Janë shpallur zgjedhjet për reis të BFI-së, Xhemaili: Pritet që ky proces të mbarojë për 2-3 javë

Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e djeshme të Rijasetit i ka shpallur zgjedhjet për Reis Ulema të BFI-së, ka formuar rregullore dhe ka caktuar Komisionin Zgjedhor i cili do të merret me kushtet dhe datën e zgjedhjeve, njofton Portalb.mk.

Shefi i Kabinetit të u.d. reisit aktual, Shaqir efendi Fetahu, Selver Xhemaili, thotë se sot Komisioni do të mblidhet për të konstatuar, datën, rregullat e zgjedhjes, por edhe mënyrën e votimit.

“Datën e zgjedhjeve besoj që Komisioni duhet sot ta caktojë. Rregullorja është miratuar dhe parasheh procedurën se si do t duhet të mbahen zgjedhjet, si do të paraqiten kandidatët, kush i plotëson kushtet e kështu me radhë. Besoj që së shpejti do të bëhen publike. Votimi do të bëhet në mënyrë demokratike, Kushtetuta e BFI-së i njeh të dy variantet, edhe me vota të fshehta edhe me të hapura”, thotë Xhemaili për Portalb.mk duke shtuar se beson që procesi zgjedhor nuk do të zgjatë më shumë se 2-3 javë.

Sipas Kushtetutës së BFI-së, Reis ul Ulemaja është organ dhe kryetar i BFI-së i cili e përfaqëson unitetin fetarë të pjesëtarëve të Islamit. Zgjedhja e Reis ul Ulemasë behet konform Rregullores për zgjedhje të Reis ul Ulemasë. Kjo rregullore hartohet nga Komisioni Zgjedhor dhe ndryshon në çdo cikël zgjedhor.

Sipas nenit 36 të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Rijaseti i BFI-së e propozon, zgjedh dhe shkarkon Reis ul Ulemanë.

Për Reis ul Ulema mund të propozohen dhe të zgjedhjen personat të cilët kanë të kryer fakultete islame, që kanë përvojë pune të suksesshme dhjetëvjeçare në radhët e BFI-së dhe kanë moshë mbi dyzetvjeçare.

Kompetencat e reisit:

  • përfaqëson Bashkësinë Fetare Islame në vend dhe jashtë;
  • jep murasele (autorizim) për kryerjen e punëve fetare, pa të cilën tërheq kontest të legjitimitetit;
  • emëron dekanët, drejtorët dhe mësimdhënësit të institucioneve arsimore të BFI-së dhe mësimdhënësit e lëndës së mësim-besimit në shkollat publike.
  • organizon dhe mbikëqyr punën e shërbimeve profesionale të BFI-së.
  • konvokon dhe udhëheq seancat e Rijasetit dhe kujdeset për zbatimin e vendimeve të tij;
  • ndërmjet dy mbledhjeve të Rijasetit, kryen punë të domosdoshme që janë në kompetencë të Rijasetit dhe për këtë informon Rijasetin në seancën e radhës.
  • nënshkruan aktet e Rijasetit;
  • nënshkruan aktet për punësim në BFI;
  • viziton regjionet në të cilët jetojnë pjesëtarët e fesë islame; që të njihet drejtpërdrejtë me gjendjen dhe propozon masa për zhvillimin dhe avancimin e jetës fetare;
  • lejon pushimet e muftive, dekanëve, drejtorëve të medreseve, drejtorëve dhe kryetarëve të institucioneve, shoqatave të cilat janë në mbikëqyrje të Rijasetit;
  • ka të drejtë të pengojë ekzekutimin e vendimeve të organeve dhe të institucioneve të BFI nëse konstaton se të njëjtat janë kundërshtim me parimet islame dhe të njëjtat t’i kthejë në rishqyrtim, kurse vendimin përfundimtar e sjell Rijaseti i BFI-së.
  • dekreton vendimet e marra nga Rijaseti i BFI-së.

Më 27 maj të vitit 2020, Rijaseti i Bashkësia Fetare Islame në mbledhjen e jashtëzakonshme me shumicë prej dy të tretave e ka shkarkuar nga funksioni kreun e tyre, Sulejman Rexhepin. Pavarësisht se Rijaseti nuk tregoi për arsyet e shkarkimit të Rexhepit, kjo procedurë erdhi disa ditë pasi që Rexhepi u martua me një vajzë 50 vjet më të re, akt i cili u përfol dhe pati komente negative në rrjetet sociale dhe media. Rexhepi u shkarkua në bazë të nenit 58 të kushtetutës së BFI-së, në të cilin thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së.

Në po të njëjtën ditë, në vend të Rexhepit u emërua Efendi Fetahu, i cili do të jetë në krye të BFI-së deri në emërimin e reisit të ri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button