MBI LIBRIN DHE ARTIN E LEXIMIT

Libri është për lexues aktivë, që dinë ta zbërthejnë figurën, të prekin fundin e ajsbergëve, të lexojnë nga gjethet tek rrënjët, të bëhen bashkautorë me shkrimtarin…, sepse letërsia e mirëfilltë nuk t’i ofron gjithë shtresat kuptimore në pëllëmbë të dorës. Komunikimi i natyrshëm me të kërkon përgatitje paraprake, lexime të shumta veprash gjinishë të ndryshme dhe shije të kultivuar estetike. Natyrisht, edhe njohuri teorike mbi tekstin letrar.

Të gjithë e dimë se nxitja e dashurisë ndaj librit dhe aftësimi për lexim kultivohet që në moshë të hershme, se fëmijët duhet të rriten bashkë me librin. Mjerisht, ne nuk kemi punuar dhe nuk punojmë sa duhet në këtë plan, ndaj s’ka përse t’na befasojë numri i madh i njerëzve të papërgatitur për të komunikuar natyrshëm me një vepër arti

*
Dëshira që na shtyn të lexojmë libra duket e papërkufizueshme me fund. Ku ta dijë njeriu? Mbase është fjala për ndonjë infektim të moçëm. Mbase janë më shumë motive në pyetje: për të vrarë kotësitë e jetës, për të ikur për një kohë në botëra të tjera, për të realizuar vetveten, për çaste përjetimesh estetike, për të rruajtur shëndetin mental nga rutina e përditshmërisë…

Sipas një studimi të bërë vite më herët, një perëndimor me fakultet të kryer, përgjatë jetës normale prej 65-70 vitesh, lexon afër 2000 libra të ndryshëm. Tek ne, ndërkaq, ka zënë rrënjë bindja: S’është intelektual ai që s’e shfrytëzon facebook-un!

Merreni me mend tani konstruktin e “intelektualit” që ushqen shpirtin vetëm me informacione facebook-u, në një mes ku askush s’e bën çështje mosleximin e librave, që shkakton mungesë të theksuar individësh mendjendritur e ide-prodhues.

*
Nëse tek ne ka vend për ta shtruar pyetjen për shkakun e mosinteresimit për të lexuar, përgjijen duhet kërkuar në mungesën e traditës, në problemet ekzistenciale të popullatës, në jetën dinamike dhe në mundësitë për t’u përbiruar tutje karierës nëpërmjet improvizimeve bajate. Humbjes së dëshirës për lexim i kanë kontribuar edhe librat e revistat për mosha të njoma, që ndodh të përgatiten edhe prej diletantësh, të cilët ia dalin me lehtësi të papërballueshme t’i shpërndajnë nëpër shkolla, me çka më shumë ç’orientojnë se sa kultivojnë shijen për të bukurën.

*
Tani më askush nuk e di me saktësi deri ku do të arrijë sofistikimi i makinave moderne të komunikimit? Dua të besoj se libri do ta mbijetojë edhe kompjuterin, ashtu siç u mbijetojnë gazetat lajmeve online në botën e qytetëruar.

Ndoshta po ngjet i njëjti fenomen si ai i kohës së Gutenbergut, kur edhe pas zbulimit të shtypshkronjës njerëzit vazhduan me ngulm të botojnë librat në mënyrë tradicionale.

Sidoqoftë, për njerëzit e brezave më të moshuar, si brezi im, fjala vjen, libri dhe dija që ofron ai do të mbeten të pazëvendësueshëm.

*
Fatmirësisht, libri sot qarkullon lirshëm dhe pa ndonjë vështirësi shqetësuese. Puna është se jo çdo konsumues i tij ka mundësi ta blejë. Përparësi kanë vetëm snobët pareli, që blejnë libra duke u kujdësur për centimetrat e tyre, sepse ndryshe s’u rrinë mirë dollapëve, të cilët duhet të rrezatojë imazhin e derës së madhe ku jetojnë intelektualët e Erazmo Roterdamit – ata që lidhin kokat me marhama mos t’u derdhet truri i tepërt…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button