Kosovë, nga e premtja masa të reja për parandalimin e COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nëpërmjet një konference për media në qeveri sot njoftoi se nga e premtja e kësaj jave në orën 19:00 do të hynë në fuqi masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19) në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj si dhe drejtorin e Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), Naser Ramadani, Hoti në konferencë tha se kanë analizuar dhe vlerësuar se gjendja epidemiologjike në vend është tepër e vështirë, gjë për të cilën është bërë e patjetërsueshme marrja e masave të reja.

Ai tha se Kosova është në limitet e kapaciteteve të saj për përballimin e pandemisë ndërsa theksoi se masat e reja janë të ndara në dy grupe, në ato që përfshijë gjithë territorin e Kosovës dhe masa të cilat vlejnë për komuna të kategorizuara në tre grupe sipas nivelit të rrezikshmërisë.

Sa u përket masave që përfshijnë gjithë territorin e Kosovës, Hoti tha se ato përfshijnë: kontrollet në hyrje-daljet nëpër kufijtë e Kosovës; arsimi i lartë kalon plotësisht në formën online ndërsa ai parauniversitar sipas manualeve nga Ministria e Shëndetësisë, ajo e Arsimit dhe komunave; ekipet mjekësore teknike rikthehen nëpër pikat kufitare për kontrolle; ngritën shtabet komunale emergjente nëpër komuna.

Sa u përket masave të reja specifike për komunat, kryeministri Hoti tha se IKSHPK i ka ndarë ato në komuna me rrezikshmëri të lartë (mbi 150 të infektuar brenda javës), rrezikshmëri të mesëm (76 deri 150 të infektuar brenda javës) dhe të ulët (deri në 75 të infektuar brenda javës).

Në komunat me rrezikshmëri të lartë ku është e koncentruar mbi gjysma e aktivitetit ekonomik e ku përfshihen Prishtina, Podujeva, Gjakova, Peja, Ferizaji, Fushë Kosova, aktiviteti ekonomik do të mbyllet nga ora 19:00 e mbrëmjes deri në orën 5:00 të mëngjesit dhe në këtë orar do të ndalohet edhe lëvizja e lirë me orë policore.

“E lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 7 të mbrëmjes me specifikat sipas manualit për mbrojtjen nga COVID-19. Nga ora 7 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve në këto komuna. Praktikisht do të ketë orë policore nga ora 7 e tutje në këto komuna. Dhe e dyta, ndalohen hyrje-daljet në këto komuna nga ora 7 deri në orën 5 në mëngjes”, tha Hoti.

Ndërkaq, në komunat me rrezik të mesëm, operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga ora 5:00 të mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes me staf esencial, ndërsa pas këtij orari gastronomisë i lejohet funksionimi me metodën “merre me vete”, ndërsa qytetarëve nuk u ndalohet lëvizja e lirë.

Në komunat me rrezikshmëri të ulët, operatorët ekonomik do të lejohen të punojnë nga ora 5:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes ndërsa pas këtij orari gastronomia mund të punojë me metodën e porosive “merre me vete”, ndërsa qytetarëve nuk u ndalohet lëvizja e lirë.

Masat që priten të votohen sot nga një mbledhje online e Qeverisë, Hoti tha se do të hynë në fuqi të premten nga ora 19:00 kur parashihet mbyllja për komunat me rrezikshmëri të lartë. Ai paralamjëroi se nëse bizneset nuk i respektojnë këto masa, do të ndëshkohen.

“Nëse një shitore, një restorant, një qendër tregtare, nëse një biznes ose institucion çfarëdo qoftë ai, nuk i zbaton masat me këtë vendim të Qeverisë dhe masat tjera që parashihen në ligjin përkatës për mbrojtjen nga COVID-19 ose masat tjera që i ndërmerr vetë Ministria e Shëndetësisë do të ketë mbyllje totale për ato biznese, së paku për 3 muaj. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi duke kaluar nëpër situatën më të vështirë në 20 vitet e fundit. Kjo situatë nëpër të cilën po kalojmë krahasohet vetëm me luftën”, tha Hoti.

Ditëve të fundit janë shtuar rastet e reja të të infektuarve me koronavirus në Kosovë. Nga fillimi i përhapjes së pandemisë deri më tash Kosova ka regjistruar 773 raste të vdekjes, 25.388 të infektuar dhe 16.362 të shëruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button