RMV, U dorëzuan ndryshimet ligjore në Kuvend për pensionimin

LSDM-ja ka dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ndryshimet ligjore në lidhje me kushtet e pensionimit, që partia në pushtet e vlerëson si mbajtje e premtimit, transmeton Portalb.mk.

“Deputetët e LSDM-së në procedurë kuvendore kanë dorëzuar Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhënie pune, që parashikon pension të detyrueshëm në moshën 64 vjeçare dhe 15 vjet përvojë pune”, njoftojnë nga LSDM-ja.

Ata vlerësojnë se ky është një nga premtimet kryesore që e kanë dhënë para qytetarëve.

“Në këtë mënyrë ne krijojmë kushte për zvogëlimin e numrit të të punësuarve në administratën shtetërore dhe në sektorin publik, por edhe hapim hapësirë ​​për punësimin e kuadrit të ri që mund të japë kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e procesit të punës”, deklarojnë nga LSDM-ja.

Ndryshe, Zoran Zaev pas zgjedhjeve të 15 korrikut, theksoi se janë në shqyrtim të mundësisë që të mundësohet dalja në pension 5 vjet para kohës së pensionimit, si dhe premtoi pensione për personat mbi 65 vjet. Në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e 15 korrikut, kryeministri Zoran Zaev premtoi rritje të pensioneve për 21%.

“Do të japim pension social shtetëror për çdo person mbi 65 vjet, i cili në 20 vjetët e fundit ka jetuar në territorin e vendit tonë dhe nuk i plotëson kushtet për pension pleqëri”, deklaroi Zaev.

Sipas të dhënave të cilat i ka marrë nga MSHIA për momentin ka rreth 10.300 persona të cilët janë në moshën mbi 64 vjet, ndërsa ende janë në marrëdhënie pune.

“Ligji është menduar që të jetë i detyrueshëm pensionimi në moshën 64 vjeçare, gjegjësisht 62 vite për gratë në mënyrë fleksibile, përveç për të punësuarit në shëndetësi, mjekët dhe personelin mjekësor dhe për arsimin e lartë”, kishte deklaruar Zaev.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button