“Mësimi nga distanca”, dikush po gënjen: Carovska dhe UNSHM për tema të njejta, deklarime të kundërta

Në qoftë se njëkohësisht i lexon rezultatet e anketave të Ministirisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me ecurinë e mësimit përmes internetit si dhe rezultatet e Unionit të Nxënësve të Shkollave të mesme, krijohet përshtypja sikur bisedohet për dy shtete të ndryshme. Carovska thotë se 90,2% e nxënësve në mënyrë të suksesshme e ndjekin mësimin online ndërkaq nga anketat e UNSHM-së, rezultoi që mbi 20% nuk e ndjekin fare mësimin ndërkaq 35% me notën 1, prej gjithsej 5, vlerësuan “Mësimin online”, shkruan Portalb.mk.

Nga data 1 tetor ka filluar mësimi përmes internetit në shumicën e shkollave të fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, këtu duke përjashtuar nga klasa e parë deri në të tretën si dhe disa shkolla të cilat kanë plotësuar kushtet për të filluar mësimin me prezencë fizike.

Si e vlerësojnë nxënësit ecurinë e mësimit deri tani?

Nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme kanë anketuar gjithsej 581 nxënës në lidhje me përshtypjet e tyre për atë se si e vlerësojnë mësimin përmes internetit deri tani, rezultatet janë alarmante.

Blendi Hodai
Blendi Hodai

Në fjalinë “Unë vazhdimisht marr pjesë në mësimin nga distanca”, në opsionin “Aspak nuk pajtohem” kanë klikuar 20% e të anketuarve, që do të thotë se një pjesë e madhe prej tyre nuk e ndjekin në mënyrë të rregullt mësimin nga distanca.

Nderkaq, 70% e nxënësve të anketuar deklaruan se shumë nxënës në klasat e tyre nuk marrin pjesë në mësimin nga distanca, 30% prej tyre e shprehën të kundërtën.

72% e gjithsej 581 nxënësve të anketuar, kanë deklaruar se shkollat apo mësimdhënësit të cilët ligjërojnë nuk kanë internet stabil, kësisoj, vështirësohet dukshëm procesi arsimor.

Alarmant është fakti se 80% e të anketuarve kanë vlerësuar mësimin nga distanca me tre nota më të ulëta, vetëm 6% prej tyre me notën 5. Si nën pyetje e kësaj, 83% e nxënësve efikasitetin e mësimit nga distanca e vlerësuan me tre notat më të ulëta.

Në aspektin psikologjik, 72% e nxënësve të anketuar janë shprehur se mësimi nga distanca ka ndikuar keq në psikologjinë e tyre, 28% të kundërtën.

Ndërkaq, 59% e nxënësve janë shprehur se aspak nuk mund të jenë të vëmendshëm gjatë gjithë orës mësimore.

Të kundërtën e thotë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska.

Sipas disa hulumtimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, vetëm tre ditë më herët Carovksa tha se 90,2% e nxënësve me sukses e ndjekin mësimin nga distanca.

Mila Carovska ministre e Arsimit dhe Shkencës. (Foto: Arbnora Memeti).
Mila Carovska ministre e Arsimit dhe Shkencës. (Foto: Arbnora Memeti).

“Ndërsa pjesa  e mbetur prej nëntë përqind, mësimin e ndjekin përmes televizorit, por edhe përmes  marrjes së  materialeve të shtypura për nxënësit. Falënderim deri te Radio Televizioni Kombëtar për atë që mundësoi të emitohen orë mësimore prej 15 minutave  në televizion. Si MASH jemi të kënaqur me modelin e mësimit i  cili u zgjedh së bashku me Qeverinë, ndërsa ai është i  kombinuar,  një pjesë me prani fizike dhe një pjesë me mësim online” kishte deklaruar ministrja Carovska, tre ditë më herët.

Nxënësit që protestuan kundër mësimit online, aktualisht po e ndjekin situatën

Në fillim të këtij viti shkollor nga distanca, shumë nxënës u mblodhën në disa komuna të Maqedonisë së Veriut për të protestuar mësimin nga distanca, të njëjtit kërkonin që me protokolle të veçanta, mësimi të vazhdoje me prezencë fizike.

Protestat e nxënësve kundër mësimit online.
Protestat e nxënësve kundër mësimit online.

“Jemi duke protestuar kundër mësimit online dhe duam mësim me prezencë fizike për shkak se vetëm ai është efikas, mësimi online nuk mund të ketë efikasitet. Mendojmë të vazhdojmë me protestat deri sa të arrijmë qëllimin tonë. Kemi bojkotuar  mësimin online, tash momentalisht është dash të jemi në mësim mirëpo ne jemi këtu, që i bije se automatikisht kemi bë bojkot të mësimit” tha një prej protuesve me datë  1,10,2020.

Ndërkaq sot, të njëjtit për Portalb.mk u shprehën se janë duke e ndjekur me vëmendje situatën epidemiologjike në vend dhe nga fundi i këtij muaji do të marrin vendimin se a do të vazhdojnë me protestat apo jo.

“Aktualisht jemi duke e ndjekur situatën epidemiologjike në vend, nga fundi i këtij muaji do të vendosim për atë se a ka hapësirë për protesta apo jo, gjithçka do të varet prej gjendjes epidemiologjike si dhe vlerësimit të nxënësve për ecurinë e mësimit online, ne vazhdojmë të jemi të bindur se kjo metodë, pra online, nuk ja vlen” tha një prej nxënësve protestues.

Ndryshe, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme ka përgatitur për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës 14 rekomandime për të përmirësuar ecurinë e mësimit nga distanca, të njëjtat mund ti lexoni duke klikuar këtu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button