Tetovë, kallëzime penale për 14 transportues pa licencë, autobusët “legal” nuk janë askund

Në Komunën e Tetovës vazhdon aksioni për dënimin e transportuesve ilegal. Për rreth një muaj 14 persona janë kapur nga policia duke bartur udhëtarë, pa pasur licencë për një gjë të tillë. Rikujtojmë se nuk ka zgjidhje tjetër për bartjen e udhëtarëve nga fshatrat përreth, shkruan Portalb.mk.

Personat të cilët janë kapur duke ushtruar këtë veprimtari ilegalisht banojnë në fshatrat përreth Tetovës si dhe në qytet. Kundër tyre do të ketë padi penale për kryerje të punës pa pasur licencë për atë.

“Nga Ministria për Punë të Brendshme informojnë se padi penale do të ketë kundër personave: H.I (60), B.V (55), S.P (60) të tre nga Tetova, I.O (31), B,B (47), të dy nga fshati Pirok, SH.I (59) nga fshati Pallçisht, S.E (34) nga fshati Dëbërc, M,M (53) nga fshati Pallçisht, M,M (30) nga fshati Kallnik, O,M (20) nga fshati Neprishten, B,M (48) nga fshati Bellovisht, D,V (58) nga fshati Rogaçevë, L,K (53), S,I (38) nga Reçica e Madhe dhe N.N (58) nga fshati Bogovinë” kumtuan nga Ministria për Punë të Brendshme (MPB).

Ndërsa, nga Sektori për Punë të Brendshme informuan se ky aksion për gjetjen e personave që ushtrojnë këtë veprimtari në mënyrë ilegale ka filluar nga fundi i shtatorit të këtij viti dhe ka përfunduar një javë më herët.

“Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë nga 29 shtatori i këtij viti deri në 3 nëntor kemi pasur kontrolle të shtuara me qëllim të përcaktimit të parregullsive në transportin publik me çka u konstatua se personat e lartpërmendur në rolin e vozitësit, kanë kryer punën e transportit publik, pa pasur licencë përkatëse për bartjen e udhëtarëve” thanë nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB), Tetovë.

Pse ky lloj transporti në Tetovë?

Banorët e fshatrave përreth Komunës së Tetovës dhe sidomos studentët si shpëtim të vetëm për sigurimin e transportit të tyre viteve të fundit kanë pasur furgonat të cilët në çdo moment janë të pranishëm në secilin cep të qytetit.

Këta automjete zakonisht nuk janë të sigurta nga ana teknike dhe janë shumë të rrezikshme për përhapjen e virusit korona, marrë parasysh faktin se janë të vogla dhe distanca fizike mes pasagjerëve është e pamundur. Megjithatë, është e vetmja zgjidhje për banorët e Tetovës.

“Jetoj në një fshat jo shumë afër Tetovës, ku edhe studioj. Jo, nuk kemi transport publik i cili do të kishte orare fikse, zgjohem çdo mëngjes dhe dal në rrugë pres furgon në mënyrë që të arrijë në ligjërata në kohë, ka raste kur vonohem për shkak se nuk është përshtatur orari i mjetit transportues me atë të ligjëratave, gjithashtu, dimrit është ftohtë, presim jashtë, jo vetëm unë po ka shumë student tjerë si puna ime”, kishte deklaruar student Fisnik Xhelili javë më herët për Portalb.mk.

Çfarë thonë shoferët e furgonëve?

Foto nga kombi me të cilin udhëtojnë çdo ditë studentët.
Foto nga kombi me të cilin udhëtojnë çdo ditë studentët.

Shoferët e furgonëve ilegal të Tetovës janë në gjendje të përballen çdo ditë me dënime nga ana e policisë mirëpo jo edhe të regjistrojnë bizneset e tyre. Një prej tyre i cili dëshiroi të qëndroje anonim, tha se ka dhjetëra dënime në shtëpi dhe nuk planifikon të regjistrojë biznesin e tij.

“Më kanë dënuar shumë shpesh, në shtëpi kam plot dënime por nuk i paguaj dhe nuk e kam ndërmernd të regjistroj biznesin tim. Shteti në momentin që na dënon për mos regjistrim duhet të siguroje që kur të regjistrohemi, të na del llogaria, jo gjithë fitimin të ja japim shtetit” tha njëri prej tyre.

Deri ku është procedura për sigurimin e autobusëve të transportit publik në Tetovë?

Nesër me datë 13 nëntor është paraparë të përfundoje procedura e thirrjes publike të kompanive që do të furnizojnë Tetovën me autobusë urban, gjegjësisht nesër pritet të zgjidhet kjo kompani pasi edhe është hapja e ofertave.

Arifi thotë se deri para Vitit të Ri, do të finalizohet krejtësisht procedura për furnizim me autobusë në Tetovë. Ndërkaq, nesër është hapja e ofertave ku edhe do të zgjidhet kompania e cila do të furnizoje Tetovën me autobusë.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Ne jemi në procedurë të furnizimit, kemi pasur procedurë e cila është ripërsëritur pas vlerësimeve të komisioneve dhe këshilltarëve të bankës botërore, ne vlerësojmë që deri në vitin e ri, para vitit të ri do të mbaroje i gjithë procesi i furnizimit, në ndërkohë është duke u realizuar edhe vënia komplete në funksion e ndërmarrjes së transportit publik e cila më pas do të menaxhoje me procesin e funksionimit të këtyre autobusëve, është një projekt i cili me ndihmën e bankës botërore dhe me angazhimin e plotë të administratës tonë dhe administratës bankës botërore, do të jetë në të mirë për qytetarët” tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Rikujtojmë se deri në këtë fazë edhe herën e fundit arriti komuna e Tetovës dhe më pas dështoi, me arsyetimin se asnjë nga kompanitë ofertuese nuk i kishte plotësuar kushtet për të fituar tenderin përkatës.

Premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017. Ky premtim i Arifit nuk është realizuar. 

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës në shtator të këtij viti për herë të dytë e ka themeluar ndërmarrjen për transport publik “Tetova Transport”, pasi e para nuk ka arritur të vihet në funksion dhe e njëjta ka pushuar së vepruari automatikisht shkaku i afateve ligjore për funksionalizim të së njëjtës, kurse në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal, u votua edhe statuti i kësaj ndërmarrje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button