RMV, Zaev arsyetohet përderisa Qeveria i trajton shqiptarët qytetarë të dorës së dytë

Kryeministri Zoran Zaev, sot është arsyetuar në lidhje me vonesën e informimit në gjuhën shqipe. Ai thotë se të gjitha aktivitetet e tyre përkthehen në dy gjuhë, por sipas hulumtimit të Portalb.mk, Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i dërgon të gjitha komunikatat në kohë reale në gjuhë shqipe.

Pra, fillimisht dërgohen në gjuhë maqedonase dhe pasi të jetë shpërndarë lajmi, përkthehen, me vonesë në shqip. Derisa bashkëqytetarët maqedonas janë informuar, ne “të tjerët” duhet të presim derisa përkthyesit qeveritarë ta publikojnë edhe në shqip ose në të kundërtën duhet ta përkthejmë vet, apo të lexojmë nëpër media në gjuhën shqipe të cilat harxhojnë resurse shtesë për t’u ofruar lexuesve të tyre informata në shqip. Kjo nënkupton që ne do të duhet të informohemi me vonesë, ose të bëhemi vetë përkthyes.

“Komunikatat që dërgohen edhe në gjuhën shqipe, vonohen me një diferencë kohore nga komunikata në gjuhë maqedonase, e cila fillon nga 30 minuta deri në një orë ose edhe më shumë”, ka konstatuar Portalb.mk, në hulumtimin për informimin e qytetarëve në gjuhën shqipe në kohë pandemie nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Të gjitha aktivitetet dhe kumtesat përkthehen edhe në shqip, në funksion të informimit të shpejtë të mediave, a nëpërmjet juve edhe qytetarëve menjëherë kumtohet ngjarja, jepen ngjarjet dhe ngjashëm. Unë flas në gjuhën maqedonase dhe duhet kohë që të përkthehet në shqip, po atë e bëjmë dhe e lëshojmë. Shumë shpesh ndodh që të ketë ministër shqiptar në Qeveri dhe, i cili flet diku në shqip dhe ngjarja shkon menjëherë në shqip e pastaj e përkthejmë në maqedonisht. Për ne gjuhët janë të barabarta. Ne duam ta respektojmë tërësisht Ligjin për Gjuhët dhe Kushtetutën e shtetit dhe atë e bëjmë”, tha Zaev në pyetjen e Portalb.mk.

Ai shton se merr kohë gjithashtu edhe lekturimi i tekstit, pasi që siç tha ai “ne jemi Qeveri dhe nuk mundemi vetëm ta shtypim dhe ta lëshojmë, por duhet në mënyrë përkatëse të përkthehet”.

Nga Qeveria thonë se “vonesat janë të arsyeshme pasi që materiali merr kohë derisa të përkthehet.”

Nga ana tjetër, në ueb-faqen e Qeverisë në versionin maqedonisht, publikohen edhe informata të rëndësishme nga kumtesat e ministrive të tjera, që nuk ndodh edhe në shqip.

Sipas Qeverisë, detyra e përkthyesve është që t’i përkthejnë në shqip vetëm aktivitetet e Qeverisë apo funksionarëve të saj, pra të kumtojnë për mbajtjen e seancave, si zëdhënësit, sekretari, kryeministri. Ndërkaq nuk e kanë për detyrë t’i përkthejnë institucionet tjera të cilat e shfrytëzojnë hapësirën e Qeverisë. Në këtë rast, nëse ndonjë ministër e shfrytëzon sallën e konferencës për shtyp, duhet që Ministria përkatëse ta bëjë përkthimin, apo nëse ndonjë inspektorat e shfrytëzon sallën atëherë, inspektorati përkatës duhet ta bëjë përkthimin.

E kur u lihet në duar ministrive, ka prej tyre që nuk e bëjnë, pavarësisht se janë në dijeni se ekziston një Ligj që e ka emrin Ligji për Zbatimin e Gjuhëve dhe i cili është në fuqi, dhe të cilin edhe ata e kanë për detyrë ta zbatojnë.

Shembulli që nuk duhet ndjekur është ai i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili, ashtu siç ka konstatuar edhe Portalb.mk, ka një ueb-faqe sa për sy e faqe në gjuhë shqipe. Veç kësaj, qytetarët e saj nuk i formon në mënyrë të rregullt në gjuhën shqipe, si për informatat apo vendimet e reja, ashtu edhe për fushatat e ndryshme, sidomos në këtë kohë pandemie kur informimi në kohë reale është i barasvlershëm me jetën. Për këtë qytetarët shqiptarë detyrohen që të informohen vetëm në maqedonisht, e kush nuk e kupton aq mirë gjuhën maqedonase duhet të “gjendet”, ose do ta pyes dikë që ka afër “çfarë tha, çka u bë?”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button