kanë asnjë mundësi për të hequr përmbajtje.
  • Të gjithë ata që kanë profile në rrjetin social “Facebook”, si dhe faqe të tyre në Facebook, gjatë regjistrimit të tyre pajtohen me rregullat e përdorimit. Sanksionimi i mosrespektimit të këtyre kushteve të përdorimit nuk është pjesë e partneritetit të “Facebook”-ut me Fondacionin “Metamorfozis”.
  • “Facebook”-u është anëtar i Kodit të BE-së për kundërvënie ndaj gjuhës së paligjshme të urrejtjes në internet që nga viti 2016, dhe heqja e përmbajtjeve mbi atë bazë bëhet direkt nga platforma, e jo nga partnerët. Për shembull, “Facebook”-u në korrik publikoi se ka mbi 35.000 punonjës që punojnë për sigurinë dhe se vetëm në tremujorin e parë të vitit 2020 kanë hequr mbi 9.6 milion përmbajtje. Monitorimi periodik i BE-së e riafirmoi progresin e platformës në luftimin e gjuhës së urrejtjes duke i informuar përdoruesit, duke u mundësuar atyre që të raportojnë keqpërdorimet dhe duke i hequr përmbajtjet që i shkelin rregullat që janë të detyrueshme për të gjithë përdoruesit. Këto mekanizma nuk janë pjesë e partneritetit të “Facebook”-ut me organizatat për verifikimin e fakteve.
  • Publikimin e fotografive të punonjësve të Fondacionit “Metamorfozis”, të cilët nga ana tjetër, nuk janë fare të lidhur me programin e verifikimit të fakteve të “Facebook”-ut, si dhe shënimin e emrave dhe mbiemrave të pothuajse të gjithë punonjësve, e konsiderojmë sjellje jashtëzakonisht keqdashëse jo-gazetareske, e cila paraqet thirrje për linçim publik dhe e dënojmë fuqimisht atë.
  • Dëmtim shtesë bëhet duke i publikuar emrat e personave që tashmë një kohë të gjatë nuk janë pjesë e ekipit të Fondacionit “Metamorfozis”, që është një tjetër manipulim dhe dezinformatë e rëndë.
  • Në kundërshtim me etikën gazetareske, asnjë nga mediat që i kanë botuar artikujt shpifës nuk kanë kërkuar koment nga Fondacioni “Metamorfozis” ose ndonjë palë tjetër e interesuar, që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kodin e Gazetarëve të Maqedonisë.

Nga Fondacioni thonë se është për të ardhur keq që, në vend që transparenca e Fondacionit “Metamorfozis” të shërbejë si shembull, ajo keqpërdoret për frikësim, duke bërë thirrje për linçim publik dhe përhapjen e dezinformatave.

“Kjo është pikërisht ajo kundër të cilës angazhohet Fondacioni “Metamorfozis” në punën e tij. Publikimi i pretendimeve të tilla të rreme i shkakton dëm të madh reputacionit të Fondacionit “Metamorfozis” dhe të gjithë punonjësve. Në të njëjtën kohë, rrezikohet siguria e punonjësve përmes thirrjes për linçim publik”, thonë prej atje.

Artikuj që çojnë në këtë artikull u shpërndanë gjithashtu edhe në ueb-faqet kurir.mknetpress.com.mkbregalnicki.mk, dhe times.com.mk. Në të njëjtën kohë, artikulli u shpërnda në rrjetet sociale të paktën 20 herë, duke përfshirë edhe në ueb-faqet në “Facebook” të dy partive politike. Në shumë raste, komentet në lidhje me artikullin e shpërndarë përmbajnë gjuhë urrejtjeje dhe thirrje për linçim, që përfshin thirrje që punonjësit e Metamorfozis të “varen në shtyllë”, t’u dërgohen kurora varrimi, të sëmuren nga koronavirusi, të pështyhen, etj.

Prandaj, Fondacioni “Metamorfozis” në përputhje me nenin 16 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenin 14 të Ligjit për Përgjegjësi Qytetare për Shpifje dhe Ofendim, si dhe sipas nenit 3 të Kodit të Gazetarisë, kërkojmë që ta publikoni këtë demant të plotë me titullin “(FOTO) Këta janë njerëzit që fshijnë përmbajtje nga Facebook-u në Maqedoni!” të publikuar më 12.11.2020. Kërkojmë që demanti të publikohet menjëherë dhe në të njëjtin vend dhe në të njëjtën mënyrë siç u publikua teksti me shpifjet e lartpërmendura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button