RMV, çfarë parashikojnë dy deklaratat nga Samiti i Sofjes

Krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dje dy deklarata në Samitin e Sofjes në kuadrin e Procesit të Berlinit – për treg të përbashkët rajonal për integrim më të thellë ekonomik rajonal dhe një hap drejt tregut të vetëm të BE-së dhe për agjendë të gjelbër, njofton Portalb.mk.

Në Deklaratën për tregun e përbashkët rajonal, angazhimi unifikues është transformimi i rajonit në përputhje me rregullat dhe standardet e BE-së, në mënyrë që të forcojë aftësinë konkurruese të rajonit për të lëvizur më pranë standardeve të tregut të përbashkët të BE-së. Për këtë, në Samitin e Sofjes u miratua një plan veprimi me hapa konkretë që do të sigurojnë që tregu rajonal të integrohet në zinxhirët e tregut evropian dhe botëror.

Si mbështetje për realizim të këtij qëllimi të rëndësishëm rol vendimtar ka Plani gjithëpërfshirës ekonomik dhe i investimeve për Ballkanin Perëndimor, për projekte në sektorët e prodhimtarisë dhe infrastruktura e qëndrueshme, si kontribut i domosdoshëm për të përcaktuar të ardhmen e përbashkët të rajonit në BE, për prosperitetin e qytetarëve dhe kompanive të saj që angazhohen t’i gëzojnë të njëjtat liri në Bashkimin Evropian.

Deklarata e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor synon që, së bashku me BE-në,  deri në vitin 2050 të arrihet kontinenti të jetë neutral sa i përket karbonit, përmes politikave të rrepta klimatike dhe duke ndërmarrë reforma në sektorët e energjetikës dhe transportit.

Deklarata rreth së cilës u bashkuan të gjithë liderët e rajonit, parashikon zvogëlimin e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës në Ballkanin Perëndimor, si interes i përbashkët edhe i vendeve të rajonit edhe BE-së.

Kjo deklaratë e përfshin edhe bujqësinë për të zbatuar politika për të minimizuar ndikimin e saj negativ në mjedisin jetësor dhe klimën, si dhe për të siguruar ushqim të shëndetshëm me çmime të përballueshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe tregjet e eksportit.

Me këtë deklaratë, vendet e Ballkanit Perëndimor i pranojnë politikat evropiane për një strategji afatgjatë për të ndaluar humbjen e biodiversitetit, mbrojtjen dhe rivendosjen e ekosistemeve dhe diversitetin biologjik, për të cilat propozohen një sërë aktivitetesh.

Më në fund, u miratua dokumenti “Konkluzionet e bashkë-nikoqirëve”, në të cilin, ndër të tjera, të dy vendeve bashkë-kryesuese u jepen vlerësime të larta për realizimin dhe organizimin e të gjitha ngjarjeve gjatë këtij viti në të cilin për herë të parë procesi u menaxhua nga dy vende, një anëtar BE-së dhe një vend kandidat për anëtarësim.

Në “Konkluzionet e bashkë-nikoqirëve” që u pranuan, të gjithë udhëheqësit e Samitit, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët e tyre të BE-së, ranë dakord se ideja e nikoqirllëkut të përbashkët, e realizuar për herë të parë në kuadër të Procesit të Berlinit, paraqet sinjal të qartë për pronësi të përforcuar rajonale të procesit dhe më tej forcon përpjekjet që synojnë konvergjencën dhe kohezionin politik dhe socio-ekonomik të vendeve të rajonit dhe të rajonit në tërësi me BE-në.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button