Jakup Krasniqi u vetëdeklarua i pafajshëm në Gjykatën Speciale në Hagë (VIDEO)

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi është vetëdeklaruar i pafajshëm para Zyrës së Prokurorit të Specializuar për krime lufte në seancën e parë, 5 ditë pas arrestimit dhe transferimit të tij në Hagë të Holandës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Krasniqi në seancën e cila ishte publike tha se ndjehet tepër i mllefosur ngase “në seancë gjendet pa të drejtë”.

“Unë dhe pse kam pasur një bisedë dje me avokaten dhe i kemi shikuar telegrafikisht pikat kryesore të aktakuzës edhe më herët e thash dhe po e them, unë nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet aty”, ka thënë Krasniqi.

Tutje ai ka theksuar se nuk i ka bërë asnjëherë në jetë dikujt padrejtësi, aq sa i është bërë atij padrejtësi nga dita e arrestimit deri në momentin kur u soll në sallën e seancës.

“Jam këtu pa të drejtë, unë duhet të jem në vendin tim dhe me familjen time. Unë nuk ndjej asnjë përgjegjësi të vetme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk ka dashur të ketë avokat mbrojtës në seancat e tij, porse ka pranuar të ketë vetëm pas kërkesave të familjarëve të tij.

Krasniqi ka shprehur kundërshti me atë që aktakuza e quan ndërmarrje kriminale veprimtarinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë çlirimtare dhe është bërë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Aleancën Veriatlantike – NATO.

Sipas tij, ndërmarrje e përbashkët kriminale janë serbët në Serbi, të cilët edhe kanë dorë tek gjykata ku është sjellë Krasniqi për gjykim.

“Unë mendoj se adresa e qartë e krejt kësaj maskarade është në Beograd dhe te mbështetësit të politikave të saj kudo qofshin ato”, ka thënë ai.

Në kuadër të një operacioni nga Zyra e Prokurorit të Specializuar apo Gjykata Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës, policia e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës bastisën shtëpinë e Jakup Krasniqit në lagjen Velania në Prishtinë më 4 nëntor dhe më pas e arrestuan atë për ta transferuar drejtë Hagës në të njëjtën ditë.

Mbi ish-kryeparlamentarin Krasniqi dhe presidentin e dorëhequr, Hashim Thaçi i cili do të paraqitet po ashtu sot në orën 15:00 pasdite në seancën e parë, rëndon aktakuza në të cilën ndër të tjera thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.

Aktakuza e Thaçit u konfirmua pas atyre të Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button