TRI LAJME

Nga dritarja e dhomës ku presim të kalojë kjo murtajë e shekullit njëzet e një duken vetëm parku i shkollës dhe rruga e asfaltuar rreth parkut. Në park duket një grua që rri në këmbë me dy fëmijë që vrapojnë. Pak më tutje një njeri e shëtit qenin. Në rrugë shkojnë varg makinat. Larg duken vetëm dy këmbësorë. Dielli i pasdites i fillimit të nëntorit i nxjerr në pah ngjyrat e gjetheve, të cilat nuk shpërndajnë si zakonisht mesazhe nga Muza e mirë, por bashkë me gjethet që bien e përçojnë njëfarë pikëllimi. Mungon gjallëria e zakonshme që gëlon në ditët e vjeshtës me diell Pastaj dy sorra fluturojnë në drejtim të dritares e kur afrohen, kthejnë për njëqind e tetëdhjetë shkallë e treten në drejtim të panjohur.  Rrugës qarkullojnë njerëzit me vetura.  Dy njerëz – kambësorët e vetëm, futen në ndërtesën e parë. Pastaj fillon të bjerë muzgu.

Brenda në shtëpi dëgjohet vetëm zëri i televizorit. Lajme, lajme. Thuajse të gjithë hapësirën e kanë mbuluar tri lajme: burgosja e presidentit të Kosovës – Hashim Thaçi dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë e partiakë të Kosovës. Ishte kjo praktikisht një ndjekje e vrazhdë si në filmat me temë nga i ashtuquajturi perëndim i egër. Pjesa dërmuese e njerëzve e ndjejnë këtë shou të të ashtuquajturit gjyq special të Kosovës si goditje ndaj shtetësisë së Kosovës,  e rrjedhimisht edhe si ndjekje të shqiptarëve. Ashtu ngjan kjo punë pasi bazohet në të dhënat që ish gazetari Dik Marti i ka marrë nga Beogradi. Ku na e gjeti gjithë atë forcë një gazetar mediokër që ta bëjë gjithë këtë rrëmujë?!

Lajmi i dytë është pandemia, e cila është futur në çdo qytet e fshat me njëfarë triumfalizmi si kalërësi i katërt i apokalipsës. Lirinë e ka kufizuar virusi me një emër që s’i shkon, me emrin e kurorës. Mediat e kanë shpallur si armik të padukshëm të cilit me muaj të tëra s’ka ç’i bëjnë as fuqitë më të mëdha të botës. E gjithë bota praktikisht është në grusht të një virusi, të një cikërrime të padukshme e cila ecën triumfalisht duke i prekur njerëzit me ligësinë e tij dhe duke marrë për çdo ditë haraç me shumë jetëra njerëzish. Ky virus na e ka tkurrur hapësirën e ëndrrave. Më shumica prej nesh i kemi lënë planet anash. E duam vetëm shëndetin dhe me padurim e presin vaksinën ose barin kundër kësaj murtaje të këtij shekulli, e cila na ka marrë shumë miq e dashamirë, njerëz me peshë e njerëz të mirë. Dhe, praktikisht ne jemi në zi.

Lajmi i fundit: zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meqë pandemia na mban në karantinë vullnetare, komunikimi më i mirë ka mbetur telefoni. Miqtë më paraqiten ose unë i kërkoj për të pyetur si janë. Vazhdimi i bisedës janë zgjedhjet  në shtetin te i cili gjithmonë i kemi pasur të varura shpresat, duke pasur parasysh realitetin dhe rrethimin gjeografik ku na ka vendur perëndia të jetojmë. Kjo natë kureshtarëve u kalon para ekraneve TV. E ndjekin ecurinë e votave që numërohen. Dhe, menjëherë i telefonojnë mikut, shokut, të afërmit. “A e pe?… A po e sheh”?  Bajdeni po ecën me hapa të sigurt përpara. Në zërat e tyre ndjehet një gëzim se po vjen një erë e re në politikën dhe ekonominë amerikane, të këtij vendi i cili që nga koha e presidentit Uilson e deri më tash ka qenë i vetmi mik i sinqertë i popullit shqiptar.

Derisa i shkruaj këto rreshta, vonë, shumë vonë, nga televizori që vazhdimisht është i hapur vjen lajmi nga një TV amerikan: Xho Bajdeni – president i ri i Shteteve të bashkuara të Amerikës!

Dikush në shtëpi thotë: “Më në fund një lajm i mirë në vitin 2020!”

Jashtë dëgjohet një urraaaa! Njerëzit gëzohen për fitoren e Bajdenit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button