Kovid-19, BE-ja gati për blerjen e vaksinës, Putin i bindur në ato ruse, derisa Trump vonesën e lidh me zgjedhjet në SHBA

Vaksina në zhvillim e sipër kundër Kovid-19 ka rritur dinamikën e zhvillimeve politike në shumë shtete, kryesisht në SHBA, Rusi, Indi dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Në SHBA vlerësohet se zbulimi i kësaj vaksine është keqpërdorur edhe për pikë elektorale në zgjedhjet e fundit të 3 nëntorit.

“FDA dhe demokratët nuk donin që vaksina të dilte përpara zgjedhjeve, e vonuan 5 ditë”, u shpreh Trump, transmeton Koha.net.

Ndërkohë, DW raporton se kanë mbaruar negociatat ndërmjet Komisionit të BE-së dhe dy kompanive që janë drejt përfundimit të vaksinës, Biontech dhe Pfizer.

“Marrëveshjet do të nënshkruhen orët në vijim dhe një ditë më pas ato do të ankorohen ligjërisht në vendimet e Komisionit”, tha për televizionin Phoenix Manfred Weber, kryetar i grupit parlamentar të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian.

Jens Spahn, ministri gjerman i shëndetësisë që kishte vlerësuar në muajin tetor se vaksinimi do të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2021, thekson se 100 milionë vaksina planifikohen për Gjermaninë, duke vlerësuar se në ditët në vazhdim mund të ketë marrëveshje.

“Tashmë janë dy vaksina të regjistruara. Studimet kanë treguar dhe konfirmuar se, së pari, këto vaksina janë të sigurta dhe nuk kanë efekte anësore pas përdorimit”, deklaroi për vaksinat ruse presidenti rus, Vladimir Putin, raporton koha.net. Ai kërkoi që mos të politizohet puna e vaksinës.

Ndryshe, vaksina e Biontech dhe Pfizer duhet të licencohet në SHBA dhe BE, derisa BE-ja ka të nënshkruar marrëveshje paraprake edhe me kompani të tjera.

Ursulla fon der Llajen, kryetarja e Komisionit Evropian më herët ka vlerësuar se vaksina e parë pritet në fund të vitit, por edhe atëherë do të jetë thelbësore për qytetarët që të mbajnë maska dhe të mbajnë distancën fizike, sepse vala e tretë e pandemisë paraqet kërcënim.

Moska planifikon vaksinimin masiv kundër korona virusit në fund të këtij viti, ndërsa Gjermania planifikon në fillim të vitit të ardhshëm, sikurse pritet edhe SHBA-ja.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në muajin tetor seancën e 11-të vendosi për mënyrën e blerjes së vaksinës kundër Kovid-19, përmes mekanizmit Covax..

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button