Zaev: Mbështes legalizimin e marihuanës në Maqedoninë e Veriut

Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut është shprehur se personalisht përkrah legalizimin e përdorimit të marihuanës.

“Dua të mbështes procedurën që ka filluar, për dekriminalizimin e marihuanës. Besoj se në të ardhmen do të kemi mjedis, personalisht mbështet edhe legalizimin, pasi për shkak të asaj mase do të mundemi të përmirësojmë aktivitetet e shërbimit që shumë pak kontribuon në BPV tonin”, deklaroi Zaev, transmeton SDK.

Ai vlerësoi se kjo do të rritë turizmin dhe hotelerinë.

“Gjitha objektet ekzistuese dhe të reja, në përputhje me licencat që do t’i marrin, do të mund të shërbejnë konsumimin e marihuanës ose kanabisit, që definitivisht mund të ndihmojnë në zhvillimin e aktiviteteve shërbyese në shtet”, deklaroi Zaev.

Ai edhe në mandatin e kaluar vlerësoi se ideja e legalizimit të marihuanës për qëllime rekreative në qendrat turistike si një shembull nga jashtë do të ndikojë në rritjen e turizmit. Megjithatë, ai paralajmëron se për momentin shteti nuk është gati për këtë, megjithëse siç tha, diskutimi është i hapur.

Psikologu dhe eksperti mbi varësinë ndaj drogës Darko Kostovski thotë se kjo e fundit është substancë psikoaktive, e cila ndikon te funksionet psikike të rinjtë, veçanërisht tek ata që kanë predispozicion gjenetik për çrregullime psikike.

Ndryshe, përdorimi i kësaj bime, varësisht prej politikave shtetërore, kryesisht është i ndaluar për qëllime rekreative, por ka edhe shtete të cilat e lejojnë, por me kushte të veçanta.

Në Maqedoninë e Veriut, përdorimi i kanabisit për qëllime rekreative është vepër penale që dënohet me burg, ndërkaq lejohet për ato mjekësore. Disa aktivistë në vend, vazhdimisht kanë ndërmarrë iniciativa që i njëjti të lejohet edhe për përdorim rekreativ. Arsyetimet e tyre janë se sipas ligjeve aktuale në vend, marihuana barazohet me drogat e rënda sintetike, siç janë kokaina apo heroina.

Shoqata e prodhuesve të kanabisit mjekësor “Makkabanis” në dhjetor kanë dërguar apel deri te partitë më të mëdha politike në vend që urgjentisht t’i miratojnë ndryshimet e Ligjit për kontroll të drogave narkotike dhe substancave psikotrope.

Në emisionin “TopStory”, protagonist të ndryshëm folën për kultivimin dhe tregtimin e kanabisit në Maqedoninë e Veriut. “Në industrinë e prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore, është përfshirë edhe familja e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev. Kushëriri i tij, Trajçe Zaev është njëri nga investitorët më të mëdhenj në këtë industri“, thuhet ndër të tjera në dokumentar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button