(Intervistë) Besnik Fetai: Borxhi i jashtëm i kanoset ekonomisë!

Huamarrjet e vazhdueshme qeveritare dhe kondicioni i pagesës së rregullt të borxheve në vend dhe jashtë tij, do të jenë rreziku më i madh që do ti kanoset ekonomisë në vitin 2013.

Projekti “Shkupi 2014” është duke përfunduar, sektori i ndërtimtarisë që ishte gjenerator i BPV-së sërish do të kthehet në pozitën që kishte më parë.

Maqedonia fitoi buxhet jolegjitim i cili nuk i përgjigjet realitetit. Këto janë qëndrimet e profesorit universitar Besnik Fetai, i cili në intervistë për Portalb analizon në lidhje me pritjet e Maqedonisë në aspektin ekonomik.

Intervistoi: Aneta Dodevska

Portalb: Sipas jush, cilat ishin ngjarjet kyçe ekonomike që shënuan vitin 2012 në Maqedoni?

Besnik Fetai: Sipas meje në rend të parë është mosrealizimi i shkallës së projektuar të rritjes së Bruto Prodhimit Vendor prej 4.5 për qind. Sipas matjeve dhe të dhënave të Eurostat ajo arrin 0.8 për qind. Papunësia dhe varfëria mbesin në nivel të njëjtë, gjegjësisht shkalla e papunësisë mbetet në 31.2 për qind. Këtu është edhe borxhi publik i cili rritet me dinamikë më të madhe në krahasim me rritjen ekonomike, që është rrezik real për vendin në afat të mesëm.

Portalb: Sipas të gjitha vlerësimeve, 2012-ta konsiderohet si një prej viteve më të vështira ekonomike, ku do të loconit problemet kyçe me të cilat përballet sektori privat ?

Besnik Fetai: Politika ekspozuese fiskale dhe politika jorelaksuese monetare ndikoi negativisht mbi sektorin privat. Pjesa më e madhe e shpenzimeve qeveritare përfundoj në projektet joproduktive që gjeneronin vlerë të re reale në ekonomi, këtu mendoj për projektin Shkupi 2014, ai ndikoi si frenues mbi uljen e mëtejshme të shkallave kamatore. Shkallët e ponderuara kamatore lëvizën me rreth 8 %, që do të thotë kredi të shtrenjta për ekonominë dhe amviseritë. Politika e tillë e përzier qeveritare nuk jep hapësirë për rritjen e investimeve private, e me këtë rrit papunësinë dhe varfërinë.

Portalb: Ekonomia kërkonte miratimin dhe votimin në kohë të buxhetit. Nga ana tjetër, opinioni i ekspertëve  thekson se mënyra se si u miratua buxheti e vë në pikëpyetje legjitimitetin e tërë procedurës, e me këtë edhe të vetë buxhetit ?

Besnik Feati: Qeveria kishte zgjedhje, dmth mund të miratonte buxhet të përkohshëm, që do të thoshte të shpenzojë deri në nivelin e kuartalit të fundit, i cili nuk do të ndikonte negativisht mbi ekonominë. Në këtë rast u miratua buxhet jolegjitim, duke mos kaluar nëpërmjet organeve të domosdoshme kuvendore.

Miratimi i buxhetit në këtë mënyrë vetëm do ta përkeqësoj gjendjen ekonomike në vazhdim, sepse siç dihet, çdo trazirë sociale shkakton shpenzim për ekonominë.

Portalb: Projektit “Shkupi 2014” shkon drejt përfundimit. Siç e dimë deri më tani, gjenerator kryesor i rritjes së BPV-së deri tani ishte ndërtimtaria. Mbi çka do ta planifikojë dhe projektojë tani rritjen e BPV-së Qeveria.

Besnik Fetai: Një pjesë e mjeteve të shpenzuara për projektin “Shkupi 2014”, u shpenzuan si dalje jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër dha efekte afatshkurtëra në sektorin e ndërtimtarisë. Mëgjithatë projekti “Shkupi 2014” nuk krijon vlerë të re si parakusht për zhvillimin ekonomik, por vetëm objekte dhe përmendore në Shkup pa ndonjë efekt multiplikativ mbi ekonominë.

Sektori ndërtimor kthehet aty ku ishte para fillimit të ndërtimeve të projektit “Shkupi 2014”, ndërsa borxhet e marra për ndërtimin e projektit mbesin, ndërmarrjet ndërtimore sërish duhet të kthehen nga sektori privat, e jo nga objektet e ndërtuara.

Portalb: Në 2012-tën u treguan tërësisht të pasakta projektimet për rritje ekonomike. A mendoni se Qeveria për në vitin 2013 ka projektuar rritje reale të ekonomisë siç ka parashikuar rritje prej 2 për qind të BPV-së ?

Besnik Fetai: Si zakonisht, qeveria gabon në projektimet e rritjes reale, sepse në mënyrë shumë optimiste i parashikon treguesit makroekonomik. Mendoj se edhe këtë vit, qeveria do të duhet ta rishqyrtojë shkallën e rritjes reale.

Sipas projektimeve të Eurostat, edhe sivjet Eurozona do të përfundojë me rritje reale negative, ndërsa për Republikën e Maqedonisë nuk parasheh skenar të rritjes reale por përkundrazi parasheh stagnim. Mendimi im është se edhe sivjet do të rishqyrtohet rritja reale prej 2 për qind, dhe ky vit do të përfundojë me zero rritje reale në ekonomi, në pajtim me projektimet e Eurostat-it.

Portalb: Cilat sipas jush do të ishin rreziqet kryesore për ekonominë në vitin 2013, në planin e brendshëm dhe në planin e jashtëm ?

Besnik Fetai: Rreziku kryesor në vitin 2013 do të jetë huamarrja e mëtejshme e qeverisë, dhe kondicioni për pagesën në kohë të obligimeve të saj brenda dhe jashtë vendit.

Huamarrja do të jetë rezultat i stagnimit të ekonomisë, gjegjësisht shkak i zvogëlimit të të ardhurave publike. Rritja e borxhit po ashtu do të shkaktojë rritje të shkallëve afatshkurtra kamatore, gjë që do të rezultojë me uljen e investimeve dhe ngecjen e mëtejshme të ekonomisë, rritjen e papunësisë dhe varfërisë. Po ashtu edhe inflacioni do të jetë më i lartë se ai në Eurozonë.

Ekonomia do të jetë më pak konkurrente në krahasim me ekonomitë në Eurozonë. Inflacioni i tillë po ashtu do t’i detyrojë bankat t’i rrisin shkallët e tyre kamatore, gjë e cila do të ndikojë negativisht mbi vendimet e konsumatorëve dhe bashkësisë afariste. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button