Reagime nga Kosova, Shqipëria, NATO-ja dhe Serbia pas deklaratës së Vuçiqit

Deklarata e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, duke tërhequr paralele ndërmjet situatës në Nagorno-Karabakh dhe asaj në Kosovë, ka ngjallur reagime nga pushtetarët në Kosovë, Shqipëri dhe nga NATO, transmeton Portalb.mk. Ndaj këtyre reagimeve, është shprehur menjëherë Qeveria e Serbisë.

“Situata në Nagorno-Karabakh ka treguar se një konflikt i ngrirë mund të përshkallëzojë në katastrofë të vërtetë kur dikush ta shkrijë atë”, u shpreh Vuçiq, derisa ka folur në lidhje me Kosovën. Ai në lidhje me këtë temë ka shtuar se “Serbia do të vazhdojë të forcohet ekonomikisht dhe ushtarakisht. Mund të na ndodh ndonjë konflikt, duhet të mbajmë kujdes për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të ardhmen të Kosovës e Metohisë”.

Avdullah Hoti, kryeministri i Kosovës, pas këtyre deklaratave ka kërkuar reagim nga NATO dhe BE-ja.

“Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja të reagojnë ndaj këtyre provokimeve”, kërkojnë nga kryeministria.

Kërkesë të njëjtë ka parashtruar gjatë ditës edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Pres që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja t’i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiq”, u shpreh në Twitter Osmani.

Pandeli Majko, ministri i diasporës në Qeverinë e Shqipërisë, ka theksuar se një konflikti të tillë mund t’i dihet fillimi, por jo edhe fundi.

“Jeta e dyfishtë e Serbisë në marrdhëniet ndërkombëtare është rreziku real për stabilitetin rajonal! Presidenti Vucic përcaktoi se konflikti me shqiptarët nuk ka mbaruar ende dhe e konsideron atë “të ngrirë” (!)”, deklaroi Majko, duke shtuar se “mendje të ftohta logjistike në Serbi e kuptojnë gatishmërinë e shqiptarëve në disa shtete nëse dikush i shkon pas idesë së skenarit të konfliktit”.

NATO-ja nuk ka pranuar të komentojë këtë deklaratë, por për REL një zyrtar i NATO-s ka komentuar deklaratat e presidentit serb.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha një zyrtar i NATO-s në një përgjigje me shkrim për REL.

Ndaj këtyre reagimeve, ka reaguar Qeveria e Serbisë përmes Zyrës për Kosovën

“Serbia dhe presidenti i saj konfirmojnë vazhdimisht, edhe me fjalë, edhe me vepra, se ne jemi garantuesi më i fortë i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe këtë e kuptojnë dhe e mbështesin të gjithë faktorët relevantë nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Petar Petkoviq, udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Ndryshe, protestuesit sulmuan ndërtesat qeveritare në Jerevan pasi Armenia, Azerbajxhani dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit ushtarak në rajonin e diskutueshëm Nagorno-Karabak. Kryeministri armen Nikole Pashinia e përshkroi marrëveshjen si “jashtëzakonisht të dhimbshme për të dhe njerëzit e tij”, duke shtuar se e kishte nënshkruar atë me këmbënguljen e ushtrisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button