Hashim Thaçi akuzohet në 10 pika për krime lufte dhe kundër njerëzimit, deklarohet i pafajshëm

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka dalë përpara Gjykatës Speciale në Hagë, në të cilën është mbajtur seanca fillestare. Sekretari i Gjykatës, e lexoi aktakuzën e konfirmuar në mënyrë sipërfaqësore, ndërkaq Thaçi, i ka hedhur poshtë të gjitha pikat, njofton Portalb.mk.

10 pikat e akuzës:

  • 1 Përndjekje krim kundër njerëzimit
  • 2 Burgosje – krim kundër njerëzimit
  • 3 Ndalim arbitrar, krim lufte
  • 4 Akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit
  • 5 Trajtim njerëzor, krim lufte
  • 6 Torturë, krim kundër njerëzimit
  • 7 Torturë, krim lufte
  • 8 Vrasje, krim kundër njerëzimit
  • 9 Vrasje e paligjshme, krim lufte
  • 10 Zhdukje me forcë e personave, krim kundër njerëzimit

Sipas akuzës, këto vepra janë bërë prej prillit të vitit 1998 deri në gusht të vitit 1999.

“Ato u kryen në këto vende si: Bajgorë, Llapashticë, Majanc, Potok dhe vende tjera në komunë e Podujevës, vende tjera në komunën e Rahovecit, Drenasit, Ferizajt, Gjilanit, Jabllanicë në Gjakovë, Kaçanik dhe vende tjera në komunën e Lipjanit, Likoc në Skenderaj, Malishevë, në Klinë, Novobërdë, vende tjera në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Suharekës dhe Viti dhe Cahan dhe Kukës në Shqipërinë veriore”, tha ai.

David Hooper
David Hooper

Sekretarit tha se krimet në pikat 1,2,4,6,8 u kryen si pjesë e një sulmi ndaj popullatës civile. Këto krime kishin në shënjestër kundërshtarët që kishin lidhje me forcat e ish Republikës së Jugosllavisë (Serbisë), nuk përkrahnin UÇK-në dhe ishin kundër qeverisë së përkohshme duke përfshirë edhe persona që kishin lidhje me LDK-në.

Kurse krimet në pikat 3.5.7.9 u kryen kundër personave që nuk merrnin pjesë në luftime aktive.

“Ju dëgjoja, i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha. Akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht”, tha Thaçi, pasi që gjykatësi i lëndës Nicolas Guillou i dha leje për t’u deklaruar në lidhje me akuzën.

Avokati i Thaçit, David Hooper, deklaroi se Thaçi do të bashkëpunojë me Gjykatën, por ka dhënë kritika se shumë pak u kanë dhënë për të përgatitur mbrojtjen.

“Ne për herë të parë për këto çështje jemi njoftuar të mërkurën në mbrëmje apo të enjten, pra me fjalë të tjera nuk ishte e mundur që të themelohet një ekip mbrojtës dhe njerëz që do të dëshironin të ishin të pranishëm. Është e pakuptimtë dhe e kemi të vështirë ta kuptojmë se pse është bërë kjo”, tha Hooper.

Ai shpërtheu në kritika edhe në lidhje me atë se ku janë aktakuzat për trafikim të organeve.

“Ku janë pretendimet për vjedhjen e organeve e organeve njerëzore dhe historia e shtëpisë së verdhë e cila ishte kaq e rëndësishme për nxitjen e krijimit të kësaj gjykate”, tha avokati.

Paraprakisht ka dhënë deklaratë para Gjykatës Speciale, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi. Edhe ai, sikur Thaçi është vetëdeklaruar i pafajshëm.

Krasniqi në seancën e cila ishte publike tha se ndjehet tepër i mllefosur ngase “në seancë gjendet pa të drejtë”. Ai ka theksuar se nuk i ka bërë asnjëherë në jetë dikujt padrejtësi, aq sa i është bërë atij padrejtësi nga dita e arrestimit deri në momentin kur u soll në sallën e seancës. Krasniqi ka shprehur kundërshti me atë që aktakuza e quan ndërmarrje kriminale veprimtarinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë çlirimtare dhe është bërë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Aleancën Veriatlantike – NATO.

Mbi ish-kryeparlamentarin Krasniqi dhe presidentin e dorëhequr, Hashim Thaçi, rëndon aktakuza në të cilën ndër të tjera thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.

Aktakuza e Thaçit u konfirmua pas atyre të Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button