DRITA NË NE

Shetisim me piktorin Reshat Ametin nëpër hapësirat e Galerisë Nacionale, objektin e Hamamit të Daut pashës ku deri në fundmuaj qëndron e hapur ekspozita me rastin e 30 vjetorit të krijimtarisë.

Tek cikli fillestar Gjeometrizmi lirik ndalet dhe rrëfen për objektet që i krijon njeriu e që mbeten statike përherë dhe ato që i bën natyra e që u nënshtrohen ndryshimeve edhe guri që është gur me kalimin e kohës merr trajta tjera, e mos flasim për gjallesat, bimët, mjegullat, pamjen e qiellit…këto më kanë inspiruar t’i vendos përballë njëra tjetrës… kështu lindën krijimet e tij të para.

Duke u rikthyer në fëmijëri kur ka parë gratë që kanë tjerrur qilima dhe gjësende tjera duke futur, me instinktin e artistit popullor, lojën e ngjyrave, Reshati ka gjetur inspirime për veprat e emëruara Nga tradita ku kujtimet pastelike ndërtojnë imazhin e Shtëpisë, Pragut të derës, Vatrës.

…babai im kishte një çantë ku ruante dokumentet, fletëpagesat, tapitë e Katastarit, gjithçka të mbledhur përgjatë viteve e dekadave. Çanta më krijonte imazhin e arkave, çekmexheve të vaktit ku dikur mbaheshin gjërat me vlerë që duheshin fshehur nga sytë e tjerëve. Këto remineshenca e kanë inspiruar për ciklin Enigma.

Lindita Kadriu
Lindita Kadriu

Ndalemi tek një vepër nga Margjinat dhe Qendra: në mes qëndron një katror dhe rreth e rrotull varg i pashkëputur katrorash tjerë ku Reshati ka inkorporuar elemente që nuk i ka nxënë ai katrori vetmitar në qendër të kompozicionit. Kjo ma kujton idenë e decentralizimit ku qytete e rajone zhvillohen autentikisht, sjellin begatinë e vet secila veç e veç, ndërsa qendra u siguron mbështetje që të gjithë bashkë të japin Fotografinë e Tërësisë.

Kritika ka vënë në pah se në veprat e tij ndodhen zona që nuk i shohim e që bëhen të dukshme në shikim e parë indirekt. Kjo mund të përshkruhet në frymën e teorisë geshtalt sipas së cilës syri i njeriut i shikon objektet në tërësi para se t’i vërejë detajet dhe sugjeron se tërësia është më e madhe sa shuma e detajeve.

Kanë shumë dritë pikturat e Reshatit. Kritika do të shtojë se ai në mënyrë elegante dhe dramatike i pikturon burimet dhe krojet e formave të dritës që flasin për gjendjet e brendshme, për venat e shpirtit. Vetë artisti shton se drita është gjithçka: sado të mprehtë ta kemi shqisën e të shikuarit dhe sado i bukur koloriti i objekteve rreth nesh, nëse jemi në errësirë nuk shohim asgjë, e kotë çfarëdo hijeshie. Kur kërkojmë dhe gjejmë Dritën në ne, Dritën rreth nesh, atëherë bota na shpërfaqet në ngjyrat e veta më të bukura.

Ky është mesazhi më kuptimplotë që marr nga veprat e Reshatit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button