Nuk është vetëm Vardarishte deponia, por është krejt shtrati i lumit të Vardarit drejt Jurumlerit dhe daljes së Shkupit

Ish-deponia e Vardarishtës, e cila është ende një pikë akute ekologjike për qytetarët e komunave të Aerodromit dhe Gazi Babës, e nxiti grindjen e kryetarit të Shkupit Petre Shilegov me partinë e opozitës VMRO-DPMNE. Qeveria dhe opozita po grinden, ndërsa në terren mund të shihet se si në tërë segmentin nga Vardarishtja drejt Jurumlerit dhe vendbanimet e tjera në dalje nga Shkupi çdo ditë hidhen mbeturina dhe shtrati i lumit Vardar është i mbushur me dhjetëra deponi ilegale, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Shkupit Petre Shilegov tha dje se Vardarishte gjeneron erë të keqe dhe ndotje në vendbanimet Lisiçe e Re dhe Lisiçe, duke theksuar se për rehabilitim të plotë të këtij lokacioni nevojiten 26 milionë euro.

“Fatkeqësisht, ai problem ekziston 30-40 vjet dhe nuk është zgjidhur kurrë në mënyrë sistematike, atje nuk është punuar kurrë dhe ekziston një dekompozim serioz i mbeturinave prej ku del erë e keqe në atmosferë. Kemi bërë studim të plotë dhe rehabilitimi i Vardarishtes do të kushtonte 26 milionë euro. Kam biseduar edhe me ministrin e mjedisit jetësor dhe në negociatat për aderim, në të cilat do të hyjmë, në një nga përbërësit më të rëndësishëm është mjedis i shëndoshë, prandaj do të kemi qasje në fondet evropiane për projektin e përgatitur nga qyteti, i cili nuk është improvizim, por është zgjidhje serioz dhe përfundimtare e problemit”, tha Shilegov.

Partia opozitare VMRO-DPMNE pretendon se deponia e Vardarishtës është ndërtuar nga Qyteti i Shkupit dhe për vite me radhë i helmon qytetarët. Ata pretendojnë se Shilegov tre vjet ka premtuar që do ta zgjidhë problemin me Vardarishten, si dhe se në atë vend digjen gjitha mbeturinat dhe se pasojat e djegies i thithin qytetarët e Gazi Babës dhe Aerodromit. Ditët e kaluara opozita ka organizuar edhe një protestë kundër deponisë në Vardarishte.

Ndërsa qeveria dhe opozita grinden, ndërsa qytetarët po ankohen publikisht në rrjetet sociale për ndotjen e ajrit dhe mjedisin e përgjithshëm, kamionë të shumtë, furgona, traktorë dhe makineri të tjera çdo ditë po transportojnë të gjitha llojet e mbeturinave, përmes urës së hekurit Lisiçe të Epërme, të cilat i derdhin në segmentin nga Vardarishtja drejt Trubarevës dhe Jurumlerit brenda dhe rreth shtratit të lumit Vardar. Në tërë këtë segment në dalje të Shkupit, rreth vendit ku duhet të ndërtohet impianti i pastrimit të ujërave të zeza, janë krijuar një duzinë deponish ilegale që po ngarkohen pa mëshirë me mbeturina nga qytetarë të pandërgjegjshëm.

Në dalje nga Shkupi, përgjatë rrjedhës së lumit Vardar, mund të gjeni grumbuj mbeturinash ndërtimi, kufoma kafshësh, teknikë shtëpiake, rroba të vjetra dhe mbeturina të tjera të shumta, të cilat e ndotin tokën dhe ujërat e lumit Vardar. Deponitë ilegale që krijohen në mënyrë të pakontrolluar, disa nga qytetarët të pandërgjegjshëm më pas i djegin ato, gjë që çon në ndotjen e ajrit që më së shumti i prek banorët e Lisiçes dhe Lisiçe e re.

Foto: Qyteti i Shkupit

Përndryshe, Qyteti i Shkupit informon se këto ditë ekipet e NP “Rrugët dhe rruguicat” janë duke punuar në prishjen e pengesave ilegale në bregun e Vardarit në deponinë Vardarishte. Këto rrugë përdoren ata që hedhin mbeturin në mënyrë ilegale, por edhe ata që qëllimisht i djegin deponitë dhe janë shkaku i zjarreve të shpeshta në këtë lokacion. Ata informojnë se në periudhën e ardhshme hyrjet në pjesën veriore në deponisë do të mbyllen, me çka do të përforcohen më tej kontrollet e inspektoratit, zjarrfikësve dhe policisë në parandalimin e zjarreve të hapura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button