Nuk trajtohen qentë endacak që kafshojnë banorët e Tetovës, Komuna dhe kompania flasin ndryshe

Ka më shumë se një muaj nga kur mjetet e kompanisë “Dog and Cat” për trajtimin e qenve endacak në Komunën e Tetovës kanë mbaruar dhe aktualisht nuk ka asnjë trajtim për këta qen. Nga Komuna e Tetovës edhe pse janë të informuar se mjetet kanë mbaruar, për Portalb.mk pohojnë se “kontrata është ende në fuqi”. Ndërkaq, në kumtesat e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë, thuajse çdo ditë ka informatë për ndonjë qytetar të kafshuar nga qentë endacak, shkruan Portalb.mk.

Pronari i kompanisë “Dog and Cat” theksoi se tashmë ka një muaj që nuk ka mjete financiare për të trajtuar qentë endacak, kjo sidomos për faktin se trajtimi i secilit qen është i kushtueshëm.

Ambulanta e cila ka fituar të gjithë tenderët për zgjidhjen e këtij problemi, në Tetovë, Gostivar dhe Dibër.
Ambulanta e cila ka fituar të gjithë tenderët për zgjidhjen e këtij problemi, në Tetovë, Gostivar dhe Dibër.

“Ka 1 muaj që më kanë mbaruar mjetet financiare për trajtimin e qenve endacak në Tetovë, me tenderin e fundit kemi trajtuar mbi 100 qen, unë menjëherë i kam informuar autoritetet komunale se mjete më nuk ka, për trajtimin e secilit qen nevojiten 9000 denarë” tha Rami Selmani.

Nga Komuna e Tetovës kanë hapur gjithsej 3 tenderë, edhe atë dy të parit me nga 600 mijë denarë ndërkaq i fundit 1 milion denarë.

Sa para, aq muzikë tha pronari i “Dog and Cat” në pyetjen se pse nuk arrihet që të gjithë qentë të trajtohen dhe sterilizohen në një afat kohor më të shpejtë, marrë parasysh se kjo problematikë është e kamotshme në Tetovë.

“Mjetet financiare të cilat ndahen për këtë qëllim nuk janë të mjaftueshme, tajtimi i secilit qen veçmas është procedurë e kushtueshme. 9000 denarë për një qen ndërsa paratë që ndahen nuk na mjaftojnë. Në qoftë se do të ndahen 3 milion denarë ashtu siç u premtua nga komuna, besoj se do të zgjidhet problemi” tha Rami Selmani nga kompania që vazhdimisht ka fituar tenderin nga Komuna e Tetovës për trajtimin e qenve endacak.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

Nga Komuna e Tetovës potencojnë se kontrata e fundit të cilën e kanë nënshkruar me kompaninë “Dog and Cat” është ende në fuqi, ndërkaq për vitin e ardhshëm, janë parapa më shumë mjete.

“Kontrata për trajtimin e qenve endacak në Komunën e Tetovës është ende në fuqi edhe disa muaj. Ndërkaq për vitin 2021 kemi planifikuar buxhet prej gjithsej 3 milion denarëve për qasje të kësaj problematike të Tetovës” deklaruan nga Komuna e Tetovës.

Ndërkaq në kumtesat ditore të Sektorit për Punë të Brendshme (SPB), thuajse çdo ditë ka raste të kafshimit nga qentë endacak.

Kush duhet të ju paguaje në qoftë se ju kafshon qeni endacak?

Për kafshim nga qentë endacak, qytetarët fillimisht duhet të paraqesin rastin në polici dhe më pas në komunën, në territorin e të cilës janë kafshuar. Në qoftë se vjen rasti deri në gjykatë, praktika tregon se qytetari për dhimbjet fizike mund të marrë dëmshpërblim 35.000 denarë, për frikën 30.000 denarë, për dhimbjet shpirtërore 20.000 denarë dhe për shëmtim prej 5.000 denarë, apo kjo shumë gjithsej kap vlerën prej 90.000 denarë,

Cila është qasja më e mirë kundrejt kësaj problematike?

Qen, qen endacak, qente

Sipas veterinarit Rami Selmanit, kjo problematikë nuk është vetëm e Tetovës por shtetërore, ai tha se në qoftë se ndahen mjete të mjaftueshme në të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut, për pak kohë ky problem zgjidhet.

“Problemi i qenve endacak është problem shtetërorë dhe jo vetëm i Tetovës, në qoftë se secila komunë, sigurohet që në qytetin e vetë qentë janë të sterilizuar dhe i qasen seriozisht kësaj problematike, problemi mund të zgjidhet” shtoi Rami Selmani.

Ai gjithashtu theksoi se shumë qen sillen nga qytete të ndryshme të vendit, duke mos potencuar se nga ku dhe kush i sjellë.

Të njëjtën e potencoi edhe kryetarja Arifi, duke shtuar se gjithmonë nga qytetarët ka kërkuar një fotografi si dëshmi se qentë po sjellën nga jashtë, në mënyrë që rastet e tilla të kenë epilog gjyqësorë.

“Disa çështje në qoftë se nuk kanë kornizë shtetërore të zgjidhjes, është shumë problematike që në mënyrë parciale të bëhet zgjidhja. Andaj, ka raste që qentë sillen nga jashtë, unë gjithmonë kam kërkuar fotografi apo video incizim nga qytetarët të cilët denoncojnë diçka të tillë në mënyrë që të hapim procese gjyqësore” tha Teuta Arifi dje në “Click Plus”, TV21.

Ndryshe, nga Sektori për Punë të Brendshme disa muaj më herët për Portalb.mk thanë se deri në momentin që diçka e tillë nuk është denoncuar te ata me dëshmi relevante, bëhet fjalë thjeshtë për thashetheme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button