Katër fusha pa asnjë progres në RVM, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës pa kapacitet administrativ dhe zbatues

Lëvizja e lirë e mallrave, lëvizja e lirë e puntorëve, politika e konkurrencës dhe mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit publik, janë katër fushat në të cilat Republika e  Maqedonisë së Veriut nuk ka shënuar asnjë progres, por llogaritet si mesatarisht e përgatitur. Në të njejtat fusha, BE-ja, RMV-në e ka vlerësuar pa asnjë progres edhe në katër raporte paraprake të viteve  2016, 2017, 2018, 2019. Megjithatë në disa prej fushave janë ndërmarrë plane dhe strategji disa vjeçare për të përmirësuar pasqyrën e vendit tonë në sytë e Bashkimit Evropian, duke dashur të dëshmohet merita për aderim në strukturat evropiane, njofton Portalb.mk.

Lëvizja e lirë e mallrave nënkupton që produktet duhet të qarkullojnë lirshëm nga një pjesë e Bashkimit në tjetrën. Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për lëvizjen e lirë të mallrave. Legjislacioni kombëtar, i cili duhet të lejojë që produktet  të tregtohen lirisht është i vendosur mirë dhe kryesisht ndjek legjislacionin e BE-së. Nuk kishte progres, thuhet në raport, në rekomandimet e vitit të kaluar. Pengesat jo-tarifore në tregti mbeten dhe nuk janë hequr ende dhe kapaciteti i mbikëqyrjes së tregut mbetet i pamjaftueshëm. Rekomandimet e vitit të kaluar mbeten akoma të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, sipas KE-së, Maqedonia e Veriut duhet:

  • të intensifikojë përpjekjet për të hequr pengesat jo-tarifore të tregtisë;
  • të kompletojë rreshtimin e plotë me Direktivën e Përgjithshme të Sigurisë së Produkteve;
  • të forcojë kapacitetin administrativ për të zbatuar kornizën ligjore.

Vendi ynë, më saktë Ministria e Ekonomisë, për sa i përket kësaj çështjeje, ka përgatitur Planin Strategjik 2020-2022, i cili mbi këtë kapitull parashikon përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra të Republikës së Maqedonisë së Veirut në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave dhe mbrojtjen e konsumatorit të përfshira në Kapitujt VI dhe VIII të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të cilat i referohen zbatimit të rregulloreve teknike të BE-së për rregullimin e tregut të brendshëm me qëllim të vendosjes së sistemit për sigurinë e përgjithshme të produkteve teknike dhe automjeteve si dhe mbrojtjen e konsumatorit. Strategjija parashikon:

  • monitorim të vazhdueshëm të përmirësimit të legjislacionit teknik të BE-së (direktivat mbi sigurinë e përgjithshme dhe direktivat e qasjes së re dhe të vjetër) me ndryshime në mënyrë që të transpozohet në legjislacionin kombëtar të harmonizuar teknik
  • bashkëpunim me Byronë për Metrologji, IARSM-së dhe Institutin për Standardizim i RMV-së në fushën e promovimit të zhvillimit të infrastrukturës së cilësisë (metrologjia, akreditimi, standardizimi dhe vlerësimi i konformitetit)
  • bashkëpunimi i komunitetit të biznesit në lidhje me përmirësimin e procesit të harmonizimit të legjislacionit teknik kombëtar me direktivat e fundit të BE-së nga periudha e re dhe e vjetër
  • organizimi i seminareve për shkëmbimin e përvojave për zbatimin e inspektimit mbi miratimin e ligjeve dhe rregulloreve teknike për sigurimin e sigurisë së përgjithshme të produkteve përpara se ato të hidhen në treg, të vihen në përdorim ose të përdoren.
  • sjelljen e një Ligji të ri për sigurinë e përgjithshme të produkteve, Ligjit për Rregulloret Teknike dhe i harmonizuar me ligjin e ri.
  • miratimi i: vendimeve për autorizimin e personave juridikë për kryerjen e vlerësimit të konformitetit në përputhje me Ligjin për Sigurinë e Produkteve dhe vendimet për kryerjen e kontrollit teknik dhe ekzaminimeve periodike të pajisjeve teknike në përputhje me Ligjin për Inspektimin Teknik.

Lëvizja e Lirë e Punëtorëve nënkupton qarkullimin e lirë të punës si faktor ekonomik në tregun e brendshëm të BE-së pa pengesa . Acquis-i në këtë kapitull parashikon që qytetarët e BE- së të një shteti anëtar të kenë të drejtë të punojnë në një Shtet Anëtar tjetër pa u diskriminuar bazuar në shtetësi sa i takon kushteve të punës, ndihmës sociale dhe taksimin. Maqedonia e Veriut është në një fazë të hershme në fushën e lirisë së lëvizjes për punëtorët. KE-ja në raportin e saj e ka vlerësuar këtë duhsë, pa asnjë progres në periudhën raportuese dhe rekomandimet e vitit të kaluar qëndrojnë akoma. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet të:

  • të vazhdojë përshtatjen e kornizës ligjore në përputhje me legjislacionin e BE-së për qasjen në tregun e punës, në veçanti në lidhje me mos-diskriminimin për shkak të kombësisë ndaj punëtorëve të BE-së;
  • të ndërmarrë hapa në koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore për të identifikuar se cilat masa administrative duhet të futen në përgatitje për pranimin në të ardhmen.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në Planin e saj Strategjik 2020-2022 planifikon që të:

  • sigurojë mbështetje dhe koordinim në procesin e integrimit evropian, harmonizimi i legjislacionit kombëtar me atë evropian, ndërtimi i kapaciteteve të nevojshme institucionale dhe administrative, përmbushja e detyrimeve dhe kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.
  • përmbushja e standardeve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive ekonomike dhe sociale të njeriut, në përputhje me kriteret e përcaktuara në Kartën Sociale Evropiane të Këshillit të Evropës dhe
  • sigurimin e përvojave dhe praktikave të mira në fushën e funksionimit të punës dhe politikës sociale, përmes arritjes dhe intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh.

Politika e Konkurrencës përfshin rregulla dhe procedura për të luftuar sjelljen anti-konkurruese nga shoqëritë tregtare. Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në fushën e politikës së konkurrencës. Kuadri kryesor legjislativ i ndihmës shtetërore dhe bashkimeve është harmonizuar gjerësisht me rregullat e BE-së, por duhet të ndryshohet për zbatimin e legjislacionit që mbulon fusha dhe sektorë të ndryshëm. Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës (KPP), si autoriteti kombëtar i konkurrencës, i mungon kapaciteti administrativ dhe i zbatimit, si për sa i përket stafit ashtu edhe buxhetit. Nevojiten përpjekje të konsiderueshme për zbatimin e ligjit. Asnjë progres nuk është bërë në këtë fushë gjatë periudhës raportuese. Prandaj, sipas KE-së, rekomandimet e vitit të kaluar mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut në veçanti duhet:

  • të përmirësojë pavarësinë dhe të forcojë kapacitetin e autoritetit kombëtar të konkurrencës për të rritur regjistrin e tyre të zbatimit, duke përfshirë çështjet më problematike;
  • të rrisë transparencën e ndihmës shtetërore të dhënë nga qeveria;
  • të përafrojë më tej legjislacionin zbatues në fushën e ndihmës shtetërore

Në kontekstin e Kapitullit 8 të Politikës së Konkurrencës, vendi nuk ka të shpallur një plan publik se çfarë do të bëhet në këtë drejtim. Sipas Qendrës për analiza ekonomike, Sekretariati për Çështje Evropiane është pjesë e Nën-komitetit për Tregun e Brendshëm dhe Konkurrencën, dhe është pika kryesore e kontaktit për pajtueshmërinë e këtij kapitulli me KE-në, si dhe me institucionet përkatëse që përgatisin dhe zbatojnë rregulloren. Gjithashtu, sipas tyre, SPE është në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin për mbrojtjen e konkurrencës  për shkallën e arritjes së aktiviteteve të planifikuara në pajtueshmëri me Programin nacional për zbatimin e aquis-it të BE-së(NPPA). Sipas SPE-së, ekzistojnë procedura të brendshme dhe një proces i monitorimit të rregullt të pajtueshmërisë dhe nivelit të zbatimit të aktiviteteve të planifikuara dhe draft planit të NPAA-së për vitet 2019-2021 (i cili nuk është miratuar nga Qeveria), por raportet nuk janë në dispozicion të publikut.

Kjo do të thotë se nuk dihet se çfarë dhe si do të veprohet në këtë drejtim, pasi nuk ka asnjë dokument publik.

Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit Publik mbulon sigurinë e mallrave të konsumit, si dhe mbrojtjen e interesave ekonomike të konsumatorëve në disa sektorë specifikë. Maqedonia e Veriut mbetet mesatarisht e përgatitur në këtë fushë. Asnjë përparim nuk është bërë as në mbrojtjen e konsumatorit dhe as në shëndetin gjatë periudhës raportuese. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet të:

  • të harmonizojë kornizën ligjore me acquisin e BE-së për mbrojtjen e konsumatorit, veçanërisht në lidhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe të forcojë strukturat operacionale që shërbejnë për mbrojtjen e konsumatorit;
  • të intensifikojë përpjekjet për kontrollin e duhanit;
  • të publikojë raporte mbi regjistrat për kancerin dhe sëmundjet individuale të rralla dhe të sigurojë fonde të përshtatshme

Ministria e Shëndetësisë në Planin e harmonizuar Strategjik 2019-2021 panifikon modernizimi dhe përmirësimi i sistemit shëndetësor në përputhje me standardet e BE-së, si vijon:

  • përmirësimi i gjendjes shëndetësore të popullatës
  • sigurimin e shërbimeve shëndetësore të përqendruara në nevojat e pacientëve, vendosja e qytetarëve në qendër të sistemit shëndetësor dhe forcimi i ndjenjës dhe përgjegjësisë së individit për shëndetin e tyre dhe të të tjerëve.
  • sistemi i disponueshëm i kujdesit shëndetësor të popullatës
  • sistem i kujdesit shëndetësor cilësor dhe afatgjatë financiarisht i qëndrueshëm
  • zhvillimi i një koncepti për një Sistem Kombëtar për Regjistrimet Elektronike të Shëndetit
  • modernizimi dhe përmirësimi i sistemit shëndetësor në përputhje me standardet e BE-së dhe përmirësimi i kushteve të kujdesit shëndetësor të qytetarëve përmes ndërtimit, rindërtimit, azhurnimit dhe zgjerimit të ambienteve të institucioneve shëndetësore publike, prokurimit të pajisjeve moderne mjekësore

Për aktivitetet në këtë drejtim, të dhëna ka edhe në Agjencinë për ushqim dhe veterinari, e cila, gjithashtu është në grupin e institucioneve përgjegjëse  për shëndetin publik, ku njoftohet:

  • miratimi i planeve të punës / vjetore, strategjike, programore dhe përgatitja e raporteve;
  • zhvillimi dhe zbatimi i programeve arsimore për çështje që lidhen me ushqimin dhe të ushqyerit e grupeve të ndryshme të popullsisë;
  • miratimi dhe zbatimi i programeve kombëtare të mbrojtjes së konsumatorit;
  • bashkëpunim dhe pjesëmarrje e vazhdueshme në projekte me sektorin joqeveritar, i cili lobon për çështje që lidhen me të drejtat e konsumatorit në fushën e ushqimit, si dhe me institucione të tjera që kanë kompetenca në mbrojtjen e konsumatorit, me qëllim forcimin e rrjetit për mbrojtjen e konsumatorit në vend;
  • aktivitetet në lidhje me punën në Trupin Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut, Aktivitetet në lidhje me Kapitullin 28, Mbrojtja dhe shëndeti i konsumatorit.

Lëvizja e lirë e mallrave dhe lëvizja e lirë e punëtorëve përfaqësojnë një nga katër liritë themelore të Bashkimit Evropian. Ndërkohë Kapitulli i 8 mbi Politikën e konkurrencës përfshin rregulla dhe procedura për të luftuar sjelljen anti-konkurruese nga shoqëritë tregtare (marrëveshje kufizuese mes shoqërive dhe abuzimit të pozitës dominuese). Kurse lidhur me kapitullin e 28 mbi Mbrojtjen e Konsumatori dhe Shëndetit Publik, duhet të sigurohen gjithashtu mekanizma të përshtatshëm gjyqësor dhe jashtë gjyqësor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, si dhe për informimin e konsumatorit dhe edukimin e tij, duke siguruar njëkohësisht rolin e organizatave të konsumatorëve.

Këto vërejtja janë të njëpasnjëshme, nga raporti në raport. Vendi merr rekomandimet e njëjta ose rekomandimet e viteve paraprake, duke qenë se nuk bëhet asnjë progres. Në mënyrë të veçantë, Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim për tre raste në fushën e mbrojtjes së konkurrencës. Së pari, skema e financuar nga Ligji për Mbështetjen e Investimeve Financiare, sipas KE-së, nuk është në përputhje me acquis-in e ndihmës shtetërore të BE-së dhe duhet të ndryshohet. Së dyti, skema e stimujve financiarë për aeroportet e Shkupit dhe Ohrit që jep mbështetje financiare për kompanitë e linjave ajrore vendase dhe të huaja duhet të rishikohet për të konfirmuar se ajo është në përputhje me acquis-in e ndihmës shtetërore të BE-së dhe MSA. Shqetësimi i tretë dhe më i fundit ishte miratimi i nxituar i Ligjit për investimet strategjike, pa njoftim paraprak të KPP-së.
Sidomos në këtë fushë vendi ka një punë të madhe për të bërë, pasi në shumë raste vërehet monopoli, duke pamundësuar kështu konkurrencën dhe për pasoj edhe mungesën e alternativave për konsumatorët e e ndryshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button