Samiti i Sofjes nuk ofroi zgjidhje për problemet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Kryeminsitri i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, sot në Samitin e Sofjes në kuadër të Procesit të Berlinit, përkundër kërkesës së kancelares Merkel, nuk arritën të gjejnë një zgjidhje për çështjet problematike, që mund të shfaqen si pengesë për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk

“Unë besoj se ne kemi rinovuar vrullin dhe mbështetjen e dukshme politike për procesin e zgjerimit dhe drejtimin e negociatave të pranimit. Ne, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta përdorim atë për të mirën e të gjithë qytetarëve,” ka deklaruar Zaev.

Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci për REL vlerëson se situate mund të jetë edhe më e keqe se ajo me Greqinë, nëse nuk ka kompromis nga të dy palët.

“Kërkesat për gjuhën maqedonase ne i konsiderojmë të zgjidhura. Gjuha maqedonase e standardizuar ekziston dhe këtë e kemi sqaruar shumë herë. Këtë e dinë edhe pala tjetër, por ndoshta e shfrytëzon për fitimin e pikëve politike në rrethana tjera. Ka shumë argumente për të qenë pesimistë në qëndrimet e palës bullgare. Rezistenca është edhe më e madhe se në rastin me Greqinë, por vendimin atëherë e solli (ish-kryeministri i Greqisë, Alexis) Tsipras, kështu mund të ndodhë edhe në rastin me Bullgarinë ku në fund vendimin e sjell Borisov”, deklaroi Trashanovski, duke vlerësuar se kjo do të ndikon në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e paqes në rajon.

Shpëtim Pollozhani, njohës i çështjeve politike, vlerëson se pala maqedonase duhet të jetë më realiste.

“Problemi qëndron në faktin se Maqedonia e Veriut me lehtësi të madhe hyri dhe me pretendime të tepërta hyri në këtë dialog, duke harruar se Bullgaria është shtet anëtar i BE-së dhe se ka më shumë miq në institucionet evropiane. Unë mendoj se ky do të jetë një ngërç duke marrë parasysh krizën ekonomike dhe politike në Bullgari. Ky kontest duhet të zgjidhjet me një marrëveshje të pranueshme nga të dyja palët. Mirëpo, Maqedonia e Veriut duhet ta zbresë topin në tokë dhe të jetë pak më realiste për ngjarjet dhe personalitetet historike”, ka deklaruar Pollozhani.

Kujtojmë se, disa ditë me radhë midis Shkupit, Sofjes dhe Berlinit po zhvillohet një linjë e nxehtë për të tejkaluar kontestin. Ministri i Jashtëm gjerman Hajko Mas dje porositi se kontesti duhet të zgjidhet në mënyrë bilaterale midis dy vendeve.

Sipas Dojçe Vele, në takimin e javës së kaluar në Berlin të organizuar nga Ministria e jashtme gjermane, përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Bullgarisë arritën një marrëveshje për kapërcimin e bllokadës së paralajmëruar në BE. Sofja më vonë u tërhoq nga marrëveshja. Pyetja është nëse Bullgaria do të jetë në gjendje të pranojë zgjidhjen e arritur në Berlin për shkak të mosmarrëveshjeve në koalicionin qeverisës, por edhe rezistencës së Presidentit Rumen Radev dhe socialistëve në opozitë.

Bullgaria e bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në, duke kërkuar që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është dialekt i gjuhës bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button