Qeveria e Kosovës ndau mbi një milion euro për “Trepçën”

Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi një milion euro për kombinatin metalurgjik “Trepça”, si zgjidhje për tejkaluar problemet financiare në të cilat ndodhet aktualisht kjo kompani, njofton Radio Evropa e Lirë.

Kështu tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas një takimi që ka zhvilluar me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe anëtarët e bordit të përkohshëm të “Trepçës”.

Kombinatit “Trepça” gjatë javës së kaluar i janë bllokuar llogaritë për shkak të borxheve të akumulura.

Kryeministri Hoti tha se vlera e borxhit të përgjithshëm të kësaj kompanie arrin në rreth 8 milionë euro.

“Situata në kompani është shumë e vështirë. Por, e vështirë në masë të madhe është për shkak të gjendjes në të cilën po kalojmë të pandemisë në nivel global dhe në pamundësi që ‘Trepça’ të shesë produktet e saj në tregjet botërore. Por, pjesërisht duhet pranuar faktin se edhe për shkak të menaxhmentit joadekuat në menaxhimin e kësaj kompanie”, tha Hoti.

Qeveria e Kosovës konsideron se “Trepça” ka trashëguar kontrata të pafavorshme, të cilat po i shkaktojnë dëme financiare.

Kjo ndërmarrje, e cila llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe një ish- Jugosllavi, asnjëherë që nga paslufta nuk ka arritur të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Aktualisht, “Trepça” merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut dhe është e vetmja prodhuese e këtij lloji në Kosovë.

Por, prodhimi është shumë i ulët dhe atë vetëm rreth 150 mijë tonë xehe në vit, ndërsa, në periudhën para vitit 1999, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit.

Gjatë këtij viti, kryeshefi i “Trepçës”, Hysen Vrajolli, ka thënë se ka pasur rritje të prodhimit për rreth 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar, por rënia e çmimeve në bursa dhe tregje ndërkombëtare, e ka nxjerrë këtë kompani me afarizëm negativ.

Kombinati “Trepça” gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

“Trepça” sot brenda Kosovës përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.

Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button