Ademi në konferencën e CDT: Reformat e BE-së do parandalojnë ikjen e trurit që po ndodh në RMV

Në konferencën “Ballkani Perëndimor dhe BE: konsolidimi demokratik përmes përmbushjes së kritereve politike”, Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane në RMV, Arbër Ademi, mes të tjerash theksoi se në qoftë se nuk arrihen reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shteti rrezikohet që fenomeni i “Ikjes së trurit” të bëhet ende më alarmant se tani, andaj reformat duhet të realizohen jo vetëm për BE-në, por për të mirën e shtetit, shkruan Portalb.mk.

Ai potencoi se Maqedonia e Veriut është e vetëdijshme për rëndësinë e implementimit të reformave të nevojshme dhe kjo, jo vetëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe për mbajtjen e të rinjve në vend.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arbër Ademi
Arbër Ademi, BDI.

“Si shtet relativisht i ri, ne jemi të vetëdijshëm që vetëm me implementimin e reformave të nevojshme në kuptimin e promovimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe arritjen e standardeve evropiane, mund të bëhemi pjesë integrale e BE-së, neve na duhen reforma jo vetëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian por edhe për shtetin tonë, për të rinjtë të cilët kanë nevojë për shtet stabil me standarde evropiane dhe perspektivë. Pa arritjen e të lartpërmendurave, “ikja e trurit” që tashmë është alarmante, do të jetë ende më alarmante në shtetet tona” theksoi Arbër Ademi, deputet dhe kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane.

Ademi dy vitet e fundit i konsideroi si “historike” për Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se me zgjidhjen e shumë mosmarrëveshjeve me fqinjët, shteti arriti të anëtarësohet në NATO dhe po i afrohet BE-së.

“Maqedonia e Veriut si kandidate për anëtarësim në BE, kishte agjendë të vështirë dy vitet e fundit, këto ishin vite historike për shtetin tonë, RMV-ja dhe Greqia patën tentativa të suksesshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me ratifikimin e marrëveshjes së Prespës në të dy parlamentet, fatmirësisht, kjo ishte diçka e mirë për shtetin tonë marrë parasysh se kjo ishte pjesë e një prej mosmarrëveshjeve që bllokonte RMV-në për të marrë datën e fillimit të negociatave me BE-në dhe anëtarësim në NATO. Njëkohësisht, ne kemi nënshkruar marrëveshje për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë, kjo konfirmon angazhimin tonë të kemi marrëdhënie të mira me fqinjët tanë, që është edhe parakusht për prosperitet dhe zhvillim. E gjithë kjo rezultoi me anëtarësimin e RMV-së në NATO” shtoi Ademi.

Cili është fokusi kryesor i RMV-së në raport me BE-në?

Arbër Ademi potencoi se pa marrë parasysh faktin se shteti dhe e gjithë bota po përballet me pandeminë e virusit korona, vendi ka shansin që të sjelle një dinamikë të re në procesin e anëtarësimit. Ai përmendi katër fushat kryesore ku po fokusohet Maqedonia e Veriut në aspektin e reformave.

“Në aspektin e reformave, Qeveria e RMV-së është fokusuar në katër fushat kryesore siç janë gjyqësori, lufta kundër korrupsionit, shërbimet e inteligjencës dhe sigurimit si dhe reformat në administratën publike” tha ai.

Ndërkaq fokusi kryesor i RMV-së në të ardhmet sipas Ademit do të jenë reformat fondamentale, edhe atë: Shteti i së drejtës, Funksionimi i institucioneve demokratike si dhe reformë e agjendës ekonomike në shtet.

Sipas tij, “për të arritur këtu, na duhen institucione të forta të cilat do të siguronin sistem gjyqësor të pavarur dhe luftën kundër korrupsionit. Është pozitive që liderët e shoqërisë tonë po lëvizin në këtë drejtim, është vështirë mirëpo rezultatet nuk mungojnë”.

Ndryshe, nga ora 10:30 ka filluar konferenca përmes internetit me temë “Ballkani Perëndimor dhe BE: Konsolidimi demokratik përmes përmbushjes së kritereve politike”, i cili është i mbështetur nga Ballkan Trust for Democracy dhe ambasada norvegjeze në Beograd.

Gjetjet mbi përmbushjen e kritereve politike për pranimin në BE nga Maqedonia e Veriut do të prezantohen nga drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button