Komiteti i Helsinkit në RMV: Gjuha e urrejtjes rritet MPB dhe Prokuroria nuk reagojnë

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në muajin tetor të vitit 2020, ngjashëm me periudhën e mëparshme, vëren përsëri një rritje të trendit të lartë të rasteve të gjuhës së urrejtjes. Veçanërisht theksojnë se gjuha e urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike po rritet në vazhdimësi, njofton Portalb.mk.

“Edhe përkundër numrit të madh të thirrjeve publike për veprim aktiv në terren dhe në mediat sociale, ende ekziston një inerci dhe mosreagim nga ana e institucioneve, sidomos nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

Komiteti ka verifikuar gjithsej 104 denoncime për gjuhë të urrejtjes në muajin tetor të 2020, që paraqet një rritje për 10% në krahasim me muajin e kaluar.

“Numri më i madh i rasteve në muajin tetor iu referuan përsëri denoncimeve në lidhje me gjuhën e urrejtjes bazuar në përkatësi etnike, e cila është në rritje të vazhdueshme që nga fillimi i pandemisë globale në muajin mars të këtij viti. Retorika negative u përshkallëzua këtë muaj në mediat sociale që kontribuoi në një numër të lartë denoncimesh të gjuhës së urrejtjes në mediat sociale bazuar në përkatësinë etnike, madje 46% të numrit të përgjithshëm të të gjitha denoncimeve për këtë muaj”, thonë nga KH.

Megjithëse tema e gjuhës së urrejtjes trajtohet nga Komisioni Evropian në raportet e tij të rregullta, këtë vit për herë të parë gjuha e urrejtjes merr një trajtim të veçantë dhe bëhet pjesë e rekomandimeve kryesore në nivel të Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore.

Sipas metodologjisë së re të negociatave të miratuar në fillim të vitit, përmbushja e këtyre rekomandimeve është një parakusht për hapjen e një grupi që lidhet me kapitujt që i referohen demokracisë dhe sundimit të ligjit. Një nga rekomandimet kryesore të Komisionit është ekzistojnë mospërputhje ligjore në rregullimin e gjuhës së urrejtjes. Kërkohet një rishikim i kornizës ligjore në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

Komisioni arrin në përfundimin se gjuha e urrejtjes është një vepër penale, por që është e përhapur gjerësisht në mediat sociale.

Komiteti i Helsinkit përmes monitorimit të tij bie dakord që korniza ligjore duhet të rishikohet dhe të merren masa konkrete për ta sanksionuar atë duke ndërtuar kapacitetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Publike.

Konfirmohen konstatimet e Komitetit të Helsinkit se mekanizmat parandalues kombëtarë për trajtimin e gjuhës së urrejtjes janë joadekuate.

“Ajo që përsëritet që nga viti 2019 është konstatimi se nuk ekziston bazë të dhënash për dokumentimin sistemor të rasteve të gjuhës së urrejtjes. Pozitive është fakti se po njihet roli i organizatave të shoqërisë civile, përfshi edhe Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në grumbullimin, dokumentimin dhe procesimin e denoncimeve”, thonë nga KH.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button