Zaharieva: Kushtet tona nuk kanë ndryshuar me vite, Osmani megjithatë optimist

Ministra e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, deklaroi sot se kushtet e Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut nuk kanë ndryshuar me vite dhe se është e habitur që ato duken si të jenë të reja për opinionin, transmeton Portalb.mk.

“Po do ta mbajmë përgjegjësinë tonë, ne jemi të mësuar të mbajmë përgjegjësinë tonë. Do të doja edhe kolegët nga Shkupi ta mbajnë përgjegjësinë e tyre. Pasi kemi kryesim gjerman momentalisht dhe Gjermania është njëra nga vendet themeluese, nuk ka shumë vende të tilla që e mbështesin zgjerimin dhe posaçërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Zaharieva.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i vendit, Bujar Osmani, mbetet në qëndrimin se Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë është kornizë shumë e mirë për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për kontestin me Bullgarinë. Osmani shpreson se do të dëgjohet arsyeja për tejkalimin e çështjeve të hapura mes dy vendeve.

“Unë personalisht jam optimist, të dy vendet kemi investuar shumë. Jemi shumë afër, që të mos gjejmë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për investimin në këtë proces dhe për pasojat nga dështimi”, tha Osmani.

Në këtë takim mori pjesë edhe kryediplomati gjerman, Haiko Maas, i cili tha se Gjermania shpreson se do të ketë mirëkuptim mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që do t’i kënaq dy vendet. Nëse nuk ndodh kjo, sipas tij, procesi i zgjerimit do të përballet me vështirësi.

I pyetur nëse kërkesa për rrënjë bullgare të gjuhës maqedonase i rishqyrton themelet e BE-së, në kuptimin që ajo të jetë kusht për zgjerim dhe nëse Gjermania do ta vlerësojë për dështim persona mos fillimin e negociatave me BE-në, Maas u përgjigj:

“Në BE ka 26 vende, njëra prej tyre është Bullgaria, kështu që interesat e saj duhet të merren parasysh, si edhe interesat e vendeve të tjera anëtare. Për këtë, kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm mes dy vendeve, Gjermania ndihmon por, nuk mund të sjellim vendime në vend të tyre”, deklaroi Maas.

Ndërkohë, kryeministrat e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, dje kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ku kanë shfaqur bindje të ndërsjellë se do të vazhdojnë të bisedojnë edhe drejtpërdrejtë dhe përmes përfaqësuesve të tyre qeveritarë dhe ekipeve, me qëllim të gjetjes së zgjidhjes së përbashkët për çështjet e hapura bilaterale në interes të së dy vendeve dhe në interes të integrimeve evropiane.

Bullgaria e bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në, duke kërkuar që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgaree dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button