Gazifikimi një sfidë e re për Maqedoninë e Veriut

Në fund të viteve 1700, Revolucioni Industrial në Evropën Perëndimore solli ndryshime dramatike në mënyrën e ngrohjes dhe funksionimit të fabrikave që tashmë kishin punësuar mijëra evropianë. Kriza energjetike ishte si pasojë e përdorimit të madh të drurit dhe qymyr drurit, pasi popullata e Evropës Perëndimore me shekuj i kishte prerë drunjtë dhe shfrytëzuar si lëndë të parë.

Diku në mes të zgjerimit kolonial evropian, shtetet kërkonin burime tjera të energjisë. Me shpikjen e hekurit dhe më vonë të gazit gjithçka ndryshoi në Evropën Perëndimore. Në ndërkohë në Ballkan, popullata vazhdonte mënyrën primitive të ngrohjes me dru ose të përdorimit të mjeteve të vjetra. Disa shtete evropiane filluan ta përdornin thëngjillin, pasi vinte në lëvizje makinat dhe mund të shëndërohej në “koks” i cili ishte karburant i pastër për të fituar hekurin dhe çelikun.

Disa dekada më pas, Henri Besemer shpiku”furrën e shkrirjes” e cila mund të prodhonte sasi të mjaftueshme të çelikut.  Çeliku i lirë 150 vite më parë, bëri të mundur ndërtimin e urave, anijeve, makinave, sistemeve tjera për ndërtimin e tubacioneve të gazit dhe shumë pjesëve që ne sot i përdorim për nxemje. Ashtu si ndryshuan teknologjitë e gazifikimit, nga presioni i zhvillimit ekonomik evropian, banorët e Ballkanit dhe shteteve tjera u detyruan të “modernizohen” duke instaluar sisteme qendrore të ngrohjes dhe gatimit, por jo edhe aq ekonomike për familjet dhe degët e industrisë.

Pjesa dërmuese e popullatës dhe e industrisë në Maqedoninë e Veriut, ende vazhdon të përdorë sistemet jugosllave të nxemjes qendrore dhe shfrytëzimit të qymyrit, ndërsa pjesa rurale ende vazhdon me instalimin e teknologjive kineze dhe serbe të ngrohjes që si lëndë të parë kërkojnë drurin, naftën ose rrymën.

Tani mbi 200 vite pas ndryshimeve shoqërore në Evropë, Maqedonia e Veriut dhe Ballkani po përballen me krizë energjetike dhe mënyrës se si të gjindet një rrugë alternative e furnizimit.

Kur filloi ndërtimi i tubacionit të gazit natyror “Rrjedhja Jugore”, projekt rus, amerikanët u çuan kundër këtij projekti gjigant duke thënë se rusët do të dominonin rajonin me këtë projekt dhe do të ndërhyjnë në politikat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Gazifikimi u bë mjet i politikës në mes shteteve të fuqishme, por në dëm të vendeve të vogla që nuk kanë energji alternative. Më vonë “Rrjedha Jugore” u shëndrua në “Rrjedha Turke” e që pritet të aktivizohet në vitin 2021. Një delegacion qeveritar amerikan gjatë një vizite në Athinë dhe të një konference ndërkombëtare të energjisë, propozoi një linjë tjetër që furnizimi i MV-së të bëhet nga Greqia si nyjë kryesore e gazit dhe që do të vijë nga Turqia. Kjo është në rregull, pasi qeveritë e Ballkanit kanë deklaruar se do të hynë në këtë projekt pasi nuk duan të jenë nën ndikimin e politikave energjetike ruse.

Mirëpo, qeveria në Shkup, në përgatitjet e rrjetit primar të tubacioneve, qëndron prapa dhe mënyra e projektit si është konceptuar vështirë se do t’i përfshijë të gjitha vendbanimet e Maqedonisë Veri-Perëndimore. Për shfrytëzimin e gazit natyror ose atij të lëngshëm (LGN), së pari duhet të ekzistojë infrastruktura kritike, ajo sekondare dhe e treta të fillojë prodhimi i mjeteve dhe paisjeve që janë në pajtim me shfrytëzimin e gazit natyror dhe atij LGN.

Duke i lexuar propozimet, vendimet qeveritare dhe çfarë tjetër kemi në tregun tonë dhe atë rajonal, vërehet mungesë totale e strategjisë se si do të furnizohen me gaz objektet, vendbanimet, qytetet etj. Qeveria mund të jetë e gëzuar, por pa një strategji të definuar mirë të gazifikimit, do të jetë e vështirë ndërtimi i rrjetit dhe të teknologjive që duhen të instalohen nëpër objektet e banimit.

Në SHBA dhe në shtetet ky gazi është primar, ky problem është zgjidhur dhe tani mjetet e instalimit për konsumatorët dhe industritë nga e gjithë bota dhe vendi prodhohen në bazë të kritereve dhe standardeve të gazifikimit qoftë për përdorim shtëpiak dhe komercial.

Një krizë në rritje në MV, mund të paraqitet pas shpalljes së pasurive malore si vlerë kombëtare dhe të mbrojtura nga shteti. Andaj, qeveria dhe autoritetet lokale duhet të mendojnë se si më tej me gazifikimin dhe suksesin e projektit. Nuk duhet lënë anësh pasojat në kursin e jashtëm nëse qeveria në të ardhmen do të vendosë të hyjë përsëri në projekte me emra tjerë por që kanë markën ruse.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button